Nisin ditët e Tirana Music Festival
në bashkëpunim me Akademinë e Muzikës Internacionale në Perugia, falë ndihmës së Institutit Italian të Kulturës. Përgjatë një jave të aktivitetit, do të organizohen masterklase, koncerte, bashkëpunime dhe shkëmbime mes grupeve italiane dhe atyre shqiptare, si dhe do të jepen bursa studimi për muzikantët e rinj shqiptarë. Drejtorët artistik Marsida Koni dhe Piero Vincenti, gjatë promovimit të aktivitetit, u shprehën mjaft optimistë për suksesin e tij, dhe premtuan një pjesëmarrje edhe më të gjerë nga ajo e vitit të shkuar. Aktivitetet e Tirana Music Festival: 21 prill, Salla e Akademisë së Arteve, interpreton orkestra e frymës 'Big Band' e Akademisë së Arteve, me dirigjent Fatos Qerimin, 25 prill koncert i pjesëmarrësve të Masterave TMF, 26 prill Gran Gala e Profesorëve, 27 prill Universiteti Kristal, Koncert i i pjesëmarrësve të Masterave TMF, 28 prill Në mbështetje të projektit FAO dhe nën kujdesin e veçantë të Presidentes së Fondacionit Fëmijët Shqiptar, znj.Liri Berisha , koncert i violinistes Anila Kraja dhe 29 prill koncert përmbyllës në Teatrin Kombëtar. Këtë vit do të jepen për të rinjtë 12 bursa studimi për në Itali.
Tirana Music Festival, një vit më parë
Tirana Music Festival i cilësuar si një prej evenimenteve më të rëndësishme kulturore shqiptare, ai solli për disa ditë një larmi koncertesh për publikun. Në përfundim të tij tre studentët më të mirë të Akademisë së Arteve u shpërblyen me bursa studimi. Studentët Ledian Semini në kitarë, Fjorda Veizaj në piano dhe Edison Zurbo në klarinetë shfrytëzuan bursat e studimit për tre muaj në Perugia, (Itali) pas përzgjedhjes nga një juri e përbërë nga Luigi Tangalleri në piano, Claudio Piastra në kitarë dhe Piero Vincenti në klarinetë. Në koncertin final të festivalit Tirana Music Festival 2009 në Akademinë e Arteve interpretuan pjesëmarrësit më të mirë të master-klasave si: Era Çaushi, Ledian Semini, Fjorda Veizaj, Alfred Bushi, Iona Karasani, Klaudia Mehilli, Ali Nerjaku, Edison Zurbo, etj, që luajtën në piano, kitarë dhe klarinetë pjesë nga Brahms, Chopin, Mozart, Milde, Mendelssohn, Albeniz dhe Turina. Gjatë ditëve të zhvillimit të tij, studentët e Akademisë së Arteve dhe Liceut Artistik Jordan Misja u bënë pjesë e festivalit në koncertet që nisën në datën 24 prill në TKOB, në 26 dhe 27 prill në sallën Çesk Zadeja, për të përfunduar mbrëmë në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.