Topi pret në Presidencë ambasadorin amerikan Uidhers dhe ambasadorin e KE-së, Lohan
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pritur dje në Presidencë negociatorët e PD-së, Astrit Patozi dhe Ilir Bano. Palët kanë diskutuar për rreth dy orë në lidhje me dekretet e presidentit për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të takimit kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Patozi, u shpreh për mediat se çështja do të zgjidhet nëpërmjet dialogut. “Takimi ishte i hapur, miqësor dhe institucional. Ne mbetemi që të gjitha problemet politike të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe shpresojmë se do të gjendet shumë shpejt një zgjidhje e pranueshme”, - është shprehur Patozi. Një deklaratë e tillë tregon qartë se palët nuk kanë gjetur ende një zgjidhje. Ajo që dihet me siguri është fakti se tashmë dekretet e presidentit nuk kthehen më mbrapsht, por do të kalojnë për votim në Kuvend, pavarësisht qëndrimit të maxhorancës. Ndërkohë që negociatat pritet të sjellin një të mesme të artë për palët, rënien dakord për disa nga emrat dhe rrëzimin e disa të tjerëve.
Vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha dënoi ashpër veprimin e presidentit Topi, i cili dekretoi anëtarët e Gjykatës së Lartë pa u konsultuar me të. Pikërisht për këtë arsye Berisha mandatoi Patozin dhe Banon që të negociojnë me Topin për emrat e anëtarëve të dekretuar prej tij. Nga ana tjetër, gjatë paradites së djeshme Topi ka pritur në Presidencë ambasadorin e SHBA-së, në Tiranë, Xhon L. Uidhers si dhe me ambasadorin e delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, me të cilin diskutoi dhe për procedurat ligjore për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se kreu i shtetit dhe ambasadori Lohan diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamje rreth situatës politike në vend, reformës në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhor, procedurave ligjore të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe ligjit të legalizimeve. Ndërsa nga ambasadori Uidhers, Topi ka marrë vlerësime për rolin moderator dhe pozitiv të tij në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese. Uidhers e ka siguruar kreun e shtetit shqiptar mbi mbështetjen e fuqishme e të palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë shqiptare, për sistemin e drejtësisë dhe institucionet e pavarura si edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO.
E. B.
6 Qershor 2008