E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, lobing për Ramën, ndërsen kryeprokuroren kundër rivalëve të tij në PS

Kryetari i shtetit, Bamir Topi, ka ndërhyrë në garën për kryetar brenda PS-së, duke porositur kryeprokuroren Ina Rama të drejtojë një fushatë presioni ndaj dy rivalëve të Edvinit në PS; Ben Blushit e Arben Malajt. Ajo ka publikuar njoftimet me presione për pasurinë e dy rivalëve, ndërkohë që po shton presionin ligjor ndaj tyre, në mënyrë që të lehtësojë situatën e Edvinit në kongresin e sotëm socialist, por edhe gjatë garës së muajit shtator

Tashmë s’ka kohë për të pritur dhe në kohën kur laku rreth qafës së Edvinit është shtrënguar shumë, thirren të gjithë miqtë (sponsorët e mecenët), ku janë e ku s’janë për të nxjerrë nga situata axhamiun në krye të PS-së, i cili është ndjerë keq. E meqenëse po flasim për situata që nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse të dekonspirojnë edhe mbështetjet finale – zakonisht ato që pluskojnë, por nuk do të dëshironin që të dukeshin – dje ka qenë radha e Bamir Topit, presidentit të republikës, që të kryejë pjesën e vet të “betejës”. Edhe më herët presidenti qe përzier në punë politike e gjithmonë duke (keq)përdorur zyrën e prokurores së përgjithshme si dhe struktura të tjera të sistemit të drejtësisë, por në përgjithësi përdorimi qe orientuar veç kundër kryeministrit dhe strukturave që i bënin hije pushtetit të tij okult. Dje ka qenë radha e një rreshtimi të drejtpërdrejtë, teksa është detyruar të japë mesazhe të qarta, se s’ka për të lejuar një betejë të mirëfilltë në radhët e partisë më të madhe ne opozitë, e nëse do të verifikohej kjo betejë, ai s’do të ngurronte të rreshtohej hapur në krah të kryetarit mandatprerë.

Edvini, në panik e sipër, megjithë të fortët që ka planifikuar të rreshtojë tek dera e sallës ku mbahet kongresi i Partisë Socialiste (i jashtëzakonshëm thuhet), nuk ndihet i sigurtë, prandaj edhe ka kërkuar garanci “institucionale” për rizgjedhjen e tij. Të tilla “tapi” i jep vetëm kryetari i shtetit, prandaj dje, me publikimin e gënjeshtërt të deklaratave të pasurisë për dy prej rivalëve kryesorë të Edvinit në kongresin e sotëm, është regjistruar faza e parë e një keqpërdorimi që shumë shpejt, paralelisht me zhvillimin e garës për kryetar brenda PS-së, pritet të mbërrijë tek zyra e prokurores së përgjithshme. Ina Rama, një “luajaliste” e tepruar dhe e pashkak e kryetarit të shtetit, pritet të nisë hetime për pasurinë e dy Benëve (Blushi e Malaj), sapo ata të kenë marrë mandatin e deputetit në legjislaturën e re, nëse do të këmbëngulin të vijojnë një garë të barabartë e të pakompromis ndaj Edvinit, të përzgjedhurit të nomenklaturës enveriste e ramiziste për të trashëguar çka mbetur nga gërmadha e partisë së ish-komunistëve. 

Lobingu i Bamir Topit është i qartë dhe ndërhyrja e tij në politikë paraqitet mëse flagrante. Ai po ndërsen prokuroren e përgjithshme kundër rivalëve të Edvinit në PS me synim për të shkurajuar garën në fazën e parë, por edhe për ta trukuar atë, në një fazë të mëtejshme, nëse do të jetë e nevojshme. Ben Blushi nuk ka shkuar shumë larg e ka kuptuar se fusha është fort e korruptuar për një garë boksi me 15 raunde, ndërkohë që me malinjitetet e një dite më parë në gazetën e Kokëdhimës, njeriut që ka deklaruar se e ka vëlla për kokë Edvinin, edhe Arben Malaj ka rrezik që të shpallë sot në kongres pamundësinë për të vijuar garën e kryetarllëkut. 

Në këtë moment çdo gjë do të qetësohej e do të endeshim në kufijtë e fasadës, por presioni i djeshëm i Ina Ramës, me lobingun e qartë të presidentit Bamir Topi është një gjë për t’u mbajtur shënim, por së pari është një sinjal se as presidenti e as prokurori i përgjithshëm (prokurorja domethënë) s’kanë ndërmend të merren me detyrimet kushtetuese e ligjore, por veç me nevojat fizike e biologjike të Edi Ramës. Është një pozicion thellësisht antiligjor, ndaj të cilit s’mund të heshtet, edhe në mendofshim se Edvini mund ta kishte të fituar davanë, pa i futur sejmenët e vet institucionalë në të disatën gjendje të pështirë publike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›