I kënaqur me sezonin

Erjon Bogdani ndihet i kënaqur me paraqitjet e tij këtë sezon. Futbollisti shqiptar ka realizuar gjashtë gola në 30 paraqitje, sa pati me ekipin bardh e zi, tek i cili konsiderohet si sulmuesi kryesor.
“Jam i kënaqur për faktin se kam luajtur mjaft, por nuk jam dhe aq i kënaqur me periudhën e fundit. Nga Kombëtarja kam arritur paksa i lodhur, kështu që nuk po shkëlqej si në fillim të sezonit, për këtë më vjen keq. Bilancin përfundimtar do ta bëj pas shtatë javësh”, deklaroi përfaqësuesi shqiptar për ueb faqen italiane ilrestodelcarlino.it.
‘Bogu’ ka filluar të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm. Ai ka kontratë me Cesenan deri në fund të këtij sezoni. Mirëpo, nëse do të mbetet pjesë e këtij ekipi, gjithçka varet nga ajo se a do të mbijetojë ky ekip në elitën e futbollit italian apo jo.
“E kam një opsion për vazhdimin e kontratës edhe për një vit, por gjithçka varet nga mbijetesa. E them sinqerisht, kam ardhur në Cesena për ta demonstruar se jam në gjendje ende të ballafaqohem me Serinë A, kështu që llogaris të mbetem në elitën e futbollit italian. Pas disa ditësh do t’i mbush 34 vjet, kështu që duhet ta shfrytëzoj mundësinë për të luajtur në nivele të larta”, vazhdoi Bogdani.
Ish futbollisti i Chievos, i Sienës e i Livornos mendon se shpëtimi i Cesenës në Serie A do të ishte një gjysmë mrekullie dhe se në një gjë të tillë besojnë të gjithë në këtë klub.
Bogdani kërkon nga shokët e skuadrës që ta japin maksimumin në ndeshjet e mbetura, të cilat i konsideron si 7 finale. Nga sulmuesit, përfshirë edhe veten, kërkon që të angazhohen dhe të vrapojnë më shumë. Ai kërkon rezultat pozitiv që në ndeshjen e ardhshme ndaj Palermos, ku ekipi bardh e zi do të ketë punë mjaft të vështirë.