Në vijim të procesit të analizave sektoriale, sot u zhvillua analiza vjetore e punës në Ministrinë e Intergimit, ku ishte i pranishëm Zëvendëskryeministri Namik Dokle dhe në Ministrinë e I
Në vijim të procesit të analizave sektoriale, sot u zhvillua analiza vjetore e punës në Ministrinë e Intergimit, ku ishte i pranishëm Zëvendëskryeministri Namik Dokle dhe në Ministrinë e Industrisë dhe Energjitikës, ku ishte i pranishëm Ministri i Shtetit për Koordinimin Z. Marko Bello.
Gjatë analizës në Ministrinë e Integrimit, Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka vlerësuar se integrimi është një detyrë paresore politike e qeverisë shqiptare dhe e koalicionit të majtë të integrimit dhe jo një terminologji propagandistike e mbarsur në një emër të ri. Zoti Dokle u shpreh se "integrimi i Shqipërisë në BE nuk është monopol i qeverisë por i të gjithë faktorëve politikë, socialë dhe kulturorë shqiptar".
Ministrja e Integrimi Europian Meksi pasi ka vlerësuar krijimin së fundmi të këtij institucioni ka analizuar ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, detyrat dhe angazhimet për vitin 2004 në prani të grupit negociator, përfaqësuesve të ministrive të ndryshme të lidhura në mënyrë të drejtperdrejtë me procesin, si dhe të kryetarëve të Komisioneve parlamentare të Ekonomisë dhe Punëve të Jashtme. Ishin gjithashtu të ftuar nga shoqëria civile dhe analistë të ndryshëm. Në vijim të analizës, duke iu referuar rezultateve të arritura deri tani në 7 raundet e negociatave ndër të cilat 3 politike dhe 4 teknike mes Shqiperisë dhe BE, ministrja Meksi vlerësoi punën e bërë deri tani nga të gjithë strukturat e Qeverisë, duke veçuar sidomos kontributin e Grupit Negociator Shqiptar dhe të stafit të Deparatamentit të Integrimit i cili ka realizuar me sukses koordinimin e gjithë institucioneve qëndrore duke iu përshtatur standarteve të negociatorëve të BE.
Në fillim të takimit, Ministri i Industrisë dhe Energjitikës Viktor Doda ka bërë prezent arritjet për vitin 2003 dhe objektivat për vitin 2004 në sektorin e Industrisë dhe Energjtikës.
Z.Doda vuri në dukje se progresi dhe rritja për vitin 2003 në Sektorin Elektroenergjetik ka qene i dukshëm. "Si rezultat i një menaxhimi më të kujdesshëm të të gjithë burimeve, - ka theksuar ministri Doda, - u arrit një situate më e mirë hidroenergjetike dhe u bë e mundur që të kemi një prodhim të energjisë elektrike prej rreth 4,9 miliardë kWh kundrejt 3,1 miliardë kWh të prodhuara gjatë vitit 2002, ose 58 % më shumë dhe një import prej rreth 900 milion kWh, kundrejt 2,269 miliardë kWh të importuara gjatë vitit 2002, ose 61 % më pak".
Sipas Z.Doda, për vitin 2003 janë realizuar angazhimet e për fillimin e implementimit të Reformës në sektorin elektroenergjitik, sipas strategjisë kombëtare të energjisë, thellimi i ristrukturimit të shoqërive të naftës dhe përgatitja për privatizimin e tyre, implementimi i procedurave dhe fillimi nga ndërtimi i depozitave bregdetare të naftës e të gazit nga investitorët privatë, zhvillimi i mëtejshëm i projektit me interesa të mëdha kombëtare e rajonale "AMBO", përfundimi i studimit të leverdishmërisë dhe atij të impaktit ambiental për ndërtimin e TEC-it në Vlorë, si dhe përsosja, kompletimi dhe përafrimi i kuadrit ligjor në fushën e industrisë dhe energjitikës me atë të BE-së.
Për vitin 2004, tha Z.Doda, detyrat dhe objektivat e Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës janë edhe më të mëdha, pasi për shumë nga programet dhe projektet në zhvillim, ky vit konsiderohet si vendimtar për relizimin e tyre. Volumi i investimeve për vitin 2004 në sektorin elektrik parashikohet të jetë rreth 15 miliardë lekë, që përbën dhe nivelin më të lartë të investimeve të realizuara në këtë sektor gjatë 12 viteve të fundit.
Gjatë këtij viti, ka theksuar Z.Doda, do të punohet me intensitet duke u përqëndruar në:
- Vazhdimin e ristrukturimi të KESH-it dhe përgatitja e kushteve për
privatizimin e Prodhimit dhe të Shpërndarjes;
- Përgatitja dhe nënshkrimi i Marrëveshjeve për projektin "AMBO";
- Përgatitja për fillimin e punimeve për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Në janar zhvillohen negociatat me Bankën Botërore dhe në vazhdim me BEI-n dhe BERZH-in;
- Përgatitja dhe nënshkrimi i Marrëveshjes Qeveritare me Malin e Zi dhe Marrëveshjeve Financiare me Qeverinë Italiane dhe KfW për ndërtimin e LTL 400 kV Elbasan-Podgorice;
- Përgatitja, nënshkrimi dhe bërja efektive e Marrëveshjes Financiare me Qeverinë e Koresë së Jugut për rehabilitimin e rrjetit Elektrik në Zonën e Vlorës;
- Studimi i fizibilitetit për Linjën e Tensionit të Lartë 400 kV Tiranë-Kosovë;
- Përgatitja e Marrëveshjes për Linjën e Tensionit të Lartë 400 kV Tiranë-Shkup-Sofie;
Gjatë kësaj jave, janë zhvilluar gjithashtu analizat vjetore në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacioneve, në atë të Bujqësisë, Shëndëtësisë, Pushtetit Lokal, Mjedisit, të Integrimit, Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe atë të Arsimit dhe Shkencës. Këto analiza janë ndjekur nga afër nga Zv/kryeministri Namik Dokle dhe Ministri i Shtetit për Koordinimin Marko Bello. Ndërsa në 15 janar Qeveria në një mbledhje të posaçme të saj do të zhvillojë analizën e aktivitetit një vjeçar për vitit 2003.