Në shtegun e presidencës

Do të thotë diçka, kur edhe vetë konservatori i njohur, Glen Beck, thekson se e ndien vetën keq, kur dëgjon marri të tilla.
“Gjëja e fundit që i nevojitet vendit është një njeri që ka gojën e madhe dhe nuk di të pushojë. Shpresoj se do të kemi kandidat seriozë, të cilët sjellin energji, pa thënë gjëra provokuese”, u ankua Beck.
Akuzat e Beckut ishin të drejtuara kah Donald Trump, i cili krenohet me nofkën e tij “njeriu me gojë të madhe”. Miliarderi nga New Yorku është dashuruar në një rol të vjetër: atë të kandidatit për president të SHBA-së.
Programi i tanishëm zgjedhor i Trumpit për momentin përmban një pikë të vetme: dyshimin në lidhje me vërtetësinë e nënshtetësisë së presidentit aktual, Barack Obama.
“Pse nuk po prezanton Obama certifikatën e tij të lindjes?. Ngadalë kam filluar të pyes vetën se a ka lindur ai vërtet në këtë vend”, thotë Trump pothuajse për çdo ditë, edhe përkundër faktit se Obama që moti ka treguar certifikatën e tij, pas daljes në sipërfaqe të këtij dyshimi në vitin 2008.
Me ndihmën e medieve, Trump edhe në të kaluarën ka përmendur mundësinë e kandidimit të tij, në të shumtën e rasteve për të joshur vëmendjen dhe për të ngjallur biznesin e tij. Por, kësaj radhe duket se është i vendosur, gjë që dëshmohet edhe nga prania e tij e vazhdueshme mediale.
“E kam tejet seriozisht”, i tha ai gazetës "New York Times", në një prej intervistave të tij të shumta. Pritet që ai deri në qershor të kumtojë formalisht vendimin e tij.
Sinergjia është fjala magjike e Trumpit. Edhe në të kaluarën, kandidimet e tij të mundshme janë ndërlidhur gjithmonë me biznes. Në vitin 1987 ai flirtoi për herë të parë me politikën dhe në të njëjtin vit në shitje doli edhe libri i tij i parë, "Trump: The Art of the Deal", i cili u bë një prej librave më të shitur në SHBA.
Loja u përsërit edhe në vitin 1999, por kësaj radhe titulli i librit të tij ishte "The America We Deserve".
Pra në fund e vërtetë është vetëm një gjë, motoja e tij jetësore: “Trumpi trumbeton vetëm për Trumpin.
Aventura e tij më e re në politik filloi në shkurt, me fjalimin që e mbajti në Conservative Political Action Conference (CPAC), skenën e parë të kandidatëve të mundshëm republikanë për president. Aty të pranishëm ishin edhe Neët Gingrich, Michelle Bachmann dhe Mitt Romney, por ishte Trump ai i cili joshi më së shumti vëmendjen e të pranishmëve.
Atë botë ai deklaroi se e gjithë bota po përqesh Amerikën dhe shtoi se “nëse ai kandidon dhe ngadhënjen, e tërë bota do ta respektojë sërish SHBA-në”.
Por që nga ajo kohë, deklaratat e Trumpit ndërlidhen vetëm me një temë të vetme: nënshtetësia e Obamas, në të cilën sipas një ankete tashmë dyshojnë 51 për qind e votuesve republikanë.
Shumë njerëz tani pyesin se pse e ka zgjedhur Trump pikërisht këtë strategji. “A është Trump i çmendur?”, pyeti edhe vetë konservatori David Frum, i cili dikur ka shkruar fjalimet e presidentit George Bush.
Arsyeja mund të jetë shumë më e thjeshtë: në të gjitha temat tjera serioze, Trump është shumë prapa rivalëve të tij potencial republikanë.
Sigurisht, disa gjëra flasin në favor të tij. Ai është karizmatik, i pasur dhe njihet nga pothuajse të gjithë në SHBA.
Por çfarë flet kundër tij? Gazeta Washington Post është e bindur: “Pothuajse të gjitha gjërat tjera flasin kundër tij”.
Edhe përparësia financiare e Trumpit mund të dëshmohet si një auto-gol për të. Ai ka paralajmëruar se rreth 600 milionë dollarë nga xhepi i tij do t’i shpenzojë në fushatë, një shumë kjo rekorde. Por me këtë rast ai duhet t’i bëjë publike librat e bizneseve të tij, ndërsa kritikët theksojnë se aty ka shumë parregullsi.
Edhe sa i përket temave tjera, si ekonomia dhe angazhimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme, Trump deri me tani ka ofruar vetëm parulla të zbehta.
Megjithatë, Trump ka hyrë në një vakuum, pasi që deri me tani vetëm një republikan ka shpallur formalisht kandidaturën e tij, ish-guvernatori i Minnesotas, Tim Pawlenty. Prandaj nuk është çudi se pse mediet amerikane po i kushtojnë aq shumë vëmendje Trumpit.
(Der Spiegel)