Në udhëkryqin e trafikut të drogës

Bazuar në vendosjen e vet, mbërthyer midis Evropës, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme, Turqia vepron si një rrugë transite qendrore për trafikun e drogës nga Irani dhe Afganistani në vendet evropiane.
Rreth 80 për qind e heroinës së prodhuar nga lulëkuqet afgane rrjedh nëpërmjet Turqisë dhe Ballkanit në rrugën e vet për në Evropën Perëndimore. OKB e quan këtë "Rruga ballkanike".
"Rruga ballkanike mbetet një korridor kryesor për trafikun e heroinës për në vendet evropiane", tha Hamid Ghodse, president i Bordit të Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të OKB-së.
Ghodse thotë se ka një "diversitet në rritje në metodat dhe rrugët e përdorura për trafikimin e heroinës në Evropë".
Turqia është prekur nga tri rrugë kryesore të trafikimit të heroinës: rruga e Ballkanit të Jugut, rruga e Ballkanit të Veriut dhe rruga Lindore Mesdhetare.
Në vitin 2010, Ghodse thotë se sasitë e heroinës së kapur në Evropë trafikuar përgjatë rrugës së Ballkanit të Veriut, nëpërmjet Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Austrisë, patën rënë krahasuar me atë të rrugës së Ballkanit të Jugut për në Itali, nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë apo Maqedonisë.
Shumica e gjerë e drogës që kalon kufirin turk është e destinuar për transit jashtë vendit.
Në Ankara, zyrtarët thonë se përpjekjet e tyre kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare kundër trafikut të drogës janë efektive, edhe më të suksesshme se sa ato të vendeve të BE-së.
Behsat Ekici, shefi i policisë në departamentin e anti-kontrabandës dhe krimit të organizuar në policinë kombëtare turke, tha se ata kanë nisur një total prej 140 operacionesh ndërkombëtare të shkallës së madhe brenda pesë viteve të fundit, të cilat "kanë luajtur një rol kyç në shkatërrimin e rrjeteve ndërkombëtare të drogës".
"Angazhimi i Turqisë në luftën kundër drogës vazhdon", thotë ai, duke shtuar se në disa vitet e fundit Turqia vetëm ka kapur më shumë se dyfishin e sasisë së heroinës, se sa 27 vendet e BE-së së bashku.
Në vitin 2010, shton ai, 81,200 operacione droge u kryen nga agjencitë turke të zbatimit të ligjit anembanë vendit, që përfunduan në arrestimin e 125 mijë individëve për përfshirje në krimet e drogë, me ç’rast u konfiskuan 12.960 kg heroinë.
Ekici thekson se kjo është "një sasi shumë më e lartë" se sa në vendet fqinjë të tilla si Greqia dhe Bullgaria, që konfiskuan 520 kg respektivisht 365 kg heroinë gjatë të njëjtës periudhë. "Rreziku për kontrabandistët që vjen nga operacionet e Turqisë ka shpënë në përdorim më të pakët të Rrugës Ballkanike nga trafikantët," shtoi ai.
Megjithatë, disa analistë rajonalë, si Ioanis Mikaletos, një studiues në Fondacionin e Rrjetit të Sigurisë Botërore me bazë në Athinë, thotë se bashkëpunimi anti-narkotik midis Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë nuk është ideal.
Trafikimi i drogës duhet të pengohet globalisht, "sepse nuk është vetëm problem i Turqisë apo Greqisë, por përfshin gjithashtu vende të tjera të tilla si Afganistani, Irani dhe Evropa Perëndimore", theksoi Mikaletos.
Grupet e organizuara me bazë etnike dhe rrjetet e diasporës besohet të ndihmojnë lëvizjen e drogës përgjatë rrugës për në destinacionin e saj.
I ashtuquajturi "krimi i organizuar shqiptar" është bërë vendosmërisht një shpërndarës i madh i heroinës në Ballkan dhe BE.
"Prania e rrjeteve të tjera kriminale të tilla si ndragheta italiane, klanet e Malit të Zi, personave të rëndësishëm turq të drogës, qelizave kriminale ruse dhe kaukaziane dhe grupeve narkotike serbe, nuk duhet të shpërfillet," thotë Mikelatos.
Nga ana tjetër, popullsia kurde në zonën tre-kufitare të Turqisë, Irakut e Iranit, ndihmon kontrabandën e narkotikëve. Irani dhe Turqia kanë një regjim pa viza dhe kontrollet kufitare përgjatë kufirit janë të dobëta.
Duke u kthyer në Ballkan, korrupsioni i përhapur gjerësisht i sektorit publik është gjithashtu një çështje e madhe për trafikun e drogës.
"Vendet e Ballkanit kanë edhe më shumë grupe të forta e të organizuara kriminale, të përqendruara dhe që veprojnë në të njëjtin rajon," thotë Mikaletos.
"Rrjetet e organizuara të prostitucionit në Ballkan janë drejtpërsëdrejti të lidhura me narkotikët, pasi hetimet policore në disa vende kanë zbuluar gjatë viteve se trafikantët e drogës së pari sigurojnë kapital nga prostitucioni ilegal, përpara se të kuturisin në tregtinë e narkotikëve, që është edhe më me përfitim", tha ai.
Mikelatos thotë se vëmendje e posaçme duhet t'i kushtohet bashkëpunimit midis forcave të sigurimit dhe policisë në rajon kundër larjes së parave. Mbi të gjitha, shton ai, duhet vullnet politik për të zbatuar një politikë rajonale anti-narkotike.
Mateo Albertini, një studiues në Balkanalysis.com, është i shqetësuar se disa grupe mafioze lokale, të tilla si grupet italiane, po gjejnë aleatë të rinj në vendet e Ballkanit, që mund të lëvizin drogën nga Lindja e Mesme dhe Turqia për në BE.
Megjithatë, analisti beson se hyrja e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen do të detyrojë kontrollin e brigjeve të Detit të Zi, një pikë hyrjeje tradicionale për kontrabandistët e drogës në gadishullin e Ballkanit.
Hajrudin Somun, ish-ambasador i Bosnjës në Turqi, thekson se kontrabandistët e drogës e gjejnë më të lehtë të operojnë në vende që janë politikisht të paqëndrueshme, të tilla si Bosnja dhe Kosova, apo që janë të dobëta në luftën kundër krimit të organizuar, si Bullgaria dhe Rumania.
"Ka disa veprime të përbashkëta të policive të vendeve rajonale kundër tregtisë së drogës dhe trafikimit, por më shumë vullnet politik duhet për të lidhur këto veprimtari në një zinxhir të organizuar bashkëpunimi", tha Somun.
Somun thotë se Rusia ka treguar një interes të posaçëm në bashkëpunimin me vendet e Ballkanit për të prerë rrugët e drogës, veçanërisht që shkojnë nëpër Kosovë.
Ndërkohë, sipas studimit të policisë turke, trafikantët e drogës kanë nisur të përdorin disa nga alternativat e rrugëve për në Evropë, të tilla si nga Irani dhe Pakistani për në Britani. Ekinci thotë se Turqia ka nisur disa operacione të përbashkëta me qeverinë britanike kundër tyre.
(SETimes)