Nga Hamasi kërkohet të mos e pranojë ofertën e Izraelit
Hamasi nuk duhet të pranojë ofertën më të re të Izraelit për shkëmbim të të burgosurve, me qëllim që të sigurohet lirimi i ushtarit izraelit, Gilad Shalit, u theksua në një editorial të publikuar sot në gazetën Al Quds Arabi, e cila publikohet në Londër.
“Gabimi më i madh që mund të bëjë Hamasi është që të pranojë kushtet për lirimin e të burgosurve palestinezë. Hamasi duhet të refuzojë kushtet e ofruara dhe të përballet me trysninë që po ushtrojnë Izraeli dhe Perëndimi, madje edhe nëse ky refuzim rezulton me shembjen e marrëveshjes”, theksoi kjo gazetë.
Në raport u theksua se Hamasi është i vetëdijshëm për strategjinë negociuese të Izraelit.
Në anën tjetër, gazeta tjetër, Al Hayat, theksoi se negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për shkëmbimin e të burgosurve tani varën nga shtatë të burgosur palestinezë.
Sipas kësaj gazete, Izraeli ende po refuzon lirimin e shefit të Tanzimit, Marvan Barghoutit dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, Ahmad Sadatit.
Sidoqoftë, gazeta më tutje njoftoi se dy palët janë pajtuar për lirimin e 443 prej 450 të burgosurve palestinezë, lirimi i të cilëve është kërkuar nga Hamasi.