E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Miratimi i kuadrit ligjor të funksionimit të shërbimit veterina

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Namik Dokle, u zhvillua sot mbledhja e rradhës e Këshillit të Ministrave, me tematikë "Miratimi i kuadrit ligjor të funksionimit të shërbimit veterinar, miratimi i strategjisë kombëtare për luftën kundër drogës, dhënia e ndihmës financiare disa njësive të qeverisjes vendore, për përmirësimin e infrastrukturës dhe miratimin në parim të disa akteve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së përbashkët dhe anëtarësimit në NATO".

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin Për dhënie fondi ndihme disa njësive të qeverisjes vendore për përmirësimin e infrastruturës.

Fondi prej 12 000 000 (12 milionë) lekë do t'u jepet disa Këshillave të qarqeve, komunave e bashkive, për përmirësimin e infrastruturës së dëmtuar nga rreshjet dhe për marrjen e masave mbrojtëse.

Kështu, do t'i jepen:

Këshillit të qarkut Shkodër 3 000 000 (tre milionë) lekë
Komunës Hajmel, Shkodër 3 000 000 (tre milionë) lekë
Komunës Vig-Mnel, Shkodër 4 000 000 (katër milionë) lekë
Bashkisë së Librazhdit 2 000 000 (dy milionë) lekë

Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, për vitin 2004.

U miratua Vendimi për "Dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për Projektligjin joqeveritar "Për një ndryshim në ligjin nr.8677, date 2.11.200, "Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore".

Nisur nga propozimi i një grupi deputetësh për një ndryshim në ligjin nr.8677, datë 2.11.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore", Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, meqënëse projektligji mbart efekte financiare, duke rritur shpenzimet e buxhetit të shtetit, i është drejtuar Këshillit të Ministrave për të dhënë mendim për këtë projektligj joqeveritar.

Ky mendim synon jo vetëm të rregullojë problemin e kostos financiare që mbart ky projekt, por edhe një rishikim të nismës legjislative, për të shmangur kundërshtitë me legjislacionin në fuqi, që rregullon këtë fushë.

U miratua Vendimi për "Miratimin në parim të Protokollit shtesë të marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në traktatin e Atlantikut të Veriut dhe shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe për sa i përket statusit të forcave të tyre."

Protokolli shtesë, bërë në Bruksel më 19 dhjetor 1997, i Marrëveshjes mes Shteteve Palë në Traktatin e Atlantikut Verior dhe Shteteve të tjera Pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe lidhur me statusin e forcave të tyre e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Ligjin nr.8034, datë 22.11.1995, bëhet duke patur parasysh nevojën e vendosjes dhe rregullimit të statusit të shtabeve të NATO-s dhe personelit të tyre në territorin e shteteve pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe (PfP), kjo me qëllim lehtësimin e marrëdhënieve me Forcat e Armatosura të vendeve të ndryshme anëtare të PfP si dhe sigurimin e një statusi të përshtatshëm për personelin e Forcave të Armatosura të shteteve të lidhura ose të shoqëruara me Shtabet ushtarake të NATO-s.

Protokolli shtesë i "Marrëveshjes mes Shteteve Palë në Traktatin e Atlantikut Verior dhe Shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe lidhur me statusin e forcave të tyre", është i hapur për t'u nënshkruar nga çdo shtet, i cili ka nënshkruar marrëveshjen e mësipërme.

U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorive Kombëtare për kodifikimin, të Grupit të NATO-s (AC/135) "Për anëtarësimin në sistemin e kodifikimit të NATO-s (NCS)".

Marrëveshja midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorive Kombëtare për Kodifikimin të grupit të NATO-s ka për qëllim shkëmbimin e të dhënave dhe shërbimeve të kodifikimit mes dy palëve.

Përfaqsuesi i zyrës së kodifikimit në RSH do të jetë Drejtoria e Logjistikës, përmes Zyrës Kombëtare të Kodifikimit, si dhe do të jetë përgjegjëse për kërkesat dhe shërbimet lidhur me kodifikimin. Në marrëveshje është përcaktuar që politikat, procedurat dhe parimet e veprimit të kësaj zyre do të jenë në përputhje me Manualin e Kodifikimit të NATO-s.

U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes ushtarake grant, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë".

Duke riafirmuar marrëdhëniet miqësore midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë u miratua "Marrëveshja Ushtarake Grant ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Turke"

Ky grant do të sigurohet në materiale dhe shërbime dhe do të realizohet në përputhje me Protokollin e Zbatimit Logjistik.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ndihmon bashkëpunimin ushtarak dhe kontribuon në ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federative të Brazilit, për heqjen e pjesshme të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare ose të shërbimit"

Kjo marrëveshje ka për qëllim lehtësimin e qarkullimit ndërmjet dy vendeve për personat që janë mbajtës të pasaportave diplomatike, zyrtare ose të shërbimit.

Në këtë marrëveshje është parashikuar heqja e vizave nga mbajtësit e pasaportave zyrtare, kategori e cila përdoret nga pala braziliane dhe i korrespondon pasaportave të shërbimit që njihen nga legjislacioni shqiptar.

Marrëveshja parashikon që mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare ose të shërbimit kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë maksimale prej 90 ditësh pa patur nevojën për pajisjen paraprake me vizë.

Gjithashtu, parashikon që mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare ose të shërbimit të punësuar në misionet diplomatike ose konsullore dhe në organizata ndërkombëtare do të jenë të lirë të hyjnë dhe të dalin në territorin e palës tjetër pa pajisjen paraprake me viza. Ky rregull do të jetë i vlefshëm edhe për familjarët e tyre që bashkëjetojnë me ta dhe që janë mbajtës të pasaportave diplomatike, zyrtare ose të shërbimit.

U miratua vendimi "Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve të disa mjediseve, për ushtrimin e veprimtarisë së këtij komiteti".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›