Zgjerohet skandali pas pasaportave të Maqedonisë
Shkupi heq sërish shqipen nga dokumentet zyrtare
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë injoron gjithnjë e më shumë shqipen në dokumentet zyrtare, siç është e përcaktuar në Kushtetutë. Përveç pasaportave, ky institucion nuk e ka vendosur shqipen as në lejet për posedimin dhe mbajtjen e armëve. Lejet e reja për armë kanë një pamje dhe dizajn të ri, mirëpo ato nuk janë të shkruara edhe në gjuhën shqipe. MPB me këto praktika shkel amendamentin e 5-të të Kushtetutës së Maqedonisë lidhur me moszbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë tjetër zyrtare, që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, ka theksuar se së shpejti dikasteri i tyre do të dalë me njoftimet dhe sqarimet konkrete lidhur me dhënien e dokumenteve që janë pjesë e kësaj ministrie dhe që jepen sipas ligjit për punë të brendshme. Ekspertët shqiptarë për çështje juridike theksojnë se Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe dikasteret e tjera ministrore, shfrytëzojnë mangësitë dhe hapësirën e padefinuar të zbatimit të ligjit për gjuhët. “Në amendamentin e 5-të në të cilin thirret MPB-ja, në mënyrë të përgjithshme garantohet gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në nivel të shtetit. Shumë institucione janë lënë jashtë ligjit, duke përfshirë edhe çështjen konkrete për të cilën është kompetente MPB-ja. Meqenëse në ligj nuk është i rregulluar zbatimi i gjuhës shqipe në këto sfera, MPB-ja thirret në atë se faktikisht nuk ka dispozitë ligjore, e cila atë e obligon, përveç akteve të dokumentacionit personal dhe identifikues. Me të vërtetë ka një vakum juridik në rregullativën pozitive për përdorimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, ka theksuar eksperti për çështje juridike, Osman Kadriu. Shumica e dokumenteve në kuadër të kësaj ministrie vazhdojnë me praktikën e vjetër, duke iu dhënë qytetarëve shqiptarë dokumente personale vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo praktikë bëhet në disa sportele të MPB-së, kur punonjësit e shërbimeve për dhënien e dokumenteve arsyetohen se nuk posedojnë dokumente të shkruara edhe në shqip, ose është bërë harxhimi i tyre. Së fundmi, mungesa e pasaportave të shkruara edhe në gjuhën shqipe ka bërë që qytetarët shqiptarë të detyrohen të pajisen me pasaporta në gjuhën maqedonase.
#