Negociata për dorëzimin e djalit të deputetes
Policia e kryeqytetit ka vijuar dje me negociatat për dorëzimin e djalit të deputetes Luiza Xhuvani, megjithëse deri në orët e mbrëmjes nuk ishte realizuar një veprim i tillë.
Për dorëzimin e tij janë angazhuar edhe prindërit e të riut, që ende nuk e kuptojnë sesi kishte arritur të vriste shokun e tij.
Për këtë krim janë arrestuar dy shokë të tjerë të Kostandin Xhuvanit, ndërkohë që vetë ai është larguar nga frika dhe nuk pranon të dorëzohet.
Ngjarja për të cilën dyshohet si pjesëmarrës 22-vjeçari ndodhi mëngjesin e së shtunës në Qytetin Studenti, ku mbeti i vrarë me plumb në kokë Alfred Musabelliu, me të shkuar problematike për policinë.
Nga hetimet e kryera deri më tani, nga specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, u konkludua se autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë vrasje janë tre persona.
Fillimisht, policia arrestoi të rinjtë Albi Zela dhe Donald Ymeri, përkatësisht 23 dhe 22 vjeç.
14 Shkurt 2011