Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano është zhvilluar sot në ambientet e Hotel Adriatik në Durrës mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRS
Nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano është zhvilluar sot në ambientet e Hotel Adriatik në Durrës mbledhja e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH).
Në përputhje me rendin e ditës, KRRTRSH mori fillimisht në shqyrtim Projektin e gjurmës së naftësjellësit AMBO, Qafë-Thanë-Vlorë.
Lidhur me këtë projekt, Kryeministri Nano u shpreh se "ai shfaq avantazhet e projektit të propozuar nga AMBO në gjurmët Qafë Thanë-Vlorë, krahasuar me naftësjellësa alternativë në këtë rajon të Ballkanit. Tubacioni që kalon përmes tre vendeve Bullgarisë Maqedonisë Shqipërisë përfundon në terminalin e Vlorës, në parkun industrial të aprovuar nga qeveria disa kohë më parë, duke verifikuar largpamësinë e kësaj vendimmarrje, në funksion të planifikimit zonal urban. Prurja e projektuar prej 120 mijë metra kub, ose 750 mijë fuçi naftë në ditë parashikohet t'i sjellë Shqipërisë rreth 50 milionë $ të ardhura në vit".
Më pas, KRRTRSH vendosi:
Miratimin e projektit të gjurmës së naftësjellësit AMBO, Qafë Thanë-Vlorë sipas planimetrisë që bashkëlidhet.
Për miratimin e lejes së ndërtimit të plotësohet projekti i zbatimit si vijon: me projektin inxhinierik të naftësjellësit, studimin sizmologjik, gjeologjik, mjedisor dhe impaktet e këtij projekti për turizmin. Të plotësohet projekti me treguesit teknikë lidhur me seksionet nën dhe mbitokësore duke sqaruar distancën e kësaj linje nga objektet, në kushtet teknike të projektit ku ajo kalon. Në fundin e projektit parashikohet një zë i veçantë për përballimin e studimeve eventuale për gërmime arkeologjike të mundshme gjatë procesit të ndërtimit të këtij naftësjellësi.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, Këshilli i Qarkut Korçë, Elbasan, Fier dhe Bashkia Vlorë. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Destinacioni i naftësjellësit që do të transportojë rreth 40 milionë ton naftë në vit është të transferojë këtë sasi nafte nga Terminali tokësor i Burgasit në Terminalin e Vlorës, i cili do të jetë porti kryesor i ngarkimit të tankerave me destinacion tregun botëror. Tubacioni përshkon territorin e Shqipërisë në një gjatësi prej 160 km. Ai do të futet 1m deri në 1.5 m nën tokë dhe kalimet e rrugëve dhe lumenjve do të jenë nëntokësore. Gjurma e naftësjellësit nga Qafa e Thanës është parashikuar të kalojë në zonën fushore të Përrrenjasit, Pogradecit, Korçës, Elbasanit, Lushnjes, Fierit, Vlorës, Kavajës, Durrësit, si dhe në zonën malore të Librazhdit dhe Pogradecit. Rruga e zgjedhur nga ekspertët e çdo vendi dhe nga inxhinierët e kompanisë AMBO dhe Brown & Route ka shmangur qendrat e banuara si dhe ka pasur parasysh që tubacioni të kalojë sa më afër rafinerive. Studimi ka bërë edhe një vlerësim të plotë të problemeve të mjedisit.
Në mbedhjen e sotme të KRRTRSH u miratua edhe drafti për Termat e referencës së Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Urban.
Lidhur me këtë material, Kryeministri Nano u nënvizoi se "ky draft është i lidhur me faktin se vendi ynë ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit urban dhe meqënëse kapitali publik dhe privat që mbështet këtë zhvillim rritet vazhdueshëm, ka dhe nevoja të përcaktohen qartë rregullat e lojës të këtij zhvillimi si domosdoshmëri imanente. Drafti do të shërbejë si detyrë projektimi për grupin e konsulentëve të ngritur nga BB me kërkesë të Qeverisë Shqiptare".
KRRTRSH gjithashtu mori vendimin për shfuqizimin e studimit dhe të lejes së ndërtimit të fshatit turistik në zonën e Shkëmbit të Pëllumbave në Sarandë. Ky vendim u mor për arsye të mos respektimit të proçedurave ligjore përkatëse për miratimin e kësaj lejeje.
Në mbledhjen e sotme KRRTRSH vendosi edhe për miratimin e ristudimit urbanistik të zonës turistike të gjirit të Lalzit.
Ristudimi urbanistik i kësaj zone ka për qëllim zgjidhjen e nevojave ekonomiko-shoqërore për zhvillimin e turizmit, si dhe ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të vlerave natyrore në këtë zonë. Ai përcakton shkallën e ndërhyrjes, kapacitetet dhe sipërfaqet përkatëse, zonat që vihen nën mbrojtje e ripërtërihen. Ndër objektivat kryesorë të tij janë:
1)Të caktojë zonat më të përshtatshme për vendosjen e strukturave turistike dhe të japë kondicionet kryesore për ndërtimin e tyre, të inkurajojë partneritetin mes strukturave publike dhe private, përfshirjen e zonave të reja të zhvillimit të turizmit etj.
2)Rregullat dhe normat urbanistike dhe arkitektonike për personat me aftësi të kufizuar. Zhvillimi ekonomik i vendit tonë dhe veçanërisht urbanizimi i tij e bëjnë imperative edhe hartimin e legjislacionit në lidhje me rregullat dhe normat teknike për personat me aftësi të kufizuar. Këto rregulla do të bëjnë një plotësim të kuadrit ligjor në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës dhe, njëkohësisht, do të jetë një vlerësim që i bën shteti përmirësimit të mënyrës së jetesës së personave me aftësi të kufizuar.
Nëpërmjet përpilimit të rregullave sa më të detajuara teknike për këtë kategori shoqërore synohet të arrihet krijimi i kushteve lehtësuese për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje, shikim apo dëgjim. Miratimi i tyre shmang ndërtimet e papërshtatshme dhe lehtëson lëvizjen e këtyre personave në të gjitha mjediset. Principet bazë për këtë përshtatje jane :
-Të jetë e mundur të arrihet në të gjitha vendet, ndërtesat publike dhe ato të banimit
-Të jetë e mundur të hyhet në të gjitha ndërtesat publike dhe ato të banimit
-Të jetë e mundur që vendet e punës, zyrat dhe mjediset industriale së bashku të projektohen për të lejuar pjesëmarrjen dhe kontributin e PAK.
Gjithashtu u miratua studimi urbanistik për "Zonë rezidenciale, hoteliere, kamping dhe parkim i hapur"në zonën turistike të Karpenit-Kavajë.
Ideja e këtij projekti është të vlerësojë zhvillimin turistik të kësaj zone, duke favorizuar krijimin e strukturave turistike në harmoni me mjedisin dhe kushtet konkrete. Burimet natyrore dhe ruajtja e virgjër e zonës janë potenciali më i madh për zhvillimin e turizmit.
Sipas zonifikimit funksional, për këtë zonë parashikohen këto drejtime për zhvillimin turistik të saj: zonë shërbimi, zonë tregtare, zonë rezidenciale turistike, zonë sportive, zonë vendqendrimi për automjetet, zonë hoteliere, zonë e gjelbërt, zonë kampingu bungaloës, zonë plazhi.
KRRTRSH la detyrën e projektimit për hartimin e Planit të Përgjithshëm regullues të qytetit të Pogradecit. Qëllimi i hartimit të saj synon paraprirjen e hartimit të Planit të përgjithshëm rregullues të qytetit. Ky material paraqet tablonë e gjendjes aktuale të qytetit, si dhe analizën e detajuar të kësaj gjendjeje; përcakton kërkesat sasiore e cilësore për zhvillimin perspektiv si dhe skicon propozime për zgjidhjen e problemeve aktuale dhe perspektive të qytetit.