Negociatat për programin e Iranit vazhdojnë në maj

Pas një raundi të parë bisedimesh në Stamboll të shtunën, e ngarkuara e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Catherine Ashton, shprehu optimizëm të përmbajtur. Ajo i cilësoi bisedimet si të dobishme dhe konstruktive. Është arritur pajtimi që më 23 maj të zhvillohet një takim tjetër në kryeqytetin irakian Bagdad, tha Ashton në Stamboll, pas bisedimeve me udhëheqjen iraniane.
"Ne duam të mbërrijmë në një proces të qëndrueshëm dialogu serioz, ku mund të ndërmarrim hapa praktikë, urgjentë për ndërtimin e besimit dhe që shpie në pranimin nga ana e Iranit, me gjithë detyrimet ndërkombëtare, që sjell kjo me vete. Në përpjekjet tona për të arritur këtë, ne do të udhëhiqemi nga parimi i qasjes hap-pas-hapi dhe ai i reciprocitetit. Ne presim që takimet pasuese do të çojnë në hapa konkretë drejt një zgjidhjeje të negociuar gjithëpërfshirëse, e cila rivendos besimin ndërkombëtar në një program bërthamor iranian vetëm të natyrës paqësore. Për këtë arsye, ne do të takohemi përsëri së shpejti, më 23 maj në Bagdad. Pararendës i këtij takimi do të jetë një takim përgatitor i zëvendësve", u shpreh Ashton.