Negociatat sekrete për të bindur Berishën

Misioni i KiE-s koordinohet me Topin për datën e ardhjes në Tiranë
Misioni “antikrizë” i Këshillit të Europës pritet të udhëtojë në Shqipëri në mesin e javës së ardhshme, ku do të marrin pjesë në negociatat me mazhorancën dhe opozitën për zhbllokimin e ngërçit politik. Burime diplomatike bëjnë të ditur se Strasburgu zyrtar po koordinon në mënyrë të ngushtë axhendën e tyre me autoritetet shqiptare, por edhe me faktorin ndërkombëtar të akredituar në Tiranë. Njeriu “kyç” i Europës për zgjidhjen e krizës është Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili prej kohësh po punon për të vënë në jetë planin e mbështetur nga i gjithë faktori relevant ndërkombëtar për të zhbllokuar impasin politik në vend. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se drejtuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës bashkë me sekretarin e përgjithshëm të këtij organizimi po punojnë ngushtë me autoritetet shqiptare për të përcaktuar një axhendë takimesh të misionit të gjerë, i cili do të vijë ditët e ardhshme në Tiranë. Sipas të gjitha gjasave, para fundit të kësaj jave do të caktohet data e ardhjes në Tiranë të Komitetit Presidencial të PACE-s, si dhe axhenda e takimeve të tyre. Por çështja deri tani ka ngelur pasi ende nuk ka një konfirmim nga kreu i mazhorancës, njëkohësisht Kryeministri Sali Berisha, për të marrë pjesë në tryezën që do të thirret nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Negociatorë nga selia blu bënë të ditur se në takim mund të shkojë një drejtues tjetër i PD-së dhe jo Kryeministri. Presidenti Topi do të ndërmarrë një nismë, e cila të jetë efikase dhe mbi palët dhe jo thjesht një takim që nuk do të zgjidhë asgjë. Ndaj ditët e fundit në Tiranë po zhvillohet një diplomaci “agresive” nga ambasadorët e Perëndimit për të bërë të mundur suksesin e ndërmarrjes më të madhe politike dhe diplomatike pas krizës së vitit 1997. Mësohet se si taktikë për të arritur sukses po përdoren edhe miqtë perëndimorë të Berishës. Burime diplomatike bëjnë të ditur se po bëhet një lobim që austriaku ëolfgang Grossruk, i cili është cilësuar si mbështetës i Kryeministrit të jetë një negociator i rëndësishëm për të arritur sukses në tryezën mes mazhorancës dhe opozitës. Siç ka deklaruar para disa ditësh edhe kreu i Presidencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, një pjesë e këtyre negociatave do të zhvillohen të mbyllura për publikun dhe vetëm në fund kur të arrihet pakti gjithçka do të bëhet publike. Në këtë pikë, drejtuesit e Këshillit të Europës, siç theksohet dhe në rezolutën për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare, bënë të ditur se mbështesin fuqishëm kreun e shtetit dhe i kanë dhënë zotit Topi rolin drejtues në këtë mision, si në përgatitjen ashtu edhe në drejtimin e negociatave. Por siç bëhet e ditur, gjithçka po lëvizet në këtë orë që në takimin e madh të jetë i pranishëm vetë Kryeministri Berisha, i cili deri tani ka theksuar se e mbështet dialogun e tij, por në tryezën e Presidentit do të marrin pjesë përfaqësuesit politikë të partive. Madje mësohet se edhe partitë aleate të PD-së do të bëjnë të ditur para negociatorëve perëndimorë variantin e parë, sipas të cilëve nuk do të jenë prezentë në negociata krerët e partive që mbajnë poste të larta ekzekutive në qeveri. Megjithatë, mësohet se kreu i shtetit ka shprehur gatishmërinë e plotë që të ndërmarrë një rol në zgjidhjen e krizës, por është bërë e ditur gjithashtu se Presidenti nuk do të jetë pjesë e një fasade apo tryeze që do të rezultojë e pasuksesshme. Deri tani është marrë “OK” për pjesëmarrjen e opozitës, por lëvizjet e fundit po bëhen për sjelljen e Kryeministrit Sali Berisha në takim. Në këtë rol janë përfshirë fuqishëm ambasadorët e Perëndimit të akredituar në Tiranë, ku rol të veçantë kanë diplomatët e Bashkimit Europian, konkretisht, ambasadori spanjoll, Manuel Montobjo, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan.
#