E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Eclipse", çmenduria e fundit e Roman Abramoviç

Quhet "Eclipse" kapriçoja e
fundin e milionerit Roman
Abramoviç. Jini të qetë, nuk është
një lojtar i ri, por një barkë. Madje,
një mega-jaht prej 200 milionë
sterlinash, i kompletuar edhe me
sistemin anti-raketor, i blinduar,
me dy helikopterë dhe me një
nëndetëse që mund të përdoret
për të ikur fshehtazi në rast të një
sulmi terrorist apo të ndonjë
bande piratësh. "Eclipse" është në
ndërtim në kantieret e anijeve në
Hamburg, në të njëjtin vend ku u
ndërtua "Bismark", anija antiplumb
shumë e fuqishme e
kërkuar nga Hitleri dhe që sipas
kërkesave të Fuhrerit do të duhej
të ishte e padepërtueshme, por që
në fakt u fundos nga marina
mbretërore në Atlantikun e Veriut
më 1941. Sigurisht, sipas "Sunday
Times", Abramoviç shpreson se
lodra e tij e re detare, e cila do të
jetë gati verën e ardhshme, nuk do
të ketë të njëjtin fund. Të thuash
të vërtetën, në bazë të ligjeve të
lundrimit, anijet jo ushtarake nuk
mund të mbajnë armë, por pas
sulmeve të shumta nga piratët e
detit (sipas "International Maritime
Bureau", vitin e kaluar piratët
kanë sulmuar plot 269 anije dhe
kanë marrë peng gati 300 persona,
duke vrarë 5), pronarët e
jahteve po shtojnë disa masa sigurie
si topa uji me fuqi të lartë etj.
Në krahasim me barkat e mëparshme
të Abramoviç ("Pelorus",
"Ecstasea" e "Sussurro"), "Eclipse"
shihet si një xhevahir autentik i
teknologjisë dhe siguresë: 167
metra i gjatë (4,5 metra më shumë
se jahti i Emirit të Dubait, deri tani
barka më e madhe e botës), do të
ketë 70 njerëz në ekuipazh dhe
përveç kabinës së pronarit, do të
ketë hapësirë edhe për truprojat e
miliarderit rus dhe për 24 miq të
tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›