E Diel, 1 Nëntor 2026

Në zemër të soc-realizmit

Susan Hiller (artiste e njohur e artit bashkëkohor) rrëfen nëpërmjet heshtjes. Pothuajse të gjitha videot e saj janë imazhe pa fjalë, ku dominon ngjyra e zezë. Për muaj me radhë, André Siegers dhe Sonja Lau, dy kuratorë të rinj gjermanë, udhëtuan në botën përtej videove të Hiller, për të zbuluar atë që ata e quajtën "të përkthesh vdekjen". Ndërsa studiues të tjerë të artit e quajnë Hiller një artiste të vështirë për sa i përket gjuhës me të cilën ajo shprehet, dy kuratorët e rinj gjermanë e panë këtë artiste si një mënyrë për të depërtuar në pikat më të mistershme të artit. "Nëse i vëren mirë punët e Hiller, e kupton se e zeza nuk është një ngjyrë aq e trishtë. Nëse ajo do të vendoste tekst që publiku ta kuptonte atë, do të lexohej se nëpërmjet kësaj ngjyre Hiller kërkon rrugën drejt dritës", thotë Lou.

Sonja ka flokë të verdhë, të shkurtër dhe thotë se arti ndonjëherë kërkon të duash të kundërtën. Dhe e zeza e Hiller nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të depërtuar drejt shpresës. "Edhe aty ku rrugët duken të mbyllura dhe ka aq shumë errësirë mund të gjesh shpresë", vazhdon Lou.

Bisedat për Hiller, këtë artiste kaq interesante, dy kuratorët e rinj gjermanë i bëjnë në një nga kafet pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

Prej disa muajsh ata kanë lënë Gjermaninë dhe kanë udhëtuar drejt Tiranës për një projekt që tashmë është konkretizuar. André Siegers dhe Sonja Lau janë kuratorët e ekspozitës "Ri-pikturim", e cila sapo përfundoi në katin e dytë të Galerisë së Arteve, në atë që dikur quhej "Salla e kuqe", pasi aty, për vite me radhë, janë ekspozuar veprat e realizmit socialist.

Pakkush do ta mendonte se, ideja për t‘i kthyer edhe një herë piktorët e njohur që një pjesë të mirë të krijimtarisë së tyre e zhvilluan gjatë realizmit socialist, ishte e dy të rinjve gjermanë. Për këtë arsye, ata lanë studiot e tyre dhe morën rrugën drejt Shqipërisë, për në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, për të konkretizuar idenë në fjalë. Piktorët erdhën dhe hodhën në muret e këtij institucioni veprat e realizuara vite më parë. "Ne nisëm të mendonim për këtë projekt që në ditët e para të vizitës sonë në Tiranë", thotë Andre. Ata ndjehen shumë me fat që kanë mundur të bashkëpunojnë me përfaqësues të një epoke arti, që ka qenë e veçuar nga Perëndimi për gati 50 vite me radhë. "Ne i kemi takuar në studiot e tyre të gjithë artistët më të mirë të soc-realizmit. Kemi parë mënyrën se si ata punojnë, kemi dëgjuar historitë e tyre dhe jemi mahnitur nga ajo galeri e mrekullueshme punësh që secili prej tyre ruajnë në ato studio të thjeshta. Ndaj menduam se si do të ndjeheshin ata, nëse do të rimerrnin një nga ato qindra punë që i ruajnë me aq kujdes dhe ta pikturonin sërish", shprehet Lau.

Ata i lanë të lirë artistët e përzgjedhur për këtë projekt të zgjidhnin një vepër për t‘iu kthyer sërish. Për Sonjën, ky projekt nuk është thjesht një rrugëtim në ndjenjat e piktorëve, por edhe mes dy kohërave. Si kuratorë, ata do të kenë mundësi të studiojnë se çfarë ndodh tashmë në liri me artistë që për vite të tëra janë mësuar të pikturojnë nën censurë dhe që padashur kanë krijuar një autocensurë në veprat e tyre.

Skënder Kamberi, Ksenofon Dilo, Agim Kadillari, Xheneta Kadillari, Sali Shijaku sollën në një frymë tjetër veprat e realizuara vite më parë. Sigurisht që këndvështrimi i tyre është disi ndryshe nga ai i viteve kur i ngjizën këto vepra, edhe pse ato nuk e kanë humbur ngjyrimin e kohës kur u krijuan.

Në thelb, koha vetëm i transformon situatat, u vesh atyre ngjyra të reja, por thelbi mbetet njësoj. Për Andre arti i soc-realizmit është një epokë interesante. Ai e sheh atë si një rrymë pa modelet ku operonin artistët e huaj në ato vite. Një nga gjinitë ku ai kërkon të ndalet është portreti dhe peizazhi. Një pjesë e mirë e piktorëve shqiptarë janë ndalur te këto gjini, për t‘i shpëtuar censurës, duke e përsosur këtë teknikë. Andre mendon se ka ardhur koha kur ky art të mos jetë thjesht pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare, apo vetë artistëve, por të gjenden mënyra për të qenë më prezent. Vetë projekti i tyre është një mënyrë për të lëvizur diçka nga pluhuri që ka rënë mbi atë periudhë.

Andre dhe Sonja do të kthehen sërish në Gjermani. Pas ca javësh pushimesh, do t‘i kthehen sërish artit me një projekt tjetër. Dy kuratorët që zbërthyen gjuhën artistike të Susan Hiller dhe rikthyen në Galerinë e Arteve pas kaq vitesh përfaqësuesit më në zë të pikturës shqiptare, besojnë se hulumtimi i tyre drejt terreneve të pashkelura në art do të vazhdojë më tej, jo vetëm për t‘u kthyer prapa në kohë, por edhe për t‘u përsosur edhe ata vetë në këtë rrugë të vështirë e të bukur siç është arti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›