E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në KQZ, Maliqi tenton të rrahë Erion Braçen

TIRANË- Sherr dhe tension në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, teksa kandidati i PD-së për Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, ka tentuar që të dhunojë fizikisht deputetin socialist, Erion Braçe.


E gjithë skena ka ndodhur në dalje të sallës së mbledhjeve të KQZ-së, duke shkaktuar një kaos të vërtetë. Pasi disa sharjesh nga më banalet dhe tentativash për të goditur Braçen, kanë ndërhyrë anëtarët e KQZ-së, të cilët u kanë kërkuar rojeve të sigurisë që të nxjerrin jashtë Lefter Maliqin.


Situata është qetësuar vetëm disa minuta më vonë, kur përfaqësuesit e PD-së në KQZ kanë marrë mënjanë kandidatin e tyre, duke e qetësuar dhe e këshilluar që të mos kryente shfaqje të tilla në publik.


Gjithçka ka nisur në përfundim të seancës së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku është diskutuar ankimimi i Partisë Socialiste për rezultatin e Qarkut të Beratit. Në pretendimin e saj, PS-ja kërkon që të rivlerësohen votat e shpallura të pavlefshme dhe kjo sjell një ndryshim rezultati nga 4-3 në 5-2 në favor të saj.

Por, ai që preket drejtpërdrejt nga ky vendim është pikërisht kandidati demokrat, Lefter Maliqi. Deri në këtë moment, ai është fituesi i mandatit të tretë të PD-së për Qarkun e Beratit.


Në dalje të sallës së mbledhjeve, ai ka hasur patriotin e tij, armikun e vjetër, Erion Braçe. Duke marrë shkas edhe nga vendimi i këtij Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kërkesën ankimore të socialistëve, Maliqi ka shfaqur triumfin e tij, duke nisur të shajë Erion Braçen.


Anëtarët e stafi i KQZ- së, si dhe disa gazetarë që ndodheshin të pranishëm në momentin e incidentit, kanë parë Lefter Maliqin që të sulet me forcë drejt deputetit të PS-së, duke lëshuar sharje me një gjuhë të ulët e banale kundrejt familjes së tij.


"Hajde dalim përpara mediave dhe e provojmë një herë bashkë",- ka thënë Lefter Maliqi, teksa ka tentuar që të godasë Braçen.


Sulmi i tij është ndaluar nga avokati i PS-së, Arjan Salati dhe përfaqësuesi i kësaj force në KQZ, Eridian Saliani. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj, i cili ka kërkuar ndihmën e forcave të sigurisë së institucionit që të nxjerrin kandidatin demokrat nga salla e mbledhjeve.


Ardhja e forcave të sigurisë, por edhe ndërhyrja e menjëhershme e përfaqësuesve të PD-së në KQZ, duket se ka qetësuar situatën. Braçe është larguar nga ky institucion, ndërsa Maliqi është këshilluar nga përfaqësuesit demokratë që të mos kryejë gjeste të tilla, sepse ndodhet në një institucion publik.


Ky nuk është konflikti i parë mes dy beratasve Maliqi dhe Braçe. Të dy këta individë janë bërë dhjetëra herë personazhe mediatike për sherret e tyre që kanë arritur deri në vendosjen e takove me gozhda për të shpuar gomat e makinës së deputetit socialist.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›