Pas mbledhjes së Kryesisë së PSSH-së, jam sot këtu për të vlerësuar së bashku hapat e mëtejshëm politikë të cilat do të na çojnë në konsolidimin e maxhorancës dhe përmirësimin e qe
Pas mbledhjes së Kryesisë së PSSH-së, jam sot këtu për të vlerësuar së bashku hapat e mëtejshëm politikë të cilat do të na çojnë në konsolidimin e maxhorancës dhe përmirësimin e qeverisjes. Që në fillim dua të theksoj se zhvillimet e këtyre muajve të fundit kanë tronditur seriozisht pozicionin politik të maxhorancës në qeverisjen e vendit. Unë e kuptoj se edhe ju të gjithë gjykoni dhe vlerësoni atë se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh midis nesh, madje ndonjëri nga ju ka shkuar më tej duke përcaktuar edhe përgjegjësitë, duke përcaktuar edhe "fajtorët". Unë dua t'ju them se i gjithë ky debat ka në themelin e tij demokracinë e brendëshme të partisë sonë, demokraci e cila na diferencon dukshëm nga partia e Berishës.
Ne të gjithë këtu kemi marrë përgjegjësi politike dhe publike për të qeverisur këtë vend. Prandaj është e tepërt të filloj e të përsëris nevojën për reforma, për përfundimin e negociatave të SAA, për ruajtjen e stabilitetit ekonomik etj. Kjo problematikë është prezente para të gjithëve ne, pavarësisht nga posti apo funksioni publik që mbajmë. Për mua problemet politike të shprehura në debate apo vendime janë të ndara nga problemet e qeverisjes. Kjo e dyta nuk është dëshirë e as muhabet kafenesh e forumesh partiake për askënd, por është detyrë për të gjithë ne para shqiptarëve. Se bie fjala, nuk është e thënë që të jesh detyrimisht në qeveri për të penguar dhe përballur represionin e Berishës në Kuvend, nga i cili pritet të miratohen ligje të rëndësishme. Në qoftëse do t'i ishim nënshtruar pallavrave politike që lëshohen poshtë e përpjetë në këtë cast që po flasim, ndoshta do flisnim si opozitarë të bashkuar kundër hakmarrjes së Berishës.
Pra ajo që po them, ka të bëjë me një ndarje të qartë të detyrave politike të secilit në parti, që do të vlerësohen në Kongresin e partisë me detyrat dhe përgjegjësitë në qeveri. Nuk mundet që proçesi kongresual të ndikojë në zbatimin korrekt të Kushtetutës psh. Me zbatim korrekt kuptoj përfundimin e rregullores së Kuvendit e cila duhet të normojë më mirë detyrat tona ligjvënëse, përballë bojkotit apo aleancave fluide. Fjalën e kam për kryerjen e detyrës dhe funksionimin e maxhorancës sonë parlamentare, si në seancë parlamentare dhe në komisionet e përhershme për dhunim-bllokimin e vendimamarrjes legjislative dhe të rregullave të parlamentarizmit nga Berisha, apo për kontrollin dhe balancën e pushteteve legjitime që fillon nga shfrimet a sjelljet antikushtetuese kundër institucioneve, e deri te vakancat artificiale në ekzekutiv.
Përsa i takon qeverisjes, meqë më keni mandatuar si Kryeministër të vendit, po ju them ato që raportova edhe në kryesinë e Partisë, se jam në fazën e vlerësimit të punës së secilit ministër. Ky proces koincidon edhe me plotësimin e 2 vendeve vakant. Unë vlerësoj se qeveria ka nevojë për një freskim në disa sekorë ku të gjithë ndjejmë se ka probleme. Ende nuk kam konkluduar për këtë gjë, por gjithsesi e rëndësishme është të zhvillojmë një proçes politik konsultimesh edhe me grupin parlamentar, për të adresuar më mirë problematikën e ngritur.
Këtij aksioni politik duhet t'i paraprijmë me disa kritere të cilat do të ç'personalizojnë debatin dhe do të konsolidojnë përfundimisht maxhorancën, e cila nuk është e secilit prej nesh veç e veç, por e Partisë Socialiste. Diskutimi se qeveria na u dashka me apo pa Fatos Nanon, apo ndonjë tjetër, mendoj se nuk është pjesë e gjykimit tonë politik tashmë. Ky diskutim është tejkaluar pasi ndaj Kryeministrit tuaj nuk është marrë asnjë nismë Kushtetuese për shkarkim por thjesht është hedhur dhe po hidhet balta e rradhës, duke tentuar ngecjen e faturës politike të konsumit elektoral të pëfaqësuesve tanë. Megjithatë, le ta tejkalojmë edhe këtë moment, për t'ia lënë forumit politik më të lartë të partisë, pra Kongresit për ta gjykuar dhe vlerësuar politikisht edhe këtë. Ne të gjithë këtu kemi detyrën të zbatojmë vendimet politike që marrim. Nëse nuk ndodh kjo, atehere duhet të marrim një vendim tjetër politik, i cili duhet të reflektojë vullnetin politik të anëtarësisë dhe të forumeve, krahas interesave të vendit, me të cilat nuk mund të tallemi më me variacione rreth maxhorancës. Kemi përpara detyrime qeverisëse nga sigurimi i rendi dhe sigurisë që janë nën kontroll të plotë e deri tek ruajtja e stabilitetit makroekonomik që e kërkon edhe zhvillimi me sukses i negociatave, rezultate këto me të cilat ju jeni të njohur.
Koncepti im për freskimin e kabinetit qeveritar bazohet në këto kritere:
1- Do të largohen ata ministra që kanë mosrealizime programore të matricës qeverisëse dhe që nuk gëzojnë më tagrin e përfaqësimit politik në qeveri.
2- Do të ftohen për të qeverisur figura të tjera përfaqësuese. Natyrisht duke gjykuar shkallën e përfaqësimit real dhe jo atë fiktiv. Dmth, fjala është për njerëz të votuar dhe me detyra përfaqësuese, si dhe me kontribute të spikatura në jetën politike, parlamentare dhe qeverisëse.
3- Do të gjykohet mbi CV konkurruese që garantojnë përshtatjen e burimeve tona njerëzore me detyrat përkatëse ekzekutive.
4- Në këtë proçes ne duhet të rivlerësojmë edhe marrëdhëniet me aleatët tanë politikë, me të cilët kemi qeverisur në këta 7 vjet. Rivlerësimi i aleancave është gjithashtu domosdoshmëri për statusin e ri në të cilin ndodhet PSSH, por edhe qeverisja e vendit.
Këto kritere do të jenë në themelin e çdo bisede dhe negociate që do të ndërmerret në këtë funksion. Unë do të vlerësoja që edhe diskutimi ynë sot në këtë mbledhje duhet të jetë pikërisht rreth këtyre kritereve. Kontributi juaj do të ishte i dobishëm dhe mbi këtë bazë do të marrim edhe vendimet politike, sepse maxhoranca jonë legjitime parlamentare është këtu.
Edhe një herë dua të theksoj se vullneti im dhe i Kryesisë së Partisë është për të freskuar kabinetin qeveritar mbështetur në këto terma reference duke filluar qysh sot. Ne nuk mund që thjesht të plotësojmë mekanikisht dy vendet vakante, përderisa ka vend për përmirësim të qeverisjes dhe për rivlerësim kontributesh të gjithsecilit.