Në treg autobiografia e autorizuar e Steve Jobsit

Sot në Shtetet e Bashkuara del në shitje biografia e Steve Jobsit, një libër voluminoz prej më tepër se 400 faqesh. Autori i Biografisë, Walter Isaacson e përshkruan Steve Jobsin, si një njeri me karakter të komplikuar dhe me një personalitet tepër të veçantë: njeri shumë simpatik, besnik, ngulmues dhe autori tregon se si ky karakter i Jobsit ndikoi drejtpërdrejt në krijimin një prej zbulimeve më të mëdha teknologjike të kohës sonë, produktet Apple.
Libri flet në hollësi për rritjen, rënien dhe përsëri ngritjen e kompanisë Apple dhe njëkohësisht për përplasje brutale, miqësi dhe karriera të shkatërruara në përpjekjet për afirmimin e njërës prej kompanive më të fuqishme dhe më fitimprurëse në botë.
Autori thotë se produktet, krijim i fantazisë së jashtëzakonshme të Steve Jobsit janë të thjeshta dhe elegante në dukje, por në thelb ato janë një gërshetim i poezisë me inxhinierinë, artit dhe krijimtarisë, të gjitha së bashku.
Autori i Biografisë së Steve Jobsit, Walter Isaacson, gjithashtu autor i një numri biografish të suksesshme, është Drejtor i Bordit Ekzekutiv të Transmetimeve Publike, pjesë e së cilës është edhe Zëri i Amerikës. /voa/