E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në zyrën e Avokatit të Popullit mbërrjnë edhe ankesa për çështje mjekësore

Pranë Zyrës së Avokatit të Popullit ka ankesa të ndryshme nga qytetarët edhe përsa i përket çështjeve të ndryshme mjekësore, një pjesë e të cilave janë zgjidhur me ndërhyrjen e këtij institucioni. Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, tha se "ankesat e adresuara ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucionet në vartësi, si menaxhues dhe ofrues kryesore të shërbimit shëndetësor ne vend, lidhen kryesisht me rregullimin e masave administrative". Ai përmendi protokollin mjekësor për fëmijët me talasemi, që mungonte dy vjet më parë, por që u realizua falë ndërhyrjes së Zyrës së Avokatit të Popullit. "Ankesa ka dhe për cilësinë e shërbimit, por shpesh herë këto ankesa ia kemi adresuar Urdhrit të Mekëve si një organ i specializuar për t’i marrë në shqyrtim këto çështje", tha z. Dobjani. Problematika e ankesave kryesisht lidhet me aspekte të procedurave administrative, si p.sh për protokollin mjekësor për sëmundjen e talasemisë në spitale, për mbajtjen nën kontroll të vazhdueshëm të fëmijëve me këtë sëmundje, etj. "Ndërhyrjet tona kanë qenë edhe në kuadër të rekomandimit të heqjes së pagesës që është kërkuar të kryhet në rastet e ofrimit të barnave, nëpërmjet recetës së rimbursueshme nga ana e shtetit, apo edhe të shtimit të listës së këtyre barnave me barna të rinj më cilësore, që ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve", tha z. Dobjani. Por, sipas tij, nuk kanë munguar ndërhyrjet në rastet kur media ka bërë publike problematikën e ofrimit të shërbimit mjekësor në shërbimet e specializuara të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, etj, apo në rastet e ushtrimit të aktivitetit të klinikave mjekësore private në ambiente banimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›