Në xhelatinën e kujtimeve
Ti e ke harruar fëmijërinë tënde, nga thellësia e shpirtit tënd ajo të mëton. Ajo do të të bëjë të vuash aq gjatë, deri sa ti tia dëgjosh zërin. / Hermann Hesse
Nuk duhet të kem qenë më shumë se 7 vjeç, kur kam lexuar të parin libër për të rritur. Bile, që të jem krejt i sakët me ju, 6 vjeç e 5 muajsh: ende pa filluar klasën e parë. Them kështu, sepse në kapakun e fundit të atij libri edhe sot mund të lexohet shënimi im i atëhershëm (shkruar me penë të trashë e bojë kine): Lexue më 9 Maj 1965. Në daç besojeni, në daç jo, por fjala është për Manastirin e Parmës [...]. E kam lexuar atë libër edhe para Pinokut, edhe para Djemve të Rrugës Pal, edhe para një përshtatjeje te ilustruar për fëmijë të Don Kishotit dhe plot librave të tjerë, të cilët do ti zbuloja vite e vite më vonë në bibliotekën e tim eti. [...]
Janë këto rreshtat hapës të tregimit të parë Manastiri i Parmës ku nga këndvështrimi i një Uni personal fillon rrëfimi mbi fëmijërinë e hershme, mbi leximin e librit të parë për të rritur. Që në faqen e parë konfrontohemi me Unin rrëfyes e që me vonë rezulton të jetë dhe personazhi kryesor, Ridi, një alter ego i shkrimtarit. Ridi një subjekt sa sublim tregon bashkëpërjetimet me shokun gjenial Ilin. Ridi është një fëmijë i qetë, i dëgjueshëm, në kontrast Ili është më dinak dhe superior. Duket se Ridi mbetet gjithnjë nën hijen e Ilit, mirëpo thellë është ai që e lë Ilin të gëzojë ndjesinë e të qënurit më i forti. Autori rekonstrukton përjetimet, ngjarjet, situatat të cilat kanë lënë gjurmë në krijimin e personalitetit të tij. Në mënyrë imagjinative lexuesi kthehet tek e kaluara përmes episodeve me rrjedhë jo lineare. Në këtë vetë-shpalosje fragmentare, roli i autorit/Unit tregues, që më pas kalon në Unin e përjetuar, konstituon dialogun me lexuesin, ku ky i fundit argëtohet me qëndrimin ironik dhe distancën psikologjike që ruan treguesi përgjatë gjithë rrëfimit.
Duke u paraqitur si fëmijë i vetëm, Ridi gëzon gjithë vëmendjen e prindërve, ndonëse nga ana tjetër mbetet gjithnjë i tërhequr. I rritur në një mjedis ku edhe librat ishin me racion, ai na çon nëpër skutat e qytetit të tij, Shkodrës, zbulon të fshehtat, grindjet dhe prapësitë e ndërmarra me shokët, si dhe sprovat e tij si fëmijë për të shkruar vjersha. Përjetimet e Ridit nuk është se përbëjnë ngjarje të mëdha, kështu autori e ka përshtatur shumë mirë stilin e të shkruarit: thjesht, pa ndërhyrje filozofike apo psiko-narrative.
Interesante është mënyra që Dibra ka zgjedhur për tiu qasur fëmijërisë: ajo bëhet duke sjellë në kujtesë lojërat e duke zhvendosur fokusin nga personi te ngjarjet. Është kjo një përqasje që anon nga përshkrimi frojdian i marrëdhënies së krijuesit me fantazinë, ku thuhet:
A sdo duhej të kërkonim gjurmët e para të veprimtarisë tashmë që te fëmija? Veprimtaria më e pëlqyer dhe më intensive e fëmijës është loja. Ndoshta na lejohet të themi: Çdo fëmijë që luan sillet si krijues, kur ai krijon botën e vet ose, më saktë, kur i vendos sendet e botës së vet sipas një renditjeje të re që i pëlqen atij. Atëherë do të ishte e padrejtë të mendonim se ai nuk e merr seriozisht këtë botë; përkundrazi, ai e merr shumë seriozisht lojën e vet dhe gjatë saj përdor pasion të madh [] Krijuesi bën të njëjtën gjë si fëmija që luan. Ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht, d.m.th. e trajton me pasion te madh duke e ndarë qartë nga realiteti.
Në këtë kontekst, Dibra vë në shërbim të letërsisë kujtesën, ndërsa lojën e përdorë si urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes. Kësisoj, tregimet janë të plotësuara me një koment shtesë në fund, duke i dhënë kështu karakter revizionist. Shkrimtari protagonist kërkon të lexojë të kaluarën e tij, kështu ai interpreton gati në formë psikanalitike lojërat-ngjarje dhe përjetimet fëmijërore, ku ekziston një analogji strukturale mes tregimit dhe fundit. Një shembulli i tillë ilustrues është tregimi Dervishi dhe gjarpri, ku pasqyrohet historia e dervishit të lagjes dhe aftësia e tij për të ndjellë mikun e padëshiruar nga shtëpitë. Ky pasion i çuditshëm për sytë e Ridit, merr kuptim shumë vite më vonë kur është rritur e ndier burrë:
Vetëm pas gati tridhjetë vjetësh, kur jam njohur me një vajzë që thirrej Irenë, e kam ndier se çdo të thotë të mbash gjarprin në gji.
Vetëm atëherë them se e kam kuptuar dervishin e gjorë.
Vetëm atëherë ia kam pohuar vetes dhe të tjerëve me zë të lartë se nuk mund të thuash që kam jetuar, po smbajte të paktën një herë të vetme një gjarpër në gji.
Ani pse ai gjarpër edhe mund të kafshojë.
Një interpretim të ngjashëm mbi femrat gjejmë edhe te tregimi Shpija e shtrigave, ku Ridi dhe shoku i tij duan të zbulojnë kontinentin e errët, fshehurazi depërtojnë te shtëpia e tri motrave të cilave lagjja ju ka vënë epitetin shtriga, e që sipas shpjegimit të shokut të ngushtë Ilit, janë të tilla ngaqë bajn dashni pa ken tmartueme. Duket se konceptet si morali, nderi dhe fisnikëria kanë një rëndësi fondamentale në mendjen e një rrethi provincial, për më tepër të pakapshme për intelektin e një fëmije. Edhe pse atij i mësohen shumë gjëra si shkrim e këndim, noti, biçikleta, askush nuk i mëson se si të kuptojë këto koncepte abstrakte; në shumicën e rasteve duhet të kënaqet me shpjegimet sipërfaqësore të Ilit, pasqyruar më së miri në dialogun e mëposhtëm:
– Po pse nuk martohen shtrigat? – pyes unë.
- Rrijn tuj prit princin e prrallave.
- Kush asht princi i prrallave.
- Nji djal i bukur, trim e me nder, – përgjigjet Ili prerë. Nga këto fjalë, mua më duket se ai është ndoca pesë vjet më i madh se unë. Edhe pse jemi moshatarë. Kruaj kokën lehtë-lehtë dhe pyes:
- Kaq e zorshme keka me gjet nji kësi djalit?
- Sa idiot je, – thotë Ili, – kësi djemsh ka sa të duesh. Njeni prej tyne asht edhe i fejumi i Verës.
- Po pse nuk e gjejn edhe shtrigat nga nji kësi djalit? – këmbëngul unë.
- Se nuk duen djemtë, – thotë Ili, duke e trashur zërin edhe më. Djemt e mir duhet me marr vajza tmira, kurse shtrigat janë vajza tkqija dhe duhet me marr djem tkqij e të shëmtuet. Kështu ka than edhe baba.
Rol spikatës në fëmijërinë e Ridi ka luajtur figura atërore, i cili urdhëron, vë rregull, bile i cakton dhe racionin e librave për lexim. Mirëpo, qëndrimi autoritar merr një dimension tjetër në tregimet Mësimi i biçikletës dhe Me dorën e majtë, ku del në pah ana e butë e babait. Ndonëse me ngjyra mirëkuptimi, në thelb kjo marrëdhënie at-bir mbetet komplekse.
Me dorën e majtë pasqyron mbase më së miri karakterin rezistent të Ridit, fakti që ai shkruan me dorën e majtë e që kjo përbën problem në shkollë si dhe tallje në radhët e shokëve, çka babai nuk e sheh si tragjike. Të qënurit sollak askush nuk e pranon si një prirje fiziologjike, por si një defekt, i cili duhet përmirësuar me çdo kusht. Ridi, edhe argumentit qesharak të nënës se askush nuk i jep nuse një sollaku, i kundërpërgjigjet me vetëbesim, se tash po e gjej nji nuse sollake, e që mund të interpretohet si thirrje për ta pranuar ashtu siç është.
Edhe pse autori mundohet të risjellë në mënyrë të detajuar fëmijërinë e tij të humbur, duket se në një pikë ai ka dështuar: të tregojë për gjyshen. Mungesën e pranisë së këtij personazhi, ndonëse shprehet se ishte plot shtatë vjeç, thuajse me fëmijëri të kryer kur gjyshja kishte ndërruar jetë, ai mundohet ta justifikojë si në vijim:
Kurse gjyshja paska mbetur jashtë. Duke u ikur tinëzisht kujtimeve të mia. Si një drenushë e trembur qenve të gjahut. Vazhdimisht. Pa u ndier. [...] Gjatë e kam shtrydhur kujtesën. Si limonin. Pikë-pikë. Deri ku nuk n
