E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu që jetoi një jetë me lirinë

Në kujtim të publicistit e Mjeshtrit të Merituar të Sportit Bujar Orizaj

Kur Bujar Orizaj, Mjeshtri i Merituar i Sportit dhe një nga bashkëpunëtorët e shumë e shumë viteve të gazetës “55” - gati që nga fillimi i botimit të saj - ishte vetëm në moshën 5 vjeç, babain e tij, mjekun e shquar Emin Orizaj, i diplomuar në Itali, do ta vrisnin pa gjyq dhe vetëm më 1993 pas mëse 60 vitesh eshtrat e tij tashmë gati të hirëzuara do të vendoseshin në Varrezat e Dëshmorëve të Elbasanit. Emin Orizaj kishte mbetur një rreze e bukur dhe e dritëzuar e lirisë së munguar dhe Bujar Orizaj apo edhe vëllai i tij Luçi do të rriteshin, do të thinjeshin apo edhe do të ndaheshin nga jeta jo vetëm me pengun e kujtimit pa baba, por edhe me atë hije të rëndë të komunizmit që i ndoqi pas në të gjithë vitet. Një hije që u kthye në ditët e vitet e demokracisë në një kohë kur kishin humbur shumë e shumë energji fizike e shpirtërore. 

Tashmë liria kishte ardhur në jetën e tyre, po kujtimi i babai të tyre do të mbetej i gjallë. Ai do të rreshtohej si një udhëheqës ushtarak i vërtetë në rezistencën që iu bë fashistëve italianë në Durrës më 7 prill 1939. Më 1943 ai u rreshtua në Çetën e Dumresë dhe pas pak ai do të vritej pa gjyq nga komunistët pranë Llixhave të Elbasanit. Si për rastësi të bukur, të dy djemtë do të merrnin bashkë me atë frymë të dukshme të lirisë edhe disa tipare të kakaterit të tij. Luçi do të merrte tiparet fisnike të fizikut, ndërsa Bujari do të merrte atë temperament që doktor Emin Orizaj e shfaqte në mjaft mjedise shoqërore dhe intelektuale të kohës kur ai jetoi dhe punoi.

Do të ishte pikërisht ai nen famëkeq “55” që do të godiste pa mëshirë të gjithë atdhetarët e vërtetë, që e detyroi Bujar Orizajn të bashkëpunonte kaq rregullisht me gazetën “55” për shumë kohë. Në faqet e saj ai do të shpaloste me dhjetëra e qindra shkrime, për shumë vite, me atë ideal të lartë të antikomunizmit, atë ideal të pranguar të babait të tij, por edhe të nënës së tij, që ishte nga familja e nderuar e atyre që kishin ngritur Sahatin e Tiranës e ishin në njëfarë mënyre edhe themeluesit e kryeqytetit shqiptar. Ishin shkrime që mezi priteshin nga lexues të shumtë jo vetëm në Berat ku ai jetonte me familjen e tij të nderuar, me vajzat e mira Rudina e Desareta, me djalin Pleurat, por edhe në qytete të tjera si në Elbasan, në Tiranë, etj.

Këto ditë që ai u nda nga jeta, të gjithë miqtë e tij, të gjithë sportistët e disa brezave që e quanin gjithmonë “profesor” e kujtojnë me shumë respekt atë që ai bëri për Beratin. Që në vitet 60 ai do të bëhej një nga nismëtarët e parë për ngritjen e ekipit të boksit në qytet. Edhe pse kishte mbaruar shkollën Normale, ai në shumë fshatra ku do të shërbente si mësues, do të ushtronte profesionin e mësuesit të fiskulturës, duke përgatitur talente të vërteta në shumë sporte. Titulli më i lartë që ai mori në vitet e demokracisë si “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe pak më vonë “Trajneri më i mirë” ishin shpërblimi më i mirë moral për atë rrugë plot sakrifica që ai bëri në jetën e tij. Akoma e kam edhe sot në sy atë njeri të mirë dhe shumë energjik në një nga ato ndërtesa të mbetura pa punë në vitet e para, që e përshtati për një palestër të sportit të boksit, duke u rreshtuar kështu në radhën e Mjeshtërve më të mirë në shkallë kombi edhe me ekipin kombëtar të këtij sporti. Për këtë do të shkruanin në librat e tyre specialistët e njohur të këtij sporti Ramiz Reka dhe Etem Ibrahimi 

Duke biseduar me Edmond Fishtën për portretin e tij mësojmë se Mjeshtri i Mjeshtërve  Bujar Orizaj, në të tërë jetën e tij mbeti si një misionar i përjetshëm i humanizmit dhe i lirisë. Ai është krenar se ka mësuar nga Bujari shumë e shumë të vërteta të jetës që nuk mund t’i mësonte në mënyra të tjera, nga njerëz të ndryshëm. Ai thotë se ka marrë nga ai jo vetëm kulturën e punës, por edhe mënyrën se si duhet që t’i shikonte njerëzit e thjeshtë, se si të komunikonte me ata. Madje ai na tregon edhe një detaj shumë e shumë domethënës. Në ato pak momente të qeta që kishte nga ajo sëmundje e rënduar e zemrës  aty, në spitalin e Beratit, kishte marrë fletët e kardiogramës dhe në pjesën e saj të prapme kishte bërë një lloj projekti, kishte shkruar disa mendime se si duhej të bëhej shërbimi në spital, qoftë për ata që kishin mundësi ekonomike, qoftë edhe për njerëzit e fshatrave të largët që nuk mund ta përballonin dot nga ana financiare shërbimin në spital.

Sinqeriteti dhe humanizmi, respekti që ai kishte për njerëzit e punës dhe njerëzit e ditur bënin që ai të kishte shumë miq të mirë. Në të gjithë vitet e qëndrimit në Berat, ai kishte shokë shumë më të ditur dhe personalitete të vërteta në mbarë qytetin e Beratit e në mbarë kombin. Sa e sa herë kujtonte miqësinë me Viktor Stratobërdhën, regjisorin e filmit “Skënderbeu”, që u dënua nga shteti komunist. Kujtonte me shumë mall dhe dhimbje Mësuesin e Popullit Vexhi Buharanë, nga i cili mësoi shumë aftësi të rrëfimit të tij. Dhe stilin e shkrimeve të ndryshme. Shumë aftësi të shkrimit publicistik që ai do të përdorte në qindra e qindra shkrime të botuara në shtypin e kohës, përgjithësisht në gazetën “55”. Me këtë rast kujtoj edhe atë bashkëpunim që patëm për shumë vite së bashku, kur ai botonte shkrime shumë të goditura, të qarta në pozicionin e tyre kombëtar në gazeten lokale, ku unë kisha detyrën e kryeredaktorit. 

Po duhet kujtuar edhe miqësia që ai kishte me regjisorin Vangjush Popli për vënien në skenë të shumë skeçeve në estradën e qytetit. Po t’i shohësh me kujdes tani ato fabula qesharake që ai sajonte me artin e tij (edhe në këtë fushë ai ishte një mjeshtër i vërtetë i rrëfimit skenik) sheh se ishte një mënyrë që të goditeshin shumë pjesë të errëta të kohës që po jetonim, si paaftësinë, burokratizmin e mjaft dukuri të tjera negative.Ky kontribut përtej modestisë ka bërë që ai të rreshtohet si një nga bashkëpunëtorët më të respektuar e më prodhimtarë që sot janë në një Muze Nderi në Shtëpinë e kulturës “Margarita Tutulani” të Beratit.

Natyrisht pjesa më e madhe e aktivitetit të tij publicistik i përkiste gazetës “55” . Të gjithë miqtë e tij në Berat e kishin të sigurtë që në faqet e saj do të lexonin një shkrim të Bujarit. E pëlqenin stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe të qartë. Atë gjetje të detajit që e bënte shkrimin të lexueshëm deri në fund. Kjo i kishte rritur ndjeshëm edhe lexuesit e gazetës. Atë mori shkrimesh që sot janë në arkivin e familjes së tij dhe atë jetë të vështirë në dy breza që ai e bëri në emër të lirisë, miqtë e tij dhe familja mendojnë që së shpejti ta botojnë edhe në një përmbledhje më vete, çka do të ishte edhe një kontribut në publicistikën bashkëkohore.

Vdekja e tij pati një rastësi shumë të bukur që mund të duket edhe pak e pabesueshme. Mbase ishte Miti i Lirisë që ia solli në jetën e tij faktin që ai do të vdiste vetëm disa ditë pas votimeve të 28 Qershorit ku Partia Demokratike në Berat do të dilte me rezultate shumë të mira. Sëmundja e rëndë e kishte futur në shtëpi prej kohësh. Kishte dalë për herë të fundit vetëm kur ai kishte shkuar për herë të fundit në takimin elektoral që kandidati për deputet i PD zoti Genc Pollo kishte bërë në lagjen ku ai banonte. Më 28 Qershor në Ditën e Votimeve shumë njerëz panë në drejtim të qendrës së votimit në lagjen “Donika Kastrioti” Bujarin, shumë të rënduar nga shëndeti, të mbajtur fort nga shumë familjarë e miq të tij, duke shkuar te kutia e votimit. Jo, ai nuk donte që vota e tij të humbte në radhën e atyre qindra e mijëra simpatizantëve të PD e forcave të tjera të djathta. Të gjithë e shikonin me respekt këtë njeri që edhe në momente të rënda të shëndetit kërkonte që të përtërinte farën e lirisë së votës, të mendimit të lire, të një pushteti që do të ngrihej me drejtësinë sociale.

Në drekën e asaj dite me një buzëqeshje fitimtari i duhej që të priste urimet e ditëlindjes së tij dhe në ato pak ditë të mbetura nga jeta, gjente rastin që të shkruante kujtimet e jetës, mbresat e tij, të ringjallte kujtimin e babait të tij. Po bënte kështu një tjetër detyrë atdhetare që jo të gjithë mund ta bëjnë kaq bukur, kaq saktë, kaq me sakrificë.

Në fund të fundit me një testament të pashkruar të babait të tij, ai po jetonte edhe kështu LIRINË e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›