Emigranti aksidenton për vdekje 21 vjeçarin
GJIROKASTËR- Një tjetër viktimë si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor është shënuar mesditën e sotme. Ngjarja ndodhi në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë, në afërsi të fabrikës së qumështit. Automjeti tip Nissan me targa greke YPE 5046, që drejtohej nga shtetasi Gramoz Dervishi, 32 vjeç, lindur në Belsh të rrethit Elbasan, ka përplasur shtetasin Tauland Topalli, 21 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në fshatin Bodrishtë.
Pas përplasjes, në gjendje të rëndë shëndetësore i riu është transportuar menjëherë në spitalin rajonal 'Omer Nishani" të qytetit të Gjirokastrës ku ka mundur të jetojë vetëm disa orë, pasi rreth orës 18.00 të mbrëmjes, për shkak të plagëve të rënda, ka humbur jetën.
Ndërkaq, grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i këtij aksidenti ka qenë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesi i automjetit tip Nissan me targa greke, që udhëtonte nga Athina në drejtim të Elbasanit dhe drejtuesi i saj është arrestuar për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen".
Të riun që mbeti i vdekur në aksident e kishin detyruar kushtet e vështirë ekonomike të migronte në fshatrat e zonës së Dropullit ku punonte si bari me delet e fshatit Bodrishtë.
Aksidentet gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti në qarkun e Gjirokastrës kanë shënuar nëntëmbëdhjetë viktima, ndërsa dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.