E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat izraelito-palestineze vazhdojnë më 14 gusht

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se bisedimet direkte mes negociatorëve palestinezë dhe izraelit janë caktuar që të vazhdojnë më 14 gusht në Jerusalem.

Zëdhënësja e departamentit të shtetit, Jen Psaki e ka bërë njoftimin të enjten, duke shtuar se një raund tjetër i bisedimeve do të mbahet në Jericho në Bregun Perëndimor në një datë të pa specifikuar.

Psaki ka konfirmuar se ndërmjetësi i sapo emëruar amerikan, Martin Indyk do të marrë pjesë në raundin e bisedimve që do të mbahen në Jerusalem.

Negociatorët izraelit dhe palestinez kanë vazhduar bisedimet direkte në Washington javën e kaluar pas një pezullimi tre vjeçar.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry ka marrë pjesë në bisedimet që janë mbajtur në Washington por ai nuk pritet të marrë pjesë në bisedimet e javës së ardhshmë në Jerusalem.

Psaki gjithashtu ka folur për vendimin e Izraelit për të ndërtuar 800 shtëpi të reja në territorin e kontestuar duke thënë se SHBA-të nuk e pranojnë legjitimitetin e vazhdimit të këtyre ndërtimeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›