E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat në Bruksel, Vetëvendosja tentoi të ndalojë Tahirin

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar që ta pengoj zëvendëskryeministren, Edita Tahiri që po udhëtonte për në Bruksel, ku do të marr pjesë në raundin e shtatë të dialogut me Serbinë. Ishin Policia e Kosovës që i ndaloi ata para se të realizohej një protestë. Për më tepër, aktivistë të Vetëvendosjes janë shoqëruar për në stacionin policor.

Në një reagim të kësaj lëvizjeje thuhet se kompromisi i Zëvendëskryeministres së Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, me Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Borislav Stefanovic, nuk do të kalojë. Sipas tyre, këto negociata po na imponohen vazhdimisht, me synimin që ta shkëpusin prej vendit tonë një pjesë integrale të cilën tani njëmbëdhjetë vite po e spastrojnë etnikisht prej shqiptarëve.

“Sot shqiptarët nuk udhëtojnë dot në një pjesë të vendit të tyre, që e kanë uzurpuar strukturat ilegale të shtetit serb, i cili jo vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por punon haptazi për rrënimin e saj”, thuhet në reagim.

“Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është nisur sërish për në Bruksel për të rifilluar negociatat me Serbinë. Këto negociata nuk janë veçse një mjet i fundit legjitimues për të përmbyllur zhvendosjen e dhunshme të shqiptarëve prej vendit të tyre, ndërkohë që po ua zaptojnë shtëpitë e trojet dhe jetën po ua bëjnë të pamundur përmes bastisjeve e kriminalitetit të bandave militare të Serbisë. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kuptohet se këto negociata nuk rrezikojnë vetëm veriun, por të gjithë Kosovën”. Rezultat i këtyre negociatave, sipas Vetëvendosjes është varfërimi ekonomik, është pamundësimi i zhvillimit, është diktati i pushtetit të kontrabandistëve, është inkurajimi i Serbisë për apetitet e saj.

Në reagim njoftohet edhe për planifikimin e një proteste, për të ndërprerë rrugën e Edita Tahirit drejt aeroportit, për ta bllokuar udhëtimin e saj. “Sepse, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është më mirë të qëndrojë në Kosovë. Sa herë shkon në Bruksel ajo kthehet nga atje me premtime të vjetra e me koncesione të reja për Serbinë”.

Gjatë patrullimeve të tyre policët ndalën dhe shoqëruan në stacion të policisë disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvensosje, ku edhe i kanë mbajtur për disa orë, derisa Edita ka kaluar pa ia shqetësuar asnjë protestë rrugën e saj drejt negociatave me Stefanovicin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›