Siri, Assad: Konflikti do të vazhdojë

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, deklaroi të dielën se vendi i tij nuk do të gjunjëzohet përballë presionit ndërkombëtar, ndërsa parashikoi që përplasjet e dhunshme do të vazhdojnë.
Në një intervistë të publikuar në “Sunday Times”, Assad theksoi se nuk do të tërhiqet pasi “rrezikohet uniteti dhe stabiliteti i vendit”. “Konflikti do të vazhdojë dhe së bashku me të edhe presioni ndërkombëtar mbi Sirinë. Megjithatë, ne nuk kemi ndërmend të gjunjëzohemi dhe do të vazhdojmë t’i rezistojmë banditëve brenda vendit dhe kolonizatorëve jashtë tij”, theksoi Assad.
Liga Arabe i dha kohë Damaskut deri të shtunën që të plotësonte disa kushte ose të përballej me sanksione. Ndonëse propozimi u pranua zyrtarisht, nuk ka asnjë shenjë të reduktimit të dhunës.
Ndërkohë, aktivistët lajmëruan se në orët e para të mëngjesit, një godinë qeveritare u trondit nga shpërthimi i një granate. Nëse lajmi do të konfirmohet, do të përbëjë sulmin e parë brenda kryeqytetit që prej fillimit të revoltave, disa muaj më parë.
Të paktën 27 persona humbën jetën në përballjet e përgjakshme gjatë të shtunës, midis të cilëve edhe katër agjentë të shërbimeve sekrete, të cilët ranë në një pritë të dezertorëve të ushtrisë, pranë qytetit të Hamës.