Ndërrojnë mendje
I bashkojnë forcat.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), kanë nënshkruar të martën një memorandum bashkëpunim.
Zyrtarët e MPJ’së, përmes një njoftimi për media, kanë bërë të ditur se ky bashkëdyzim i dikasterit diplomatik me një OJQ është bërë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve diplomatike.
Ndërkohë që projekti në ngritjen e kapaciteteve diplomatike është projekt shumëvjeçar i rrjetit global të fondacioneve SOROS, pjesë e së cilit është KFOS’i.
“Ky projekt, edhe në vitin 2012 do të sjellë shumë aktivitete dhe aktorë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë që do të punojnë në ngritjen e kapaciteteve të individëve dhe organizatave dhe institucioneve kosovare që merren me diplomaci publike, kulturore dhe civile”, thuhet në njoftimin e MPJ’së.
Ndër të tjera, thuhet se ideja e këtij bashkëpunimi është që të hapen sa më shumë kanale komunikimi ndërmjet Kosovës dhe shteteve, të cilat klasifikohen si të vështira, ngase i kanë akoma dyert e mbyllura për Kosovën si shtet i ri.
“Nëpërmes të analizave dhe studimeve hulumtuese do të tentohet të promovohet agjenda europiane e Kosovës si dhe të thyhen paragjykimet e ndryshme që janë identifikuar si pengesë reale për bashkëpunimin normal të Kosovës me vendet që ende nuk e njohin pavarësinë e saj”, thuhet ndër të tjera.
Projekti i KFOS’it do të bazohet në programet promovuese, të cilat i ka realizuar SOROS’i në pesë shtetet anëtare të BE’së që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet.
Ndërkohë që bëhet e ditur se së shpejti do të botohet studimi i bërë nga disa ekspertë të njohur europianë mbi shkaqet e mosnjohjes së Kosovës nga ato pesë shtete.
“Kjo duhet të përdoret si bazë për hartimin e politikave adekuate gjatë vitit 2012, për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe këtyre shteteve, deri në njohje”.
Projekti në masë të madhe pritet të mbulojë edhe nevojat e MPJ’së për strategji lobuese.
Bëhet e ditur se MPJ’ja ka akorduar një grant prej 350 mijë eurosh që do t’u bashkohen fondeve ekzistuese të KFOS’it, për realizimin e këtij projekti në vitet 2011-2012.
Kështu ka dyfishuar resurset e gatshme për këtë projekt të rëndësishëm që ka ky program.
Ndryshe, ky është projekti i dytë i MPJ’së, i kësaj natyre, pas atij me Këshillin Britanik.