Sot është Dita Europiane për të sensibilizuar përtë drejtat e pacientëve

Aktivitetet në Ditën Europiane për të Drejtat e Pacientit, 18 prill, synojnë sensibilizimin e pacientëve, institucioneve shëndetësore dhe ligjvënëse, që të formulohet dhe miratohet Karta e Pacientit, si dhe të punohet për njohjen dhe zbatimin e saj nga personeli mjekësor. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian kërkon dhe arritjen e standardeve të përcaktuara në dokumente të tilla si "Karta e të Drejtave Themelore", e nënshkruar në 7 dhjetor 2000 nga vendet anëtare të BE-së, e pasur kjo nga "Karta Europiane e të Drejtave të Pacientëve", nënshkruar nga vendet anëtare të BE-së në vitin 2002. Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, aksesin në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin (sekretin), respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim, etj. Karta Europiane numëron 14 të drejta për pacientët, krahas të cilave është dhe e drejta për lëvizje aktive qytetare. "Organizatat dhe lëvizjet qytetare kanë të drejtën të promovojnë dhe verifikojnë zbatimin e të drejtave të pacientëve, ashtu siç janë prezantuar në Kartën e të Drejtave", pohojnë burime nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore. Kjo përfshin të drejtën për kryerjen e aktiviteteve për interesa të përgjithshme, të drejtën për kryerjen e aktivitetit të advokacisë, të drejtën për pjesëmarrje të politikëbërjes në fushën e shëndetësisë.
Të drejtat europiane të pacientëve janë:
1. E drejta për masat parandaluese/Çdo individ ka të drejtë për të patur shërbimin e duhur, në mënyrë që të parandalojë sëmundjen.
2. E drejta për akses/Çdo individ ka të drejtën për të patur akses ndaj shërbimeve shëndetësore që i duhen për shëndetin e tij. Shërbimet shëndetësore duhet të garantojnë akses të barabartë ndaj secilit pa diskriminim, sipas të ardhurave financiare, vendbanimit, llojit të sëmundjes, apo kohës ku kërkohet shërbimi.
3. E drejta për informacion/Çdo individ ka të drejtë për të patur akses mbi të gjithë informacionin lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, shërbimeve shëndetësore, mënyrën e përdorimit të tyre, si dhe përdorimin e të gjitha të rejave shkencore dhe teknologjike.
4. E drejta për marrjen e pëlqimit/Çdo individ ka të drejtë për të marrë të gjithë informacionin që i duhet që të marrë pjesë aktivisht në vendimet për shëndetin e tij. Ky informacion është një kusht paraprak përpara se të ndërmerret çdo procedurë, trajtim dhe kërkim shkencor.
5. E drejta për zgjedhje të lirë/Çdo individ ka të drejtë për të bërë zgjedhje të lirë midis procedurave të ndryshme të trajtimit dhe mjekëve bazuar në informacionin e përshtatshëm.
6. E drejta e privatësisë dhe konfidencialitetit/Çdo individ ka të drejtën e konfidencialitetit ndaj informacionit personal, ku përfshihet informacioni për gjendjen e tij shëndetësore, procedurat e mundshme diagnostike, ose terapeutike, si dhe ka të drejtën për t’iu mbrojtur privatësia e tij gjatë kryerjes së ekzaminimeve diagnostike, vizitave të specialistit, si dhe trajtimeve mjekësore/kirurgjikale.
7. E drejta për respektimin e kohës së pacientit/Çdo individ ka të drejtën për të marrë trajtimin e nevojshëm brenda një periudhe kohe të shkurtër dhe të paracaktuar. Kjo e drejtë aplikohet në të gjitha fazat e trajtimit.
8. E drejta për të vëzhguar nivelin e cilësisë/Çdo individ ka të drejtën për të patur akses për shërbime shëndetësore me cilësi të lartë, bazuar në specifikimin dhe vëzhgimin e standardeve preçize.
9. E drejta për siguri/Çdo individ ka të drejtën për të mos u dëmtuar nga keqfunksionimi i shërbimeve shëndetësore, nga praktikat jo të përshtatshme dhe nga gabimet mjekësore, si dhe ka të drejtën për ta patur akses për shërbime shëndetësore dhe trajtime që kanë standarde të larta sigurie.
10. E drejta për risitë/Çdo individ ka të drejtë për të patur akses mbi procedurat e reja, duke përfshirë ato diagnostike, sipas standardeve ndërkombëtare dhe të pavarura nga interesat ekonomike ose financiare.
11. E drejta për shmangie të vuajtjeve dhe dhimbjeve të panevojshme/Çdo individ ka të drejtë për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur dhimbjen dhe vuajtjen në çdo fazë të sëmundjes së tij.
12. E drejta për trajtim personal/Çdo individ ka të drejtë për të patur programe diagnostike ose terapeutike të përshtatura sa më shumë të jetë e mundur për nevojat e tij personale.
13. E drejta për t’u ankuar/Çdo individ ka të drejtë për t’u ankuar kurdo që ai ka pasur një dëmtim dhe ka të drejtën për të marrë një përgjigje ose një reagim tjetër.
14. E drejta për t’u kompensuar/Çdo individ ka të drejtën për t’u kompensuar mjaftueshëm brenda një kohe të shkurtër të arsyeshme, kur ai ka pësuar dëmtime fizike, morale dhe psikologjike, pasojë e trajtimit në shërbimin shëndetësor.
...