KESH vazhdon të eksportojë energji në Kosovë

Korporata Elektronergjetike Shqiptare ka eksportuar në Kosovë që prej datës 4 prill deri ditën e sotme rreth 2.900 Mëh energji elektrike në ditë ose në total 43.500 MWh. Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bënë të ditur se "lëvrimet ndaj kompanisë shtetërore kosovare KEK parashikohet të vazhdojnë në të njëjtat nivele, por gjithmonë edhe në varësi të situatës hidroenergjetike". Sipas këtyre burimeve, mësohet se eksporti i energjisë në Kosovë është bërë nëpërmjet kontratës së shitjes me kompaninë shtetërore KEK. Ndërsa burime zyrtare nga KESH bëjnë të ditur se "duke nisur nga data 4 deri në 30 prill KESH do të kryejë gjithashtu edhe shkëmbime të energjisë elektrike me Kosovën, konsumi i së cilës kap shifrën 17.5-18 milionë kilovat/orë në ditë". KESH po eksporton energji elektrike që prej datës 4 prill edhe në Greqi, kjo falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend për shkak të reshjeve të bollshme dhe shkrirjes së dëborës.
Gjatë këtij viti KESH ka eksportuar energji elektrike në Greqi për rreth 40 ditë, duke filluar nga data 22 janar. Ndërsa vitin e kaluar nuk është kryer asnjë eksport i energjisë elektrike. Niveli i liqenit të Hidrocentralit të Fierzës në fillim të muajit prill arriti në 295.29 metra, prurjet llogariten në 523 m3/sek dhe prodhimi i energjisë, 7050 MWh. Në Koman niveli arriti 175 m, prurjet 466 m3/sek dhe prodhimi 8010 MWh, në Vaun e Dejës niveli ishte 76.00 metra, prurjet 373 dhe prodhimi 3170 MWh. Ndërsa në Ulëz e Shkopet niveli ishte 128.80 metër, prurjet 150 m3/sek dhe prodhimi 1113 MWh".
...