Negociata bërthamore SHBA-Rusi vazhdojnë në 2010
SHBA-ja dhe Rusia nuk arritën që brenda të këtij viti të sigurojnë marrëveshjen e re për kontrollimin e armëve bërthamore, duke ja mohuar Shtëpisë së Bardhë forcimin e përpjekjeve të veta për të demonstruar përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.
Dy palët shpresojnë se marrëveshja do të arrihet në fillim të vitit 2010, kanë theksuar sot zyrtarët amerikanë.
Delegacioni amerikan, i kryesuar nga asistentja e Sekretarit amerikan të shtetit, Rose Gottemoeller, është nisur për në SHBA dhe do të kthehet në Gjenevë në fillim të janarit, për të vazhduar negociatat me palën ruse, deklaroi misioni diplomatik i SHBA-së në Gjenevë.
“Synimi ynë mbetet që të konkludojmë një marrëveshje solide, e cila më pas do të nënshkruhet nga presidentet”, u theksua në kumtesën e misionit.
Presidenti amerikan, Barack Obama dhe ai i Rusisë, Dimitri Medvedev, kanë shpresuar se do të jenë në gjendje që të nënshkruajnë marrëveshjen e re para përfundimit të vitit, por pranuan javën e kaluar, gjatë Konferencës së OKB-së për ndryshime klimatike se me gjasë ky synim i tyre nuk do të realizohet.
Marrëveshja paraprake për Reduktimin e Armëve Strategjike, e nënshkruar në vitin 1991, ka skaduar më 5 dhjetor.