Përleshje të reja në Iran
Një faqe e opozitës iraniane në internet ka njoftuar sot se forcat e sigurisë janë përplasur me ithtarët e disidentit të ndjerë, Ajatollah Ali Montazeri, përleshje këto të cilat kanë ndodhur në së paku dy qytete, përfshirë këtu edhe në qytetin e lindjes së Montazerit.
“Përleshjet sporadike kanë filluar të martën në mbrëmje në Najafabad dhe janë duke vazhduar ende. Situata në qytet është mjaft e tendosur. Banorët po klithin slogane kundër qeverisë”, njoftoi faqja në internet, Jaras.
Kjo faqe gjithashtu theksoi se shumë protestues janë lënduar gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë në qytetin qendror, Isfahan.
“Forcat e qeverisë u përplasën me protestuesit pro-reformator, të cilët ishin tubuar për të kujtuar Montazerin. Policia shkrepi gaz lotsjellës, për të shpërndarë njerëzit. Shumë njerëz janë lënduar, ndërsa disa janë arrestuar”, njoftoi Jaras.
Në Isfahan, agjentët me rroba civile kanë rrethuar shtëpinë e klerikut tjetër pro-reformator, Ayatollah Taherit, shtoi më tutje kjo faqe.
Incidentet e raportuara ndodhën dy ditë pasi që një turmë e madhe e njerëzve u tubua në qytetin Kom, për të marrë pjesë në varrimin e Montazerit, varrim ky i cili u shndërrua në protestë të opozitës.
Raportet më të reja të faqes Jaras nuk kishte mundësi të verifikohen në mënyrë të pavarur, ngase medieve të huaja nuk ju lejohet që të raportojnë për protestat.