E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mbijetesa" maqedonase shfaqet në Elbasan

Artistët maqedonas të Teatrit të Shtipit përfaqësohen me një nga temat e ditës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan. Etja për para, por edhe përpjekjet për të mbijetuar, nuk mund të mposhtin dashurinë e një çifti në një qytet të varfër, plot me njerëz që jetojnë mes një jete të polarizuar. Kjo mbetet tema e pjesës me të cilën u përfaqësua mbrëmë trupa e Teatrit Kombëtar Shtip të Maqedonisë, në skenën e teatrit "Skampa", të Elbasanit. Pjesa "Gjithandej", e shkruar nga Vasil Iljonovski, në të njëjtën kohë edhe regjisor i saj, me skenografi të Vlado Rafit, shfaqi para spektatorit elbasanas imazhin e jetës në një qytezë me pallate të mbyllura si burg. Ngjarja, e sjellë me profesionalizëm në skenë nga aktorët maqedonas të Shtipit, të linte përshtypjen se bëhej fjalë për shumë vite më parë, ku binte në sy varfëria dhe një mentalitet i një kohe tjetër. Vajza, bijë e një familjeje të varfër, por me ambicie për para, dashurohet me një djalë të varfër. Kjo sjell debate dhe përçarje në familje midis nënës, e cila mban anën e vajzës, dhe babait që dëshiron ta lidhë në martesë me një djalë të pasur. Shfaqja shoqërohet me këngë tradicionale të dasmave maqedonase. Edhe pse në një gjuhë tjetër, shfaqja la mbresa te publiku, i cili arriti të marrë mesazhin se "Dashuria mposht gjithçka". Në natën e tretë të Festivalit "Skampa 2008" do të ngjitet në skenë trupa e Teatrit ASOU - Graz (Austri), me shfaqjen "Origjinë e panjohur", me regji të Klaus Swevald-it. Nata e dytë, ndoshta nga jehona pozitive e shfaqjes së Malit të Zi, ka sjellë më pranë "Skampës" shikuesin elbasanas.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›