E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet marrëveshja

Deputetët e Kuvendit e përkrahën marrëveshjen politike të PDK’së, LDK’së dhe AKR’së. Pro rezolutës votuan 75 deputetë, ndërkaq dy abstenuan. Munguan deputetët e Vetëvendosjes dhe të AAK’së. Ardian Gjini tha se marrëveshja është antikushtetuese dhe e zgjat qeverisjen e keqe. Mirëpo, Arsim Bajrami i PDK’së tha se gjithçka është në frymën e Kushtetutës. Nga Faton Ismajli më 08 prill 2011 në ora 09:06

Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar rezolutën për të përkrahur marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet PDK’së, LDK’së dhe AKR’së për të dalë nga kriza politike.

Pas votimit të Presidentes, pika e dytë për të miratuar rezolutën për mbështetjen e marrëveshjes politike ka kaluar pa ndonjë debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës.

“Me 75 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, Kuvendi miraton Rezolutën në mbështetje të memorandumit të marrëveshjes në mes të Behgjet Pacollit, Isa Mustafës dhe Hashim Thacit”, ka lexuar rezultatin e votimit Kryetari i Kuvendit, Jakup Kraniqi.

Në votim kanë marrë pjesë deputetët e PDK’së, LDK’së, AKR’së dhe minoritetet. Derisa seancën e kanë lëshuar dy partitë opozitare – AAK dhe Vetëvendosje, të cilat u anashkaluan kur u arrit marrëveshja për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Ardian Gjini në emër të AAK’së ka thënë se marrëveshja e arritur ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit është në dëm të Kosovës dhe është antikushtetuese.

Pa përmendur ndonjë nen të shkelur të Kushtetutës, Gjini ka thënë se marrëveshja e tri partive është mbi dokumentin më të lartë juridik të Kosovës.

“Ky i ashtuquajtur memorandum, që sot do të votohet, është po ashtu në kundërshtim me frymën kushtetuese në Kosovë. Ky memorandum vetëm sa e zgjat këtë qeverisjen e keqe në Kosovë”, ka thënë Ardian Gjini i AAK’së.

Ai ka dhënë parashikime jo të mira për realizimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ne sot nuk e votojmë këtë marrëveshje të tri partive dhe ju premtojmë se kjo marrëveshje e tri partive nuk do të zgjasë aq sa tri partitë e kanë paraparë që të zgjasë”, ka thënë Gjini nga foltorja e Kuvendit.

Ndaj deklaratave të Gjinit ka reaguar deputeti i PDK’së, Arsim Bajrami. Ai tha se gjithçka që ka të bëjë më memorandumin e nënshkruar nga liderët e tri partive politike është kushtetuese.

“Ky memorandum nuk është ngritur mbi Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë deputeti Bajrami.
Sipas Bajramit, Kuvendi ka të drejtë të miratojë rezoluta politike.

“Është e drejtë e plotë kushtetuese e Kuvendit të Kosovës të votojë rezoluta politike sepse në kapacitetin e vendimmarrjes politike – rezolutat janë qëndrime politike, në këtë rast tri partitë politike kanë ndërtuar një qëndrim politik për një agjendë reformuese, kushtetuese dhe legjislative”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se efektet e marrëveshjes së nënshkruar do të fillojnë në momentet kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe ligjore.

“Pasojat juridike të këtij memorandumi fillojnë të prodhojnë pasoja juridike që nga momenti i miratimit të amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›