E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në thumb të rusëve

Kandidatura e Behgjet Pacollit për President të Kosovës ka zgjuar interesimin e medieve ruse. Ato kanë rikujtuar historitë që lidhen me renovimin e Kremlinit, duke thënë se Pacolli ka marrë punë atje përmes ryshfetit. Po ashtu emri i Pacollit përmendet edhe si lobues kundër interesave ruse. Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 10:55

Behgjet Pacolli është kthyer në mediet ruse. Emrin e liderit të AKR’së, i cili aktualisht është kandidati i vetëm për President të Kosovës, ato e kanë ndërlidhur me aferën e njohur “Kremlingate”, në të cilën është përfshirë edhe kabineti i Presidentit të Rusisë, Boris Yeltsin.

E përditshmja moskovite Kommersant ka shkruar se Pacolli ka qenë në qendër të aferave korruptive të afërta me Presidentin Boris Yeltsin.
Mediet kanë rikujtuar se lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR) ka qenë në Rusi në fillim të viteve 90’të, kur kompania e tij Mabetex Group me seli në Zvicër ka kryer projekt në Yakutia.

Kommersant ka shkruar se Pacolli supozohet që në këtë rajon ka takuar Guvernatorin e Yakutisë, Pavel Borodin, i cili ka qenë udhëheqës Departamentit të Menaxhimit të pronës në Presidencën ruse më 1993.

Po ashtu thuhet se së shpejti firma e Pacollit është ftuar për të rikonstruktuar Kremlinin, rezidencën presidenciale Shuyskaya Chupa, Zyrat e Qeverisë, Zyrat e Dumës Shtetërore, Këshillin Federativ dhe shumë projekte tjera.

Një media tjetër Komsomolets ka raportuar se “Behgjet Pacolli skandaloz, restauruesi i Kremlinit, do të udhëheqë Kosovën”, derisa TV RBC thekson se Pacolli është ftuar për të rikonstruktuar ndërtesat shtetërore ruse duke iu falënderuar miqësisë me Borodinin.

Kommersant shkruan se Pacolli është bërë figurë qendrore e skandalit korruptiv të afërt me Yeltsinin dhe se disa zyrtarë ishin dyshuar për marrje ryshfeti në shkëmbim të punës për rikonstruktimin e Kremlinit.

Zyrat e Mabetexit në Lugano ishin bastisur në janar të vitit 1999 me kërkesë të Rusisë, derisa Pacolli ishte marrë në pyetje nga prokurorja e atëhershme shtetërore e Zvicrës, Carla del Ponte.

Sipas kësaj gazete, autoritetet zvicerane në qershor të vitit 2000 e kanë akuzuar atë për shpëlarje parash dhe për dhënie ryshfeti me vlerë prej 4 milionë dollarësh.
Hetimet rreth rastit janë ndërprerë në dhjetor të vitit 2000, derisa Zvicra ka mbyllur rastin në mars të vitit 2002.

Kommersant po ashtu shkruan se një konflikt personal në ndërkohë është shfaqur mes Pacollit dhe prokurorit shtetëror rus, Yuri Skuratov, i cili ka filluar hetimet kundër Mabetex’it dhe për pasojë ishte liruar nga detyra.

Sipas kësaj të përditshmeje, nëse Pacolli bëhet President i Kosovës, ai do të hyjë në “politikën e lartë”dhe në këtë mënyrë do ta arrijë qëllimin e tij.

Gazeta ruse ka shkruar se Pacolli në mënyrë aktive ka lobuar për pavarësinë e Kosovës që nga viti 2005 dhe se “për të do të jetë shumë e lehtë të vazhdojë lobimin nëse bëhet president”

Sipas një radioje ruse, Pacolli është “thjesht një engjëll” në krahasim me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Një president i tillë mund të flasë me Brukselin, Washingtonin dhe Beogradin e madje jodomosdoshmërisht edhe me Moskën, nëse ka fat”, ka njoftuar radioja.

Anna Filimonova nga Akademia Ruse e Shkencave, Qendra për Studimin e Krizës Aktuale në Ballkan, ka thënë se Pacolli po ashtu ka lobuar edhe për tubacionin e gazit Nabucco dhe tubacionin e gazit Iran-Turqi, Greqi, Kosovë.

Sipas saj, kjo është fundamentalist e kundërt me interesat ruse në Ballkan, veçmas kur është fjala për rikonstruktimin e tubacionit rival të gazit Krahu Jugor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›