E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, pikiatë në renditjen e FIFA-s



Humbja me Poloninë i kushtoi Shqipërisë gjashtë vende më poshtë në renditjen botërore të FIFA-s, të publikuar vetëm tri ditë para fillimit të Kampionatit Europian. Për muajin qershor 2008, përfaqësuesja jonë renditet në vendin 82, me 375 pikë (46 pikë më pak së në muajin maj) duke pasur para Omanin (81) dhe Katarin (83). Në renditjen specifike të UEFA-s, formacioni i holandezit Ari Han ndodhet në vendin e 41-të (po – 6 vende). Sipër ndesh ndodhet Gjeorgjia (40) dhe pas nesh, Islanda (42). Muaji qershor regjistron edhe renditjen më të keqe në vitin 2008. Në janar kemi qenë në vendin e 80-të, në shkurt (73), në mars (74), në prill (76) dhe në maj në vendin e 76-të. Nga kundërshtarët tanë në eliminatoret e Botërorit 2010, Portugalia ndodhet në vendin e 11-të në botë dhe të 9-in në Europë. Suedia: e 30-ta në FIFA, e 19-ta UEFA; Danimarka (33, 22); Hungaria (52, 29) dhe Malta (134, 48). Koka e serisë botërore është Argjentina, ndërsa në podium janë dhe Brazili ( i dyti) e Italia (e treta). Përfaqësuesja italiane vazhdon të jetë skuadra më e mirë në kontinent, duke e ndarë podin me Spanjën (e dyta) dhe Gjermaninë (e treta).

10 më të mirët

Në Botë
1. Argjentina
2. Brazili
3. Italia
4. Spanja
5. Gjermania
6. Çekia
7. Franca
8. Greqia
9. Anglia
10. Holanda
..............
82. Shqipëria

Në Europë
1. Italia
2. Spanja
3. Gjermania
4. Çekia
5. Franca
6. Greqia
7. Anglia
8. Holanda
9. Portugalia
10. Rumania
..............
41. Shqipëria

Larti, goditja e fundit e “demave”

Klejdi Larti është blerja më e re e Partizanit. Mbrojtësi 26-vjeçar, u aktivizua fazën e parë me Skënderbeun, ndërkohë që në pjesën e dytë të sezonit luajti për fanellën e Bilisht Sport. Larti realizoi një gol sezonin e kaluar, në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari 1-1 (java e 13-të). Kjo është blerja e gjashtë e klubit të presidentit Albert Xhani. Më parë “demat e kuq” nënshkruan me Ngjelën, Çajkun, Çipin, Shametin, Shalën. Partizani do të luajë në eliminatoret e Kupës UEFA.
VLLAZNIA -Elvis Sina vishet kuqeblu. Ish-mbrojtësi i Tiranës është blerja e dytë sezonale e Vllaznisë, pas lezhjanit Dritan Smajli. Sina, i cili ka luajtur më parë edhe me Elbasanin, u përjashtua nga bardheblutë pas finales së Kupës së Shqipërisë, së humbur pikërisht me Vllazninë. Vllaznia, pas konfirmimit të trajnerit Agim Canaj, hyn kështu fuqishëm në merkato, ku janë projektuar edhe disa blerje të tjera, pas mbërritjes së presidentit Valter Fushaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vllaznia do të luajë në Kupën UEFA.
DINAMO - Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, ende nuk ka bërë bum në merkato. Pas largimit të kroatit Dario Bodrusiç, në të njëjtën udhë është edhe sulmuesi i saj më i mirë në sezonin e kaluar, Pero Pejiç (18 gola). Lista e “dëshirave blu” është e pasur, por konkretizimet janë të pakta. Në listën e Ilir Dajës janë shtuar edhe mbrojtësi i djathtë i Tiranës, Erion Xhafa dhe mesfushori i majtë i Kastriotit, Eriol Merxha. Nga lojtarët që mbyllën edicionin e kaluar, Igli Allmuça ka marrë një oferë nga krerët e Dinamos, ndërkohë që mungon një e tillë për Eleandro Pemën e Sokol Ishkën.
TIRANA - Ervin Bulku mund të braktisë Kribvasin në Ukrainë dhe të bashkohet me ish-klubin e tij, Tiranën. Lajmi bëhet i ditur nga “Sport Ekspres”. Sipas saj, “Uku” është shumë pranë transferimit, ndërkohë që ka marrë dhe ofertën përkatëse për të luajtur në sezonin 2008-2009. Tirana, edhe pse ka zgjedhur presidentin e ri të saj (Refik Halili), ajo ende nuk ka një trajner. Lojtari i Tiranës, Erbim Fagu, mund të bëhet lojtari i tretë që Tiranës, që nënshkruan me një ekip të huaj, pas Klodian Duros (Qipro) dhe Jahmir Hykës (Gjermani). Për polivalentin 21-vjeçar interesohen Ksamaks në Zvicër (dikur ka luajtur Daniel Xhafaj me këtë ekip) dhe Thrasivoulos në Greqi, e që do të marrë pjesë në Superligën greke në edicionin e ri.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›