Në vëzhgim klinikat private

TIRANË - Për herë të parë pas 10 vjetësh, Instituti i Shëndetit Publik po mbledh të dhëna për abortin edhe në klinikat private, që ashtu sikurse dihet, është i mbuluar nga një hije e madhe dyshimi. Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se sa e lehtë është abortimi në një klinikë private, kundrejt kurrfarë dokumenti. Kjo u bë dje e ditur gjatë mbledhjes së Këshillit Rajonal të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar, ku merrte pjesë edhe ministri Nard Ndoka. Raportimi ka nisur që prej qershorit të 2007 në të gjithë maternitetet e rretheve nga specialistë të ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë, INSTAT-it, UNFPA-së dhe mjekë obstetër, përveç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe. Sipas Zyrës së Koordinimit të Projektit të Survejancës së Aborteve, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u raportuan mbi 500 aborte nga 14 klinika, 10 prej të cilave në Tiranë. Sipas MSH-së, mbledhja e informacionit mbi abortet në klinikat publike dhe private ka vijuar me trajnimin e personave përgjegjës për survejancën e aborteve në 36 rrethe, gjithmonë duke ruajtur anonimitetin. Sistemi i survejancës gjendet në fazën e dytë, ku po krijohet softueri për informacionet e ardhura nga rrethet. Tirana është përzgjedhur si rrethi pilot dhe do të kryhet instalimi i programit në të gjitha klinikat private të licencuara për abort. Sipas ISHP-së, raportimi i aborteve në rrethe gjatë periudhës qershor-tetor, ka arritur në shifrën e 57.6 për qind, ndërsa për sektorin privat në Tiranë ka një raportim në nivelin e rreth 90 për qind. Abortet e raportuara nga institucionet publike në gjysmën e parë të vitit të kaluar numërohen në 5 mijë e 92 raste, kjo sipas sektorit të statistikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Tre vite më parë, numri i ndërprerjeve të shtatzënisë ishte 1517 raste, një numër që në vitin 2005 ishte 9403 raste. Aktualisht, raporti i aborteve me lindjet është 1 me 4.
Edhe Tirana me vdekshmëri të lartë foshnjore
Vdekshmëria foshnjore është një nga problemet kryesore të sektorit të shëndetësisë. MSH-ja synon uljen e kësaj vdekshmërie në 10 vdekje për 1 mijë lindje, ndërkohë që ky tregues është 12.4 për 1 mijë lindje dhe mbulesa vaksinale kryhet mbi 98 për qind. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, të dhënat flasin për një ulje rreth 30 për qind të rasteve të vdekshmërisë foshnjore nga aparati i frymëmarrjes dhe 50 për qind nga sëmundjet diareike. “Megjithatë, vdekshmëria foshnjore mbetet akoma në shifra të larta në zona të veçanta, po të kemi parasysh se Shqipëria renditet në vendet me mortalitet të lartë në Evropë”, u shpreh Ndoka. Në zonat verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe e Mirditë, vdekshmëria foshnjore është dy herë më e lartë. Por sipas MSH-së, vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit, si Tirana dhe Elbasani.