Ne (s)na duhet një qeveri si Athina
Nga Kreshnik Spahiu
50 m përballë banesës ku kam lindur në Tiranë ka hedhur shtat Katedralja e re e kishës autoqefale. Dikur aty ishte parku publik i kryeqytetit ku ne luanim fëmijë dhe pas shumë vitesh ndjeva trishtim që ish-kryeministri ia dhuroj mijëra metra katrore Kishës për ndërtimin e katedrales. Parku ishte pronë publike por me një vendim qeverie iu bë dhuratë kishës. Prej vitesh lulishtja më e bukur e Tiranës u shndërrua në kantier ndërtimi të tuneleve mijëra metra katrorë poshtë apo anash Ministrisë së Mbrojtjes të cilat zgjatën afro një dekadë.
Pas disa vitesh, profesioni më bëri të ndeshem me historinë e një kishe tjetër në Përmet, e cila ishte objekt i konflikteve gjyqësore të pronësisë. 50 vite më parë kishte pasur një kishë të ndërtuar në qytetin e Përmetit në një sipërfaqe shumë më të vogël se ndërtesa e pallatit të kulturës.
Mos respektimi i ligjit dhe konfliktet e pronësisë e nxorën shtetin shqiptar jashtë kontrollit për territorin e saj. Nga 1992 e deri më sot ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave tashmë u shndërrua në mentalitet xhungle të tokës xanun dhe çdo kush mund të rrëmbente çtë munde.
Analiza shumë e thjesht rezulton se në Përmet Kisha ka 30 m2 pronë të vjetër në cep të 4000m2 pallat kulture që ajo do ta shemb, ndërkohë që në Tiranë Kishës ju dhuruan mijëra metra katrore park publik dhe asnjë metër nuk kishte qenë pronë e saj. Në Përmet priftërinjtë u futën me dhunë për të pushtuar ambientet e pallatit të kulturës madje ndërtuan pa leje brenda mureve të qendrës dhe pronës publike. Banorët e Tiranës nuk përdorën dhunë kur parku ku luanin fëmijët u bë kishë ndonëse shumica e banorëve të kryeqytetit nuk i përkisnin fesë ortodokse.
10 ditë më parë një prift u zbua nga një mesh në Himarë vetëm pse nuk pranoi të politizonte përvjetorin e një të vdekuri në aksident automobilistik që nazistët grek po e mitizojnë si hero të kombit të tyre.
Pardje, dje dhe sot Athina vazhdon të ushtroj presion ndaj shtetit shqiptar duke ndërhyrë haptas në punët e brendshme të Shqipërisë dhe duke u rebeluar kundër autoritetit gjyqësor apo vendimeve të drejtësisë shqiptare.
Shqipëria ka shenja të rritjes së tensioneve ndërfetare të cilat kulmuan me ngjarjet që po ndodhin gjatë ditëve të fundit në Përmet. Kjo është një ngjarje me shumë pasoja në jetën ndër-fetare të popullit shqiptar , të rrolit të shtetit në marrëdhëniet me besimet fetare dhe do të ndikojë në marrëdhniet me fqinjin tonë të jugut.
Shkaku kryesor i kësaj situate duhet kërkuar tek gjendja e papërcaktuar e situatës në besimin ortodoks shqiptar. Asnjë klerik i huaj, i ulet apo i lartë, nuk mund të cenojë këtë status, as brenda Shqipërisë as nga jashtë. Kryepeshkopi Anastas që është dekoruar me medaljen e heroit tonë kombëtar Skënderbeu refuzoi të shpallte shenjtor një nga mbrojtësit e autoqefalisë shqiptare At Melanin që u vra nga andartët grekë duhet të tërhiqet nga ky mision i rrezikshëm i helenizimit të kishës autoqefale shqiptare dhe transformimit të kulteve në objekte strehimi të ultranacionalizmit grek.
Shkaku i dytë ka të bëjë me një qëndrimet e qeverisë ne ikje e cila për të mbajtur marrdhënie të mira me kryepeshkopin Anastas paralizoi për disa vite zyrën e përmbarimit për ekzekutimin e vendimit gjykatës.
Ndërkohë situata ne Përmet, duket që vjen edhe si ndikim i ndërhyrjeve politike dhe fetare nga Fqinji i Jugut. Pak ditë më parë, në Shqipëri hyjnë nazistët Greke. Shteti nuk i parandaloj dhe ato e bënë dëmin e tyren Himarë.
Sot po jetojmë në një vend, me dy qeveri, me dy mazhoranca, me dy kryeministra e me dy Ministra të Jashtëm – e njëkohësisht, pa asnjë prej tyre. Të gjithë kanë fshehur kokën si struci dhe sillen si nxënës të urtë dhe hileqar të Athinës duke tentua që ti tregojnë: “nuk e kam bërë unë gabimin”.
Kur isha fëmijë qeveria ime i vuri kazmën kishave dhe xhamive duke dhunuar një nga të drejtat themelore të njeriut. Më pas qeveritë që erdhën do të grabisnin dhe plaçkitnin c’te mundnin përfshi dhe parkun më të madh publik të Tiranës për ta bërë katedrale dhe ku mijëra e mijëra km katrore tokë shqiptare përfshihej në konflikte pronësie si ajo copëz toke në Përmet.
Këta që po ikin dhe ata që po vine po tentojnë ti ngecin përgjegjësinë njëri-tjetrit për pronën, për liritë e qytetarëve, për besimtarët, për vendimet gjyqësore, për presionet e qeverisë greke e cila nuk rresht asnjë çast të mbrojë interesat e vendit dhe kombit grek në dëm të fqinjëve etnik shqiptarë. Çfarë po ndodh me kombin më të lashtë në Ballkan? A mos duhet të themi që: “Ne (s)na duhet një qeveri si Athina”?
