Burgaj, krim ndaj pronës shqetësues

Kryepolici evidentoi punën e gjysmës së parë të vitit 2010,që është pozitive. Basha: Rezultatet më të lartat se të vendeve të BE-së
TIRANË-Zbulimi krimeve ndaj pronës në gjithë territorin e vendit vazhdon të mbetet i ulët edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2010. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, as gjysma e vjedhjeve, grabitje apo krimeve të tjera ndaj pronës nuk janë zbuluar nga strukturat e Policisë së Shtetit. Për këto krime, në muajt janar-qershor të këtij viti janë evidentuar gjithsej 2153 vepra penale dhe janë zbuluar 955 prej tyre ose 44 për qind .
Ndërkohë që gjatë këtij gjashtëmujori ka një rritje të krimeve ndaj pronës dhe një ulje në rreth 5 për qind të zbulueshmërisë së tyre. Këto shifra u publikuan dje në analizën gjashtëmujore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që u zhvillua dje në ambientet e Ministrisë së Brendshme.
Kjo situatë vazhdon të mbetet problematike edhe në kryeqytet ku regjistrohet numri më i lartë i vjedhjeve dhe grabitjeve. Për periudhën janar-qershor të këtij viti në Qarkun e Tiranës, policia ka arritur të zbuloje vetëm 45 për qind të krimeve ndaj pronës.
Në prezantimin e rezultateve të punës, të strukturës policore që drejton, Hysni Burgaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, foli edhe për krimet ndaj personit. Për gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2010, numri i vrasjeve ka qenë më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në gjithë territorin e vendit kanë ndodhur gjithsej 51 vrasje dhe janë zbuluar 44 prej tyre, ndërsa në periudhën janar-qershor, kanë ndodhur 44 vrasje. Në shifrat që u prezantuan nga drejtori Burgaj, numri i veprave penale të konstatuar ndaj luftës kundër lëndëve narkotike ka kapur shifrën 264 dhe hetuar 418 autorë.
Sasia e Marijuanës e kapur gjatë kësaj periudhe është 5192.9 kilogramë, ose 2.7 here më shume se e njëjta periudhe e një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe janë goditur 30 grupe kriminale të shpërndarjes dhe trafikimit të drogave dhe janë proceduar penalisht 148 pjesëtare të këtyre grupeve.
Ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën në aksidentet automobilistike që nga janari e deri në fund të muajit qershor të këtij viti ka pësuar ulje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Për këtë periudhe rezultojnë 721 aksidente me 133 persona të vdekur dhe për këtë gjashtë mujor rezulton një ulje për numrin e personave të vdekur me 9 për qind , krahasuar me 6 mujorin e pare të 2009-ës.
I pranishëm në analizën e djeshme të Policisë së Shtetit ishte edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili u shpreh se Policia e Shtetit gjatë këtij gjashtëmujori ka menaxhuar me sukses të gjitha sfidat strukturore, institucionale, integruese dhe natyrore. Sipas Bashës, policia ka luajtur një rol vendimtar në realizimin gjitha kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke pasur tregues edhe më pozitive se disa nga vendet e Bashkimit Evropian.