Negociatat, Topalli në Kuvend, Meta drejt Ministrisë së Brendshme
TIRANË - Pavarësisht deklaratave publike të sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, se Berisha dhe Meta nuk janë takuar të dielën në Pogradec, burime të mirinformuara pranë dy liderëve, thonë se ata kanë biseduar kokë më kokë në vilën qeveritare, në qytetin buzë liqenit. Kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, u kujdesën që asgjë të mos bëhej publike mbi këtë takim larg kryeqytetit. Nga burime zyrtare u raportua se Meta po qëndronte për disa ditë pushim në Tushemisht, ndërsa Kryeministri Berisha po vijonte agjendën e tij. Por, ndryshe nga sa thuhet publikisht, bashkëpunëtorët e tyre treguan për gazetën se, pavarësisht se negociatat zyrtare për krijimin e qeverisë së re do të nisin pas certifikimit të rezultatit të 28 qershorit, ata po vijojnë të diskutojnë për postet, që partia e Metës pritet të ketë në 4 vitet e ardhshme. Kështu, të gjitha gjasat flasin se Jozefina Topalli do të vijojë të jetë Kryetare e Kuvendit edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. Nr. 2 i Partisë Demokratike pritej të merrte postin e shefes së diplomacisë shqiptare, ose atë të Drejtësisë, në rast se Meta do të ishte Kryetar i Kuvendit, ashtu siç ishte edhe kërkesa fillestare e LSI-së. Por, negociatat e së dielës në Pogradec duket se kanë shtruar të tjera shina mes PD-së dhe LSI-së. Ndërsa është shumë afër konfirmimit për mandatin e dytë zonja Topalli në krye të legjislativit, burimet tregojnë se Berisha dhe Meta janë afër marrëveshjes, që kryetari i LSI-së të jetë ministër i Brendshëm. Dikasteri që aktualisht drejtohet nga Bujar Nishani, padyshim që është një nga portofolet më të rëndësishme ministrore, që ka në varësi pushtetin lokal, DAP-in, policinë etj. Burimet pranë dy kryetarëve të PD-së e LSI-së thonë se në bisedimet paraprake duket se është arritur parimisht që Meta të jetë ministër i Brendshëm.
Ndërkohë, deri në fillimin e negociatave zyrtare, që mund të jenë në fund të korrikut, në varësi të kohës kur KQZ-ja do të shpallë rezultatin përfundimtar të 28 qershorit, Berisha e Meta pritet të merren vesh edhe për portofolet e tjera ministrore. Edhe pse kishin deklaruar se do të prisnin certifikimin e zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nxitoi të bënte marrëveshje paraprake me Kryeministrin aktual, Sali Berisha, për t'i siguruar këtij të fundit edhe një qeverisje katërvjeçare. Tanimë mes dy krerëve të partive që nuk kanë kursyer as fjalën e fundit për njeri-tjetrin, nuk ka mbetur gjë tjetër, veçse një pazar i pastër politik, që pritet të konkretizohet vetëm nga muaji tjetër.