E Enjte, 5 Nëntor 2026

Negociatat, Ministria e Drejtësisë finalizon udhërrëfyesin e funksionimit të institucioneve demokratike

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Ministria e Drejtësisë ka finalizuar udhërrëfyesin për “Funksionimin e Institucioneve Demokratike”.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e cilësoi këtë udhërrëfyes një dokument kyç që forcon procesin zgjedhor, rolin e Parlamentit dhe përfshirjen aktive të shoqërisë civile.

“Me konsultime të gjera dhe transparencë të plotë Shqipëria po tregon se është gati për sfidat që na presin në të ardhmen evropiane”, tha Manja në një postim në rrjetet sociale.

Dokumenti është hartuar pas një analize të akteve ligjore dhe kapaciteteve institucionale të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në kriterin politik kryesisht funksionimin e institucioneve demokratike në vijim të procesit “screening”.

“Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike ” është një dokument politik dhe strategjik, i cili paraqet masat kryesore që parashikohen të merren në kuadër të procesit të adresimit të gjetjeve të paraqitura nga Komisioni Evropian në raportin e shqyrtimit (screening report) për Shqipërinë për sa i përket kriterit politik kryesisht funksionimit të institucioneve demokratike.

Ky udhërrëfyes adreson në tre fusha kryesore:

Procesi zgjedhor- Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, medias së pavarur dhe pluraliste gjatë fushatave zgjedhore, si dhe rregullimi i financimit të partive politkike.

Funksionimi i parlamentit- Forcimi i rolit të parlamentit, rritja e efikasitetit parlamentar dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative.

Shoqëria civile- Rishikimi i kuadrit ligjor për të siguruar përfshirjen e saj në proceset politike dhe integrimin evropian si dhe mbështetja financiare për organizatat e shoqërisë civile përmes një kuadri fiskal të favorshëm.

1 nga 2

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›