E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatohet shtrenjtë

Kosova dhe Serbia filluan implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në disa pikëkalime kufitare. Ndërmjetësi Robert Cooper u shpreh i kënaqur për këtë arritje, derisa kërkoi heqjen e barrikadave në Veri. Por, zbatimi i marrëveshjes ka nxitur pakënaqësi te qytetarët për shkak të polisave të shtrenjta të sigurimeve.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në muajin korrik me ndërmjetësimin e BE’së ka filluar të zbatohet të hënën.

Qysh në orët e hershme të mëngjesit, policët kufitar në Merdare kanë filluar pajisjen e qytetarëve me dokumente.

E në ditën e parë të zbatimit të saj në praktikë ka pasur reagime të ndryshme.

Ndërmjetësi i Bashkimi Europian, në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper ka thënë se marrëveshja i kontribuon atyre që synojnë të ardhmen europiane.

“Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka filluar dialogu. Të ndihmohet në përmirësimin e jetës së njerëzve. Për më tepër, lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Europian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën europiane”, ka thënë Cooper.

Ndërmjetësi i BE’së ka ripërsëritur kërkesën e BE’së për heqjen e barrikadave në Veri. Pikërisht pikat kufitare ne pjesën veriore janë të vetmet në të cilat nuk është zbatuar kjo marrëveshje.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi këtë e ka arsyetuar me mospërmbushjen e kushteve teknike për kompanitë e sigurimit atje.

”Marrëveshja vlen natyrisht edhe për veriun e Kosovës, por në veriun e Kosovës nuk ka fluks të lëvizjes dhe teknikisht kompanitë e sigurimeve ende nuk kanë bërë zgjidhje për t’i pasur kontejnerët përkatës”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka njoftuar se procedurat e parapara me marrëveshje janë duke u zbatuar në të gjitha pikat e tjera.

Në bazë të marrëveshjes, për veturat të cilat kalojnë kufirin kompanive të sigurimit duhen paguar 60 deri në 100 euro për 15 ditë.

Ministri Rexhepi ka thënë se këto shuma janë të përkohshme deri në arritjen e memorandumit siç është me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

”Kjo është një zgjidhje e përkohshme se këto taksa janë relativisht të shtrenjta dhe kjo do të jete e përkohshme deri në arritjen e memorandumit siç është më Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi Baki Kelani, ndërkaq, ka bërë të ditur për Express se që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes çdo qytetarë është pajisur me dokumentet hyrëse-dalëse.

“Policia kufitare ka filluar qysh në orët e mëngjesit me aplikimin e procedurave të marrëveshjes. Të gjithë janë pajisur me formularët ndërsa nuk ka pasur ndonjë problem deri më tani”, tha ai.

Kelani bëri të ditur se pikat më të frekuentuara në të cilat ka pas hyrje nga Serbia në Kosovë janë pikëkalimet në Vërmicë, Merdare si dhe Aeroporti i Prishtinës.

“Kryesisht kanë qenë bashkatdhetarë të cilët kanë vendosur që të kalojnë fundvitin me familjarët, por këto pika kanë qenë më të vërshuarat”, tha zëdhënësi Kelani.

Sipas tij numri i udhëtarëve pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes është kryesisht i njëjtë me atë paraprak.

“Numri kryesisht është i njëjtë. Deri më tani nuk ka ndryshim pas marrëveshjes vetëm se kalimet janë shumë më të kontrolluara”, tha Kelani.

Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE’së për Kosovën ka njoftuar se pikëkalimet e para të cilat do t’iu nënshtrohen skemës së marrëveshjes për lëvizje të lirë janë ato në Jarinje dhe Rudnice, në Merdare, si dhe në Depce e Muçibabë .

“Gradualisht, kjo do të fillojë së aplikuari edhe në të gjitha kalimet e tjera”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE’së për Kosovën.

Ndërsa, veturat me targa të Serbisë lëshuar për njerëzit me banim në Serbi dhe veturat me targa Kosovës të lëshuar në Kosovë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në ose përmes territorit të palës tjetër.

Mirëpo, për njerëzit që udhëtojnë me targa të automjeteve RKS(Republika e Kosovës), do të jepen targa të përkohshme në pikëkalime

Ministri serb i Punëve të Brendshme Ivica Dacic, këtë e ka arsyetuar duke thënë se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.

E pikërisht kjo është edhe dilema e opozitarëve në Kosovë.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur skeptik në zbatimin e marrëveshjes nga pala serbe. “Serbia nuk do t’i zbatojë marrëveshjet, për të ka qenë e rëndësishme të gjej kohë që të fitojë statutin e kandidatit për BE”, ka thënë Isufi.

Ndryshe, marrëveshja për lëvizje të lirë është vetëm një nga marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë dialogut teknik në Bruksel.

Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje vjen pas refuzimit që iu është bërë Serbisë për statut të kandidatit për BE.

Lëvizje e shtrenjtë

Qysh ditën e parë të zbatimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë përfaqësues të serbëve dhe shqiptarëve kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre rreth shumë së sigurimeve.

Kryetari paralel i Anamoravës, Dragan Nikolic, ka thënë se pagesa e 100 eurove për makinat me tabela KS, për serbët e Kosovës do të thotë se liria e lëvizjes nuk ekziston për shkak të pengesës financiare

E deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë se pas aplikimit të pagimit të sigurimeve prej afro 105 eurove në muaj, për të hyrë në Kosovë, në vend të lirisë së lëvizjes ekziston bllokada totale e lëvizjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›