E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Greqi, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano është takuar sot pasdite me kryetarin e PASOK-ut, George Papandreu. Në fil

Në vazhdim të vizitës zyrtare në Greqi, Kryeministri dhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano është takuar sot pasdite me kryetarin e PASOK-ut, George Papandreu.

Në fillim të takimit, Kryeministri Nano i ka përcjellë zotit Papandreu urimet për detyrën e re në krye të PASOK dhe zgjedhjen e tij President i Internacionales Socialiste për Europën Juglindore.

Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin mendim se PASOK edhe në të ardhmen në opozitë do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe në mbështetje të hapave që Shqipëria ka ndërmarrë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Zoti Nano ka theksuar vullnetin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të forcuar bashkëpunimin me simotrën greke PASOK. "PSSH, - tha zoti Nano, -është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin dhe të ngrejë marrëdhëniet në një nivel më të lartë nëpërmjet shtimit të kontakteve me interes partiak dhe shkëmbimit të vizitave reciproke".

Dy personalitetet janë shprehur se Komiteti i Internacionales Socialiste për Europën Juglindore është një mundësi e mirë për të identifikuar fushat e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy partive.

Kryeministri Nano ka falenderuar zotin Papandreu për mbështetjen e qeverisë greke të PASOK në të kaluarën në drejtim të objektivave dhe prioriteteve të qeverisë shqiptare. Ata kanë shprehur vullnetin se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në këtë drejtim.

Gjithashtu, zoti Nano ka shprehur bindjen se PASOK si një parti e rëndësishme opozitare dhe partia e dytë më e madhe parlamentare në Greqi do të vazhdojë në të ardhmen të kontribuojë pozitivisht edhe në drejtim të integrimit sa më të mirë të emigrantëve shqiptare në shoqërinë greke.

Bashkëbiseduesit kanë shprehur, gjithashtu, vullnetin për të shtuar bashkëpunimin dhe kontributin edhe në kuadër të zhvillimeve dhe proceseve integruese rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›