E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Miqësia SHBA-Kosovë do forcohet

Nga Express më 18 shkurt 2011 në ora 11:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka uruar popullin e Kosovës për trevjetorin e pavarësisë së vendit, duke shprehur besimin për vazhdimësinë e miqësisë në mes dy vendeve.

Në një urim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Obama thotë se pas betejës për pavarësi, tani është koha të shikohet drejt të ardhmes më të mirë.

“I bashkohem të gjithë amerikanëve duke ju shprehur urimet më të mira të gjithë atyre që po festojnë Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Është kjo një kohë për të reflektuar për betejën e gjatë të Kosovës për pavarësi dhe për të shikuar drejt një të ardhme më të sigurt dhe më të begatshme për të gjithë qytetarët e Kosovës,” thotë në deklaratën e tij presidenti Obama.

Më tutje, presidenti amerikan në këtë deklaratë ju drejtohet edhe qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Amerikë, duke ju thënë atyre që të krenohen me Kosovën.

“Në Amerikë, ata që kanë lidhje familjare në Kosovë, mund të jenë krenarë me përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë vendi në tri vjetët e para të pavarësisë. Kam besim se miqësia në mes vendeve tona do të vazhdojë të rritet gjatë viteve të ardhshme,” thuhet në deklaratë-urimin e presidentit amerikan, Barack Obama në tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›