Në sytë e Mona Lizës ka numra dhe shkronja

Mona Liza, vepra e famshme e Leonardo Da Vinçit, rikthehet edhe njëherë në qendër të vëmendjes. Ekspertët, me ndihmën e teknikës së zmadhimit në bebëzat e syrit të Mona Lizës, kanë zbuluar se brenda tyre ka shkronja dhe numra. Sipas tyre, numrat dhe shkronjat që mezi shihen paraqesin
Kodin e vërtetë të Da Vinçit, shkruan “Daily Mail”. Po nga ana tjetër ky zbulim bie ndesh me përmbajtjen e librit të Dan Brown, në të cilin thuhet se piktura e Mona Lizës përmban kode sekrete për Gralin e Shenjtë.
“Simbolet është e pamundur të shihen me syrin e lirë, por nëse zmadhohet shihet qartë. Në syrin e djathtë duket se është shkruar shkronja L dhe V e cila mund të paraqesë inicialet e artistit, derisa në syrin e majtë po ashtu gjenden simbole të cilat ende nuk janë deshifruar.
Me sa duket ato janë shkronjat C dhe E, dhe mund të jetë edhe shkronja B. Në prapavijë mund të shihet numri 72 i cili mund të gjykohet edhe si shkronja L ose numri 2.
Duhet pasur parasysh se piktura është e vjetër gati 500 vjet dhe më nuk është aq e pastër sikur kur është pikturuar. Analizat preliminare dëshmojnë se simbolet nuk janë vendosur gabimisht dhe se artisti i ka pikturuar qëllimisht”, tha Silvano Vicenti, president i Komitetit Nacional Për Trashëgimi Kulturore, ekspertët e të cilit zbuluan simbolet.
Ekspertët po ashtu dëshirojnë të analizojnë edhe kafkën e Da Vinçit për të vërtetuar nëse Mona Liza, e cila është në pronësinë e qeverisë franceze dhe e cila gjendet e ekspozuar në Muzeun e Louvrit, në të vërtetë paraqet autoportretin e feminizuar të vetë artistit.