Puçini vjen sonte në opera me Më është dashur ti vras të gjitha
Më është dashur ti vras (pothuajse) të gjitha Xhakomo Puçini tregon divat e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në skenën e teatrit të operës vjen një spektakël, i cili do të ngjisë në skenë disa nga artistët më të njohur italianë. Me rastin e stinës së madhe të aktiviteteve Italia dhe Shqipëria 2010: dy Popuj, një Det, një Miqësi, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë,
në bashkëpunim me TKOB, do të prezantojë sonte në orën 19.00, shfaqjen spektakël të titulluar Më është dashur ti vras (pothuajse) të gjitha me pjesë nga krijimtaria më e njohur e kompozitorit italian. Ariet, duetet dhe pjesët instrumentale të veprave të njohura operistike si Boheme, Tosca, Manon Lescaut, Madam Butterfly dhe Turando do të jenë protagoniste të këtij spektakli të ideuar nga Sandro Cappelletto, kritik muzikor i La Stampa dhe President i Filarmonikës Romane. Boheme, Turandot, Mimi, Liu: të gjitha viktima, qëllimisht të eliminuara nga maestro Xhakomo Puçini. Çdo herë krimi kishte motive, rrethana dhe vende të ndryshme. Por ia arrinte gjithmonë shumë mirë. Ka qenë me të vërtetë një serial-killer i vërtetë sopranosh. Duke i folur publikut të tij, Puçini vetë ai, tregon, kujton, mallëngjehet, qesh. Muzika e tij, skenat e tij, leximi i vargjeve të libreteve të tij finesat letrare dhe funksionaliteti perfekt teatral, dhe ai një fajtor i deklaruar, është në mënyre absolute një gjeni. Para publikut do të jenë emra të njohur të skenës italiane, të cilët me zërin e tyre do të përcjellin këto kryevepra të Puçinit. Do të recitojë Elio Pandolfi, një protagonist i historisë së teatrit italian, tregimtar, Sandro Cappelletto, piano, Marco Scolastra, soprano Michela Sburlati si dhe nuk do të mungojë zëri i tenorit Zvetan Michailov. Pranvera Italiane 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi, e cila filloi në muajin mars do të zgjasë deri në qershor, ku nuk do të mungojnë dhe aktivitetet dhe në qytetet kryesore të Shqipërisë. Në saj të kësaj stine do të organizohen 25 koncerte dhe spektakle, 5 prezantime kinematografike, 10 ekspozita fotografie, 28 konferenca, 5 manifestime sportive, 7 iniciativa në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë, 6 aktivitete në fushën e arsimit dhe 5 konkurse me tematika të ndryshme. Ndërkaq para disa ditësh, muzika e famshme e Bizesë dhe cigania e bukur Carmen, u rikthyen disa net në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në të vërtetë, vepra e njohur edhe pse është ngjitur shpesh në Tiranë, erdhi për herë të parë në formën e baletit. Ka qenë kompania italiane "Balleto del Sud", e cila ka bashkëpunuar me solistët e Teatrit te Operës për këtë premierë. Një Carmen e interpretuar nga Enada Hoxha ku dy dashuritë e saj, Don Hose dhe Eskamillo erdhën nga Gerti Vaso dhe Carlos Maltalvan. Dirigjimi i orkestrës i ishte besuar italianit Francesco Libetta, ndërsa koreografia dhe kostumografia Fredy Franzuttit, Baleti erdhi në kuadër të aktiviteteve italiane. Në vijim të eventeve të promovuar nga Ambasada Italiane, po ashtu mbërriti në Tiranë edhe regjisorja dhe skenaristja 84-vjeçare Lina Wertmuller. Ajo është e mirënjohur si asistent-regjisorja e Frederiko Felinit në filmin e vitit 1962, "8½" (Otto e Mezzo), por edhe si regjisorja e parë femër, e cila fitoi çmimin e Akademisë Award në vitin 1976, për filmin "Seven Beauties" (Shtatë bukuritë).Emri i saj përmendet gjithashtu nga Libri i Rekordeve "Guinness" dy herë radhazi për emrin e saj të lindjes, por edhe për titujt e filmave më të gjatë në historinë e kinematografisë botërore. Regjisorja e shquar italiane Lina Wertmuller mori pjesë në përurimin dhe prezantimin e ekspozesë kinematografike Vështrime italiane. Kjo ekspoze, që promovohet me rastin e 20-vjetorit të Kooperacionit italian në Shqipëri, konsiston në shfaqjen e 8 filmave, kryevepra të kinematografisë italiane në vitet 1950-1970, që ilustrojnë kuadrin historik e shoqëror.