E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, 'pushime' në radhë për dokumentet e identitetit

LEZHË - Vijnë për pushime, por i kalojnë në rradhët e gjata para gjendjes civile për të aplikuar për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Kjo po ngjet me qindra emigrantë nga Lezha. Në zyrën e gjendjes civile të Bashkisë Lezhë vihen re radhë të gjata njerëzish që presin jo me orë, por me ditë për të aplikuar. Edhe pse ka një dyndje të tillë, aty shërbehet vetëm me një sportel aplikimi duke mos e përballuar gjithë fluksin e emigrantëve.

Pjesa më e madhe e aplikuesve i kanë ditët e pakta për pushime, e ndërkaq një pjese tjetër po kaq të madhe do tu duhet të vetem të aplikojnë për t'iu kthyer vendeve të punës. Ata nuk do mund të presin të marrin dokumentet për të cila aplikojnë.

Kështu, me një sportel të vetem nuk kryhen më tepër se 90 aplikime, ndërkohë që numri i aplikuesve është shumë më i lartë. Gjatë këtyre ditëve ka patur edhe mjaft raste kur është ndërprerë interneti duke paralizuar procesin e aplikimit.

Në të gjithë vendin sipas Ministrisë së Brendshme janë 400 mijë shtetas shqiptarë që duhet të pajisen me pasaportat e reja deri në fund të 2009, ndërsa brenda vitit 2010 pasaporta aktuale duhet domosdoshmërisht të zëvendësohet me pasaportat e reja biometrike. Por që të realizohen këto sipas emigrantëve shteti duhet t'iu përgjigjet edhe me sherbime e personel.

Emigrantët shprehen se në këtë periudhë duhe të ishin shtuar sportelet dhe personeli pasi është e pamundur që një person i vetëm si në rastin e Lezhës apo gjetkë të përballojë gjithë këtë dyndje të madhe aplikuesish.

Nga aplikimi për kartë ose pasaportë deri tek marrja e këtyre dokumentave nga aplikuesi kërkohen të paktën 15 ditë, gjë e pamundur për shumicën e emigrantëve të ardhur në vendlindje për të kaluar pushimet.

Emigrantët theksuan se do të ishte një zgjidhje e mirë nënshkrimi i një marrëveshje e qeverisë shqiptare me qeveritë e shteteve ku jetojnë shumica e emigrantëve shqiptarë, të paktën për t'i tërhequr këto dokumenta në konsullata.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›