Negociatat me BE, Rama kërkon “shumicën popullore” nga Maliqi: Ndryshe rrezikojmë 2027-tën!

Partia Socialiste beson se do të fitojë 7 mandate në Korçë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Duke folur nga Maliqi në vijim të fushatës elektorale kombëtare, kryeministri Edi Rama tha të shtunën se përtej kufijve partiake dhe jetës së përditshme në komunitet, mesazhi i qartë në këto zgjedhje është bashkimi i të gjithëve për të mbështetur negociatat me Bashkimin Europian.
“T’i japim një mesazh shumë të qartë dhe të fortë të gjitha vendeve të Europës. Duke nxjerrë nga kutitë e votimit një shumicë jo thjesht aritmetike, por një shumicë popullore, e cila i thotë Europës ‘ne duam më në fund dhe tani të ulemi në sofrën e përbashkët të Bashkimit Europian’,” tha kryeministri.
Duke ngritur pyetjen hipotetike se çfarë mund të ndodhte nëse socialistët nuk e sigurojnë një shumicë bindëse pas këtyre zgjedhjeve, z. Rama tha se procesi i negociatave me BE-në do të ngadalësohej, madje mund të rrezikohej anëtarësimi.
“Thjesht nuk e arrijmë dot 2027-ën. Nëse humbasim jo një vit, jo një muaj, por nëse humbasim një javë, 2027-ta vihet në rrezik dhe dera mund të mbyllet, sepse ajo derë e Bashkimit Europian nuk është gjithmonë hapur. Ajo hapet, futen ca vende, mbyllet. Mund të mbyllet për një kohë të gjatë,” paralajmëroi z. Rama, duke iu referuar rrezikut që i kanoset vendit nga forcimi i pozitave të kundërshtarëve të tij politikë.
Ndërsa ndodhej në turin elektoral në qarkun e Korçës, kryesocialisti një ndalesë e bëri në Tushemisht, aty ku po kryhen punimet në shëtitoren, që do ta lidhë me pikën kufitare drejt Maqedonisë së Veriut.
“Kjo ndërhyrje e re është jo vetëm estetike, por edhe funksionale. Krijon kushte të reja për zhvillimin e bizneseve, rrit vlerën e hoteleve dhe pasurive të patundshme. Mbetet të përfundojnë detajet për t’i dhënë qytetit një atraksion të ri të denjë për potencialin e tij,” theksoi kryeministri.
/rtsh.al/