E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në mesditë me Presidentin e Republikës së Greqisë, Z.Kostandinos Stefanopulos. Në këtë takim, dy personalitetet e larta janë ndalur në çështj

Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në mesditë me Presidentin e Republikës së Greqisë, Z.Kostandinos Stefanopulos.

Në këtë takim, dy personalitetet e larta janë ndalur në çështjen e marrëdhënieve politike midis dy vendeve. Presidenti Stefanopulos ka shprehur kënaqësinë dhe besimin se vizita e Kryeministrit Fatos Nano do t'i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë në të gjitha fushat. Në këtë drejtim, është vlerësuar niveli shumë i mirë i marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe intesifikimi i tyre.

Kryeministri Nano theksoi se marrëdhëniet me Greqinë shihen si marrëdhënie të një rëndësie strategjike për vendin tonë. Z.Nano ka vënë në dukje në këtë takim vullnetin dhe angazhimin e plotë të shtetit shqiptar për të bashkëpunuar ngushtë me Greqinë, me qëllim që këto marrëdhënie të përparojnë më tej në interes të të dy vendeve, popujve tanë, të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.

Në këtë kuadër, Kryeministri Nano i ka përcjellë Presidentit grek Stefanopulos përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Më tej, në takim, Z.Nano dhe Z.Stefanopulos kanë biseduar edhe për mbështetjen greke në drejtim të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Z.Stefanopulos tha se Greqia ka vullnetin e plotë që të mbështesë Shqipërinë në drejtim të objektivit kryesor të saj, që është integrimi në struktrat euro-atlantike. Unë theksoj me bindje, tha ai, se Greqia në të ardhmen do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit në këto struktura dhe vlerësojmë se kjo do t'i shërbejë edhe më mirë stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë.

Më tej, të dy autoritetet janë ndalur në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku është shprehur vullneti për çuarjen përpara të këtij bashkëpunimi. Kryeministri Nano tha se Greqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në fushën ekonomike. Legjislacioni shqiptar, tha Kryeministri Nano, tashmë krijon të gjitha kushtet dhe klimën e përshtatshme për investimet e huaja në vendin tonë.

Një çështje shumë e rëndësishme që u diskutua në takimin me Presidentin Stefanopulos, ishte edhe çështja e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kryeministri Nano ka vlerësuar rolin konstruktiv të Presidentit Stefanopulos në këtë drejtim dhe ka shprehur, si dhe në takimet me të gjithë autoritetet greke, gjatë këtyre ditëve, konsideratën se do të mirëpresim dhe hapa të tjerë dhe vendime të reja të shtetit grek që do të ndikonin në integrimin civil, kulturor dhe social të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Presidenti Stefanopulos e ka siguruar Kryeministrin Nano se do të mbështesë çdo inisiativë në këtë drejtim.

Gjithashtu, Kryeministri Nano u shpreh se është e rëndësishme që të çohet më tej politika e shtetit grek në drejtim të legalizimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Duke u ndalur në zhvillimin e Lojërave Olimpike të 2004-s, Kryeministri Nano i ka shprehur Presidentit grek urimet më të mira për zhvillimin e Olimpiadës së Athinës, i cili konsiderohet një aktivitet shumë i rëndësishëm jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë rajonin. Në këtë drejtim, Kryeministri Fatos Nano ka shprehur vullnetin e qeverisë shqiptare për mbështetjen e saj dhe bashkëpunimin me Greqinë, si në kuadrin dypalësh dhe në atë rajonal për sigurinë e këtij aktiviteti.

Në këtë kuadër, tha Kryeministri Nano, qeveria shqiptare dhe strukturat përkatëse kanë marrë të gjitha masat për të krijuar një klimë sigurie për zhvillimin e këtyre lojërave.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›