Ne veri të vendit, edhe më dhunë të vendoset rendi dhe ligji i Republikës së Kosovës
Ngjarjët e fundit në lagjen “Kroi i Vitakut”, në veri të Mitrovicës, ku banorëve shqiptarë për të satën herë nuk po u lejohet kthimi në pronat e tyre, flet qartazi se ka ardhur koha që në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe më dhunë të vendoset rendi dhe ligji. Kosova u pranua si shtet në kufijt e saj administrativë, u aprovua kushtetuta e cila edhe u mirëprit nga faktori ndërkombëtar. Atëherë çfarë logjike ka që administrata e UNMIK-ut - së cilës moti i ka skaduar afati - dhe struktura evropiane e EULEX-it ta anashkalojnë statusin politik të Kosovës, duke i dalë në krah Serbisë, e cila nuk ka hequr dorë nga grabitja e territoreve shqiptare. Duhet të rishikohet edhe puna e policeve serbë të cilët po u dalin zot ekstremistëve serbë, e në anën tjetër i marrin pagat nga Qeveria e Kosovës. Banorët shqiptarë në veri të Mitrovicës po heqin të zitë e ullirit që dhjetë vjet pas përfundimit të luftës nga bandat e ndryshme serbe. Ata për shumë vjet u maltrajtuan nga bandat “Rojat e urës”, e tash se fundi edhe nga banda të tjera kriminale të cilët nuk po i lejojnë të kthehen në tokat e tyre stërgjyshore. Ne e dimë mirë kush janë serbët, por po na çudit fakti se si është e mundur që këtyre bandave - dashur ose pa te - po ju ndihmojnë në këto punë të pista edhe strukturat relevante ndërkombëtare të cilët me plot gojën janë për shtet multientik.
Shumë të keqija gjatë këtyre viteve po vijnë prej grupeve kriminale serbe, të cilat nuk janë të zhveshura prej petkut politik. Grupet kriminale serbe kanë mbështetje në strukturat shtetërore të Serbisë, sidomos kanë mbështetje të fortë të sigurimit serb. Dihet se Serbia këtu ka pasur ndikim një kohë të gjatë. Me dëbimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, natyrisht se nuk është hequr e gjithë nomenklatura e tyre nëpër enklavat serbe. Ata në momente të duhura dhe për t’i arritur objektivat politike si gjithmonë deri me sot (në shtator në GJND-së do të mbrohet legjitimiteti i shpalljës së pavarësisë së Kosovës) kërcënojnë dhe provokojnë në menyra të ndryshme duke e manifestuar edhe dhunën. Gjatë këtyre viteve pati shumë shpërthime, madje edhe viktima në njerëz nëpër qytetet e Kosovës që janë vepër e kriminelëve serbë. Të gjitha strukturat shtetërore të Serbisë nuk po pushojnë së provokuari shqiptarët me grupet e ndryshme paramilitare si në kohën e Millosheviqit. Këto provokime të pareshtura serbe si të Kroi i Vitakut janë provokime të rrezikshme për paqen në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi. Strukturat ilegale paralele serbe dhe veriu i Mitrovicës kështu i ndarë paraqesin burim të përhershem për destabilizimin e vendit. Ky agresion i Serbisë në shumë drejtime po zhvillohet kur nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të vjeshtës. Këto provokime serbe të sinkronizuara mirë me njëra- tjetrën karshi Kosovës, sigurisht se janë të nxitura edhe nga deklarata e fundit e kryeministrit rus Vladimir Putin, i cili tha: “Rasti i Kosovës është pikërisht precedent, duke e krahasuar atë sërish më Abhazinë dhe Osetinë Jugore” - ku siç dihet, Rusia mbi një vend sovran si Gjeorgjia pat bërë invazion ushtarak. Deklarata më e re e Putinit, është qendrim shumë i paqendrueshem, kur dihet se Kosova është rast unik siç e thanë këtë gjë shpeshherë edhe burrat më të medhenj botërorë. Edhe kësaj radhe Rusia dhe Serbia edhe pse kemi hapëruar në shekullin XXI nuk i kanë hequr nga kokat e tyre planet tashmë të stërvjetëruara për ripushtimin e tokave të të tjerëve. Çdo pëllëmbë e vendit është shumë e vlefshme për shqiptarët në tokat e tyre stërgjyshore. Një investim aq kapital në Kosovë i arritur me sakrifica të mëdha shekuj me radhë dhe në luftën e fundit nuk do të lejohet të nëpërkëmbët lehtë nga vetë shqiptarët…
...