E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam sot këtu për të çuar deri në fund analizën e periudhës katërvjeçare të veprimtarisë së PSSH-së midis dy kongreseve zgjedhore për arritje por edhe dobësi, probleme dhe vështirësi q

Jam sot këtu për të çuar deri në fund analizën e periudhës katërvjeçare të veprimtarisë së PSSH-së midis dy kongreseve zgjedhore për arritje por edhe dobësi, probleme dhe vështirësi që kemi kapërcyer dhe kemi përpara të cilat shfaqen si sfida për zhvillim.
Natyrshëm jam këtu sot edhe për të dhënë llogari si Kryetar i PSSH-së dhe në vitin e fundit Kryeministër i mandatuar sërish prej saj dhe për t'ju ftuar që të shfaqim sëbashku qartësisht realitetin, ndryshe nga ndonjë perceptim i çastit dhe emocional dhe po e sqarojmë realisht besimin dhe shpresën e qytetarëve edhe këtu në Shkodër ashtu si mbarë shoqërinë shqiptare tek socialistët dhe progresistët. Këtë po e bëjmë edhe përmes këtij proçesi të pastër demokratik dhe transparent për të gjithë. Megjithëse ky është takimi im i parë institucional me bazën e partisë dhe proçesin e kongresit të 12 dhjetorit, me lejoni të përfitoj nga rasti, dhe rastet duhen shtuar, jam dakort me Ndue Ndrecin, t'ju uroj të gjithëve nga afër për atë arritje të partisë sonë si anëtare me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste Botërore. Ky status, që ju ka shoqëruar në 12 vjet të historisë së PSSH-së dhe sakrifica, vështirësi dhe fitore është tërësisht i merituar për këtë parti të madhe që vazhdon të jetojë dhe të gjallërojë të gjithë jetën e vendit. Kjo parti që për asnjë çast nuk ka rreshtur të transformuari vetveten, duke plotësuar standarte statutore dhe programore, që tashmë janë njohur botërisht, që përputhen me socializmin demokratik modern apo që sundon edhe në vende të Bashkimit Europian dhe në një numër të madh vendesh në mbarë kontinentet. Kjo ka ndodhur sepse kemi qënë dhe mbetemi të prirur nga filozofia se pa një parti të reformuar nuk mund të përmbushet programi i gjerë i reformave që po transformojnë Shqipërinë dhe po e integrojnë në komunitetin euroatlantik. Motoja jonë ka qënë dhe mbetet parti moderne për shtet modern.
Ju jeni të gjithë miq dhe partnerë të progresit. Katër vitet e fundit edhe në veprimtaritë tona politike dhe qeverisëse karakterizohen krejtësisht nga përmbushja e objektivave themelore të programit të socialistëve dhe nga shndërrimi i PSSH-së përfundimisht në një parti të masës së gjerë, të elektoratit të gjerë, në një parti elektorale që vazhdon të mbetet forca politike më e votuar në Shqipëri. Ne e kemi pohuar dhe po analizojmë tashmë se zgjedhjet e fundit vendore, pra administrative, dëshmuan një lëkundje të besimit të zgjedhësve ndaj nesh. Shumëkush, për habinë më të madhe, edhe shumë njerëz brenda nesh, vazhdojnë të lëshojnë alarme fallso, pas të cilave fshehin qëllime karriere personale.
Kjo nuk është krizë e qeverisjes të nderuar shokë dhe shoqe,
Ritheksoj se nuk ka asnjë bazë dhe ka një kontradiktë midis votave që na dhanë zgjedhësit në 12 tetor 2003 dhe kontributit që kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim për zhvillimin dhe progresin e përgjithshëm të vendit, duke e futur atë në mënyrë të pakthyeshme dhe me ritmet e duhura në rrugën e integrimit euroatlantik. Në mënyrë mjaft të spikatur kjo dukuri u shfaq edhe këtu në Shkodër, ku megjithë investimet e shumta publike, me gjithë përmirësimet rrënjësore në infrastrukturën dhe shërbimet që i ofrohen qytetarëve, megjithë kujdesin social që financohet për të gjitha familjet në nevojë në Shkodër dhe rrethina, me gjithë çeljen e kufirit, pra dhe tregut me Malin e Zi e më gjerë, sërish nuk po arrijmë të bëhemi forcë e parë politike.
E njëjta situatë kontradiktore paraqitet edhe për bashki si Korça, Saranda apo Elbasani. Natyrisht, nuk mund të fajësohet elektorati për këtë. Ne jemi duke analizuar vetveten me qëllime të ndershme për të përcaktuar së bashku shkaqet dhe fajtorët, për t'u angazhuar pa vonesë që të transformohet gjendja sipas hartës së humbjeve dhe të mosfitoreve elektorale. Qëllimi ynë është të fitojmë bindshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Shkodranët duhet të kenë pushtetin që meritojnë, pushtetin e socialistëve dhe progresistëve, prandaj duhet të angazhohemi me të gjitha energjitë dhe faktorët e përgjegjshëm që ta arrijmë këtë objektiv madhor.
Këtu në Shkodër, ka probleme të rëndësishme, shqetësime serioze të raportit midis partisë dhe shoqërisë civile, midis partisë dhe reformave për zhvillim, midis partisë dhe qeverisjes qëndrore dhe vendore. Unë jam i bindur se ju keni të gjithë pjekurinë dhe forcat e duhura për të arsyetuar drejt dhe për t'i zgjidhur hap pas hapi problemet. Unë nuk besoj se nuk është e qartë edhe në Shkodër, hapja e PS ndaj faktorëve të progresit dhe të zhvillimit, se nuk është e qartë se pa Gjergj Liqejzën PS në Shkodër do të kishte marrë më pak vota dhe me Gjergj Liqejzën PS duhet të kishte punuar më mirë
Prandaj ketu nuk jemi për të përjashtuar faktorë progresi dhe zhvillimi. Këtu jemi për të ndërtuar më mirë komunikimin dhe qarkullimin e një investimi të madh politik të PSSH-së në shkallë vendi dhe në Shkodër, në të gjitha dejet e shoqërisë shkodrane, në të gjitha shtëpitë shkodrane, komunitetin shkodranë të përbërë nga njerëz sipërmarrës apo hallegjinj, në të gjitha komunitetet fetare të Shkodrës dhe sidomos për të thyer izolimin e madh, perden e rëndë të hakmarrjes dhe urrejtjes që ka ngjallur regjimi i Berishës vit pas viti në këtë qytet, që duhet të kthehet në kryeqendër të zhvillimit modern të mbarë vendit.
Më lejoni pra, t'i futem më në thellësi analizës për rezultatet e pakënaqshme të zgjedhjeve vendore. Mbështetur në sisteme normale demokratike një maxhorancë vlerësohet nga raporti që krijon midis premtimeve dhe realizimeve të tyre. Unë, Kryetari juaj llogaridhënës, si çdo socialist i thjeshtë edhe në këtë sallë, e deklaroj me bindje, përgjegjësi dhe fakte se në pushtetin e socialistëve çdo premtim i dhënë është i realizuar. Situata makroekonomike e çertifikuar nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga Banka e Shqipërisë, është krejtësisht normale për vitin e shtatë rresht. Për pasojë, investimet publike dhe private në ekonomi po shtohen çdo ditë me ritme të larta. Bankat gjithnjë e më mirë po thithin kursimet e popullatës dhe po shtojnë me shpejtësi kreditimet për ekonominë e lirë dhe private. Sot sistemi ynë bankar, jo vetëm ka zëvendësuar plotësisht sistemin e piramidave të Berishës, por administron në mënyrë të sigurt dhe fitimprurëse 2.5 milardë USD kursime të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që punojnë jashtë vendit. Papunësia në shkallë republike ka zbritur nën nivelin e 14%, nivel ky i përafërt me shumë shtete anëtare të BE-së. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm po vazhdon të përmirësohet në të gjithë territorin e vendit, edhe këtu në Shkodër, megjithë mangësitë e faturave apo të energjisë si pasuri kombëtare. Inflacioni është frenuar përfundimisht dhe rritja e pagave është në mënyrë të qëndrueshme dhe, për të shtatin vit rresht, më e lartë se e çmimeve. Gjëndja e sigurisë në vend ka përmirësim të paimagjinueshëm edhe nga pak vite më parë. Veprat minimale janë në minimumin e tyre historik të të gjithë epokës së tranzicionit. Përmes një veprimtarie ekzekutive gjithnjë e më profesionale, sistemi i drejtësisë së organizuar i jep goditje vdekjeprurëse krimit të organizuar dhe trafiqeve. Proçesi ynë i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, po vazhdon me ritme mëse normale. Eshtë bërë një proçes përfundimisht i pakthyeshëm dhe që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të na cojë në nënshkrimin e këtij raporti dhe marrëveshje me një stad më të zhvilluar në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në drejt integrimit përfundimtar në të në vitet që vijnë. Republika jonë e Shqipërisë, si asnjëherë tjetër, ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe të qëndrueshme partneriteti me dy aleatët më strategjikë të shqiptarëve në të gjithë historinë e qytetërimit të tyre, me SHBA dhe me vendet e Europës moderne, me vendet e BE-së. Pra si është e mundur që me gjithë këto realizime u ndodhëm befas përballë një elektorati me besim të lëkundur. Shkaqet janë brenda nesh dhe duhen zbuluar dhe korrigjuar menjëherë që të rivendosim dhe zgjerojmë besimin e publikut, dhe që të shkojë haka tek i zoti.
Pak muaj para zgjedhjeve vendore u trondit në mënyrë të përsëritur kohezioni ynë i brendshëm. Dhe kjo vazhdoi edhe gjatë fushatës elektorale, duke e fragmentarizuar atë ashtu si vëmendjen e zgjedhësve. Ai u rishfaq në mënyrë të shëmtuar edhe në mbledhjen e grupit tonë parlamentar, vetëm para dy ditësh. Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve një grup deputetësh, që me mandatin e PS janë zgjedhur nga populli, refuzoi të votojë ministrin e Jashtëm të propozuar në bazë të të drejtës kushtetuese nga Kryeministri dhe Kryetari i partisë, i mbështetur nga Kryesia e partisë, dhe nga shumica dërrmuese e grupit të saj parlamentar. Ky veprim bllokues u rishfaq edhe menjëherë pas zgjedhjeve. Elementë dhe individë të këtij grupi edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve administrative iu shkëputën fushatës zyrtare të organizuar dhe programuar të PS-së për zgjedhjet vendore. Siç e dini organizuan takime të shkëputura me zgjedhësit dhe më së shumti futën shkopinj në rrota. Më keq se kaq, në mënyrë demagogjike ata u bënin thirrje zgjedhësve të votonin për PSSH-në, megjithëse paskeshin një qeveri abuzive, autokratike apo mashtruese. Etja për karrige ministrore, motra dhe vëllezër, dhe urrejtja ndaj lidershipit legjitim të PSSH-së, ju ka zënë sytë deri në atë shkallë që ata të dalin me parrullën "të humbim zgjedhjet vendore që të kemi edhe një armë kundër Fatos Nanos dhe ta rrëzojmë nga qeveria".
Ja ku jemi sërish bashkë, sërish për fitore. Ju jeni dëshmitarë të patjetërsueshëm që Kryetari juaj vazhdimisht ka mbrojtur dhe ngritur në një institucion lirinë e shprehjes dhe të veprimit demokratik në 12 vjet histori të PSSH-së. Për t'i hapur rrugë lirisë së kulturës së konkurimit dhe alternativave brenda nesh kam institucionalizuar edhe dorëheqjen. Kam ofruar, pranuar dhe realizuar shumë kompromise në dobi të kohezionit tonë të brendshëm. Kam qënë po unë në krye të partisë gjatë gjithë këtyre viteve pluralizëm, kur ne kemi humbur vetëm një palë zgjedhje dhe kemi fituar si rregull në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht egërsisë së njohur të kundërshtarit tonë tradicional apo tashmë të kundërshtarëve të rinj brenda nesh. Asnjëherë nuk kam demostruar tendenca abuzimi me mandatin dhe detyrat që më keni besuar, siç po bëjnë prej disa muajsh disa nga shokët tanë. Këta njerëz strapacohen, (siç thuhet këtu në Shkodër), të përligjin veprimet e tyre të përsëritura në krah të opozitës destruktive dhe të Berishës, duke u justifikuar se po veprojnë siç bëri Fatos Nano në dhjetor 2001.
Motra dhe vëllezër,
Mua si individ është i lirë të më kopjojë cilido, por Kryetarin e Partisë të zgjedhur nga votat e delegatëve të Kongresit, nuk ka të drejtë dhe autoritet statutor ta dublojë askush. Kjo që po them nuk është autoritarizëm, por është hierarki e vlerave e provuar me votën tuaj. Eshtë respekt për votën tuaj dhe për skemën demokratike të funksionimit të institucioneve të Partisë. Kryetari i Partisë nuk është institucioni i vetëm në parti. Kjo parti ka drejtues në të gjitha nivelet, sepse është demokratike dhe ka decentralizuar vendimmarrjen dhe kontrollin e zgjedhësve mbi të zgjedhurit. Por, kjo parti mbi të gjitha funksionon me vendime dhe programe politike që miratohen nga Kongresi, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues dhe Kryesia e Partisë, sipas hierarkisë së përfaqësimit në katër vjet. Sot ortakët realë të Berishës brenda nesh po enden nëpër salla alternative dhe jo të konferencave zyrtare duke përgojuar emrin e anëtarësisë. Kur Kryetari i partisë kërkoi të zbatonte demokracinë direkte për 2001-shin, referendumin e anëtarësisë për çështjet themelore të kapërcimit të problemeve të brendshme dhe të ndërtimit të kohezionit tonë politik, ishin po këta njerëz që bënë çmos për të bllokuar lëvizje të tilla me përmasa demokratike që përfshinin të gjithë partinë. Dhe atëherë unë pranova për të mirën e stabilitetit tonë politik dhe qeverisës një kompromis, i cili u bë baza e krijimit të qeverisë që unë drejtoj. Kam bërë mirë apo keq? Jam i hapur t'i dëgjoj të gjitha gjykimet tuaja.
Disa prej bllokuesve të maxhorancës sonë politike kanë 12 vjet që më akuzojnë për autoritarizëm apo abuzim me detyrën politike apo shtetërore. Asnjëherë këta njerëz nuk kanë tentuar të shfrytëzojnë rregullat tona statutore për ta votebesuar këtë "problem të madh" të socialistëve. A e dëgjuat z.Meidani para pak ditësh në emisionin "Shqip". Ai më akuzoi se kisha tentuar të përçaj partinë edhe duke qenë i mbyllur në qelinë e Bënçës. Për shkak të ftesës sime,- fjala e lirë nuk mbyllet dot as në burg, aq më pak nuk mbyllet brenda PS-së,- kërkesës sime mocion për debat. Risjell në kujtesën tuaj këtë lëvizje reformatore të partisë, që konkludoi në ndryshimet thelbësore demokratike, statutore dhe politike të Kongresit të 3-të të partisë, për të kujtuar për të gjithë se qysh atëherë në udhëheqjen e lartë të PS-së kishte indidvidë që dëshironin që Fatos Nano jo vetëm të mbyllte gojën por të qëndronte edhe në burg. Këta individë janë të njëjtët që po frymëzojnë dhe furnizojnë shokun Meidani edhe në konkurimin e tij për kreun e PS-së. Pse shoku Meidani, që e paska kuptuar Fatos Nanon që në burg "sa i lig dhe i prapë ishte", pranoi propozimin tim për t'u bërë President i Republikës? Pse shoku Meidani dhe Gjinushi kur kishin raporte të këqia me ish-kryeministrin Meta në heshtje, me veprimet publike u rreshtuan përkrah Kryetarit të maxhorancës Fatos Nano dhe lëvizjes për katarsis, kur na e kishin ditur se, aty po niste historia e përbaltjes së historisë së PSSH-së? Kur kjo parti paska gjithë këto të meta, që qenkan trashur me kalimin e kohës, atëherë ne kemi të drejtë t'u bëjmë shokëve konkurentë një pyetje të thjeshtë: Nëse kjo është një parti e tillë, staliniste ku diktatura e shumicës mbi pakicën qënka diktaturë e tipit proletar, e pareformuar, megjithëse e sapopranuar në Internacionale, që nuk pyet për anëtarësinë, që po shkoka në opozitë. Përse e lakmojnë këta shokë partinë dhe drejtimin e saj?
Sepse nuk lakmohet gjëja e keqe siç thoni ju shkodranët.
Pra kjo është parti e integrimit europian të Shqipërisë dhe jo parti karrigesh. Nga ana tjetër këta kandidatë, të përfshirë nga një gjendje prej deliriumi anarkisto-epileptik edhe na akuzojnë për stalinizëm edhe nxisin dhe jetojnë edhe jetojnë vetë në sherre pafund. Mua më duhet të kujtoj se ajo nuk ka vdekur. Ne e dimë sesi i trajtojnë partitë staliniste, ata që votojnë ndryshe, as i bëjnë kryeministër, as presidentë, as ministra e as kryetarë bashkish. E dini ku i çojnë stalinistët.
Kjo është çështje e formimit transkulturor që duket se dallon dukshëm nga pretendentët për karrige dhe pushtet që i kundërvihen partisë që i zgjedh. Ne nuk do ta ndërpresim kurrë përplasjen e mendimit të lirë dhe të hapur. Nuk do ta dënojmë kurrë mendimin e ndryshëm dhe alternativ, sepse kështu jemi reformuar, kështu mbetemi vitalë, kështu mbetemi të votuar dhe prandaj jemi pasuruar dhe jemi bërë në mënyrë të qëndrueshme gjerësisht të votueshëm.
Të mos ngatërrojmë biznesin e vogël të zgjedhjeve në fshat apo në qytet në pushtetin vendor, në vlerësimin dhe kredibilitetin politik të një partie popullore gjerësisht të votuar në 12 vjet të historisë pluraliste në Shqipëri. Për këto arsye jam vërtet i shqetësuar që edhe konkurentët e mi nuk njohin as elementët bazë të konkurimit, pasi konkurimi me fisnikëri dhe vlerë.
Z. Rama mirëseerdhët në PS. Nuk më keni dhënë akoma dorën që kur keni marrë teserën e saj.
Prandaj po ripohoj – më vjen keq që as ju dhe as unë nuk po dëgjojmë ndonjë alternativë politike, por po dëgjojmë më shumë ankime dhe qarje buxhetore a financiare, për të mos thënë tenderuese. Por PS nuk është në shitje, aq më pak tek ekstremet informale të shoqërisë shqiptare majtas apo djathtas. Prandaj në emrin tuaj, me të drejtën e atij që ka vuajtur dhe jeton sëbashku me ju, - nëse më lejoni po i drejtohem këtyre shokëve, Edit, Rexhepit, Ilirt dhe të gjithë të tjerëve, - po u drejtoj vetëm një këshillë: mos veproni kështu, mos e nëpërkëmbni partinë tonë dhe anëtarësinë e saj të mrekullueshme, mos hidhni baltë mbi të, në partinë tonë hyhet vetëm me dashuri. Rroftë partia jonë e mrekullueshme!

Po përpiqem të komunikoj me Edi Ramën në praninë tuaj, për të gjithë shqetësimet që ai ngriti. Partia jonë e pati institucionalizuar garën dhe konkurimin për udhëheqje te të gjitha nivelet dhe në asnjë rast fituesi nuk ka likujduar kundërshtarët, pasi në partinë tonë është rregulluar dhe është norma numër një e statutit që fituesi i bën të gjithë të fitojnë dhe nuk është varianti i likujdimit të kundërshtarit. Pra, në vend të variantit zero-zero është varianti win-win win dhe ti, Edi e di mirë se ç'është ky variant.

12 tetori është vërtet shqetësues. Është shqetësues për çjerrjen tonë të brendëshme dhe nuk është aspak dritë jeshile për opozitën. Unë do të vazhdoj deri në Kongresin e partisë të analizoj qartësisht me ju rialokimin e votave dhe shqyerjen e votave edhe me aleatë apo njerëz të padenjë brenda nesh. Votat e PS nuk kanë shkuar te Berisha. Ai nuk ka marrë asnjë votë më shumë, as këtu në Shkodër. Votat e PS, - ju përulem thellësiht në formë autokritike – kanë shkuar tek njerëz të pamerituar brenda nesh dhe të Aleancës për Shtetin. Do ta korigjojmë sëbashku këtë gjë, jo duke ia mbyllur, por duke vazhduar të hapemi ndaj njerëzve si Gjergj Liqejza, Edi Rama dhe të gjithë faktorët e tjerë të progresit dhe zhvillimit të vendit.

Natyrisht ka një krizë etike në PS, por kjo nuk është krizë e qeverisjes, i dashur Edi. Nuk mundet që partnerët ndërkombëtarë të vendit, që janë shumë më të painteresuar për drejtimin e qeverisë, ministrive, partive politike shqiptare, sesa pretendentët brenda nesh, të vlerësojnë një situatë të qeverisjes aktuale në Shqipëri si normale, progresive, dinamike, si në parametrin dhe ritmin e duhur, si në angazhimet e duhura për të luftuar dobësitë e sistemit dhe krimin e trafiqet. Nuk mundet që në punën e përditshme, në kontaktin politik, shtetëror, ekzekutiv, legjislativ, policor, të shërbimeve inteligjente dhe në organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria vazhdon të jetë partner dhe pjesëmarrës aktiv, të kemi vlerësime të ndryshme nga ato që po përbëjnë boshtin e konkurimit tuaj për kryetar të PS, nga ato që po përbëjnë anatemimin e grupit të pakicës bllokuese të maxhorancës parlamentare për të krijuar destabilitet në qeverisjen e Shqipërisë dhe duke bashkuar votat me Berishën, që pushteti t'i kalojë atij. Kjo është një parti që kurrë s'ka qenë e bunkerizuar. Kjo parti nuk arriti të kthehej në bunker as në tallazet e regjimit të Berishës, që ty të hodhën jashtë shtetit, mua më hodhën në burg dhe të gjithë këta i masakruan, i lanë pa punë dhe i kanë bërë realisht militantë kaq të ndershëm sa nuk dorëzohen para kurrkujt.

I dashur Edi, ti i ke patur të gjitha shanset të integrohesh me shumicën. Ti edhe këtu sot po flet në emër të pakicave. Ti nuk ke asnjë arsye të sillesh si përfaqësues i pakicave dhe t'u qash hallin pakicave se mos diktatura jonë socialiste do t'i masakrojë. Në qoftë se ti do të zgjedhësh përfundimisht opsionin e pakicave, atëherë unë jam i detyruar të të kujtoj se niveli i përsëritur i votimit tënd mazhoritar si Kryetar i Bashkisë së Tiranës është i përbërë nga dy pjesë, nga pjesa e shumicës prej 49% dhe pjesa tënde e pakicës prej 9% mbi PS. Vazhdo t'i shërbesh asaj se ne jemi shumë të lumtur që ke arritur të na japësh edhe 10% të votave më shumë, por këto nuk janë ashtu siç the ti, - dhe këtu bashkohemi, - pjesë që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Janë pjesë që komplementojnë njëra-tjetrën, prandaj mos u sill si përfaqësues i pakicës, vazhdo të sillesh si përfaqësues i shumicës, sepse prandaj je rivotuar.

Përfaqësuesit e pakicave kanë krijuar klane në PS. Unë megjithëse jam lider i vetëm në 12 vjet, nuk kam qenë kurrë në krye të ndonjë klani. Vazhdoj të kërkoj dhe të luftoj me mjete demokratike të organizimit tonë të brendshëm dhe ato të demokracisë që mbrohet nga Kushtetuta në Shqipëri, që përfaqësuesit t'i binden mandatit politik që u kanë dhënë votuesit. Nuk ka regull tjetër në demokraci. Nuk mund të sillesh për shumë kohë si përfaqësues i një copëze votuesish në fshat apo qytet dhe ta përdorësh këtë mandat kundër partisë politike, programit politik dhe maxhorancës politike që qeveris bashkitë e komunat e tjera apo vendin për vitin e 7 rresht. Pra, lideri i vetëm është lideri i votuar nga anëtarësia, është lideri që jo për herë të parë konkuron me përfaqësues të tjerë të partisë dhe ju lutem qetësohuni dhe mësoni të pranoni të dyja rezultatet, edhe fitoren edhe humbjen, siç i kam pranuar unë në 12 vjet.

Ju po flisni, i dashur Edi, me filozofi qeverisëse buxhetore, investimore, që bllokon zhvillimin e vendit. Nuk jemi kaq të lirë sa ta pranojmë kaq lehtë këtë mënxyrë. Është buxheti ynë që krijohet dhe konsolidohet vit pas viti dhe në luftë kundër evazionit dhe parave informale që ushqejnë trafiqet dhe veprimtarinë kriminale edhe në treg, që po financon edhe infrastrukturën edhe kohezionin social, edhe shpenzimet publike, edhe shpenzimet operative me të cilat mbahet në këmbë një administratë që, megjithë problemet që ka, u shërben qytetarëve sipas prioriteteve të zhvillimit që janë të fiksuara qartë në programin politik të PS, të fiksuara qartë në strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, të verifikuara dhe të financuara edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe si pasojë nëse kemi ndarë vazhdimisht sëbashku arsyetimin për nevojën e luftimit të sëmundjeve të fragmentimit të tepruar të buxhetit, ju nuk keni të drejtën morale që këtë ta ktheni në fenomen të përgjithshëm për të goditur ushtrimin qeverisës dhe buxhetin me të cilin financohet qeverisja progresiste e Shqipërisë, sepse përndryshe do të detyrohem të sjell një fakt që është kundër arsyetimit tuaj.

Buxheti në Shqipëri është i detyruar të financojë shpenzime prioritare që garantojnë dhe riprodhimin e resurseve për zhvillim, arsimin dhe kujdesin shëndetësor në të gjitha pjesët e territorit ku jetojnë njerëz. Nuk mund ta heqim ushqimin për zhvillim komuniteteve që kanë zgjedhur atë pjesë të territorit për të jetuar sipas traditës, siç po zgjedhin një pjesë e tyre lëvizjen drejt metropoleve të zhvillimit apo rrugëve të emigrimit. Ndërkaq të kërkosh një ritëm më të lartë nga reforma e deçentralizmit dhe financime për to është një shtytje pozitive dhe e dobishme, por ta shoqërosh këtë me padurim për të patur në të gjithë territorin e Shqipërisë ritmin e menaxhimit të fondeve publike dhe të deçentralizimit që ka kryeqyteti, do të thotë ta futësh ushtrimin buxhetor dhe stabilitetin makroekonomik apo financimin e nevojave prioritare të njerëzve në të gjithë territorin, në qorrsokak. Unë e di që ti vazhdon të zhvillosh debatin me qeverinë dhe me disa nga prioritetet e buxhetit të saj në funksion të deçentralizimit.

Ju e dini që Edi do të eci më shpejt në Tiranë me deçentralizimin e arsimit, në mënyrë që bashkia të marrë më shpejt dhe më gjerë autoritetin në fushën e shpenzimeve për edukim, arsim, për ndërtim shkollash dhe modernizim, pra për një kontigjent që e ruan vitale shoqërinë shqiptare siç janë fëmijët dhe të rinjtë. Por unë nuk mund ta bëj këtë në kurriz të të tjerëve, të fëmijëve të tjerë, të fëmijëve të Shkodrës, të Kukësit, të Tropojës, të Librazhdit, fëmijëve të Bregut të Lumit. Ata nuk janë më pak të vlefshëm për zhvillim, sesa fëmijët e bulevardit të kryeqytetit. Debati juaj për ushtrimin buxhetor të 2004 rezultoi se ju kërkoni mbi 1.2 miliard lekë për arsimin në Tiranë. Më falni, por 1.2 miliard lekë është gjithë pjesa e buxhetit për arsimin në shkallë kombëtare. Unë jam përgjegjës për interesa më të gjëra sesa ato të një qyteti, qoftë ky edhe një kryeqytet. Unë natyrisht po vazhdoj të mos lejoj shqyerjen e buxhetit nga duar tenderuesish të papërgjegjshëm.

Ju duhet të kuptoni dhe mirëseerdhët në partinë tonë, se këtu ka një përvojë të gjallë. PS është shumë e organizuar dhe prandaj ne jemi kaq të qetë, pavarësisht nga padurimi yt apo i disa të tjerëve. Por ama një organizatë politikë moderne që ka të drejtë të krenohet që u çertifikua si e tillë nga organizata homologe me përmasa ndërkombëtare, Internacionalja, nuk mund të degradojë papritmas në një rrjet qendrash në të gjithë territorin, aq më pak në një fondacion politik. Kjo nuk është shoqatë humanitare i dashur Edi. Ky është një bashkim vullnetar njerëzish, i cili dyert vazhdon t'i ketë të hapura për të hyrë, por edhe për të dalë. Kjo është një parti që ka edhe institucione të pavarura, ku denoncohen abuzimet, shkeljet e të drejtave apo kapërcimi i përgjegjësisë nga të zgjedhurit në kurriz të anëtarëve. Ju që iu drejtuat Komisionit të Garancive Statutore,- është një çështje që ju preku juve,- mund t'i ishit drejtuar bashkë me delegatin e '91 të njëjtit institucion me fakte për pretendimin, për atë akuzim skandaloz që përmendët këtu në konferencën e Shkodrës. Por unë dua t'ju them që, nuk kemi autoritetin për të ndëshkuar apo frenuar të vetëm abuzuesit kudo që janë. Ka institucione që gëzojnë mandatin dhe autoritetin e të gjithë Kongresit për këtë gjë. Mark Nikollin e ka zgjedhur Kongresi, pavarësisht se nuk i pëlqen Sali Berishës, që e quan Mark Abdia. Prandaj unë dua ta mbyll këtë kapitull duke të garantuar se kjo nuk është një parti e episodeve të vogla, kjo është parti e ngjarjeve të mëdha, aq më pak kjo është parti e ngacmimit të grave të shokëve. Unë po ju lajmëroj se sot kemi edhe në të drejtë të festojmë. Sot është dita ndërkombëtare kundër SIDA-s. Ne nuk kemi virusin e HIV-it në PS dhe virusi HIV është diktatura e proletariatit që na përmendi shoku Edi.

Të dashur shokë, të dashur shoqe,

Një analist para disa ditësh e përkufizoi kështu lidershipin e PSSH. Nano bëri Nanon dhe Metën Kryeministër dhe zv/kryeministër dhe ata konkuruan bashkërisht në Kongresin e 3-të për kreun e partisë. Nano bëri Meidanin President dhe ky i fundit po konkuron për t'i zënë vendin. Nano e mori Edi Ramën, e ftoi miqësisht nga Parisi, eja në atdhe,- dhe e falenderoj që erdhi në një moment të dhimbshëm për të, kur jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë dashamirës humbën Kristaqin,- e bëri ministër, e bëri Kryetar bashkie të kryeqytetit dhe sot e ka përballë në konkurencën partiako elektorale. Unë nuk jam plotësisht dakort me këtë mënyrë arsyetimi, sepse unë nuk kam abuzuar asnjëherë me detyrën për t'u bërë dhurata individëve, për të emëruar apo shkarkuar miqtë e mi apo sipas qejfit tim. Përndryshe unë fitova në Kongresin e 3-të, përse do ta bëja Metën Kryeministër. Këtë detyrë e kanë patur, e kanë dhe do të vazhdojnë ta kenë vetëm strukturat e PS.

Si kryetar i PS kam bërë të gjitha përpjekjet politike dhe njerëzore deri në dhimbje për të patur një parti të hapur, gjithëpërfshirëse, tolerante që është sot më demokratikja në Shqipëri, më përfaqësuesja e vlerave dhe kontributeve më të spikatura të të gjithë shoqërisë progresiste shqiptare, ashtu si çdo socialist i thjeshtë që është këtu në sallë apo në sallat tona të tjera, pra çdo socialist i ndershëm. Unë e pranoj dhe e nxis çdo vlerë që përmirëson programin tonë politik e qeverisës, që i jep një ritëm më të lartë aksionit tonë kombëtar për zhvillim dhe integrim të Shqipërisë në botën moderne, çdo vlerë që gjithashtu, plotësohet, klasifikohet dhe pasurohet me kontributet e të gjithë anëtarësisë dhe nëpërmjet votës së saj. Siç po e shihni dhe vetë, i vetmi "kontribut" që po jepet në konkurimin e këtij proçesi kongresual për kreun e partisë është kjo tentativë që disa individë apo grupe po bëjnë për të ulur besimin e shqiptarëve tek socialistët mundësisht për të na nxjerrë në opozitë, sepse sërish robër të këtij arsyetimi të paarsyeshëm të vetin ata mendojnë se vetëm kështu mund të rrëzohet Fatos Nano.

Unë personalisht mund të bëja zgjedhje të tjera në jetë dhe detyra shumë më pak të sakrificës sesa kjo, - po flas për të gjithë 12 vjeçarin. Nuk jam këtu për të menaxhuar interesat e mia private, por jam këtu për të dëgjuar me të gjithë vëmendjen e kryetarit të partisë arritjet tuaja, hallet tuaja dhe sugjerimet tuaja për të qenë më mirë dhe për të mos lëshuar pushtetin në duart e Berishës. Ne kemi pranuar të lëshojmë apo të humbasim pushtet politik për të bërë shtet që u shërben të gjithëve. Më shumë se Fatos Nano nuk ka paguar njeri në PS dhe në 12 vjet tranzicion në Shqipëri nga lëshimi i pushtetit në dobi të shtetit dhe megjithatë jam këtu për të dhënë llogari dhe për t'iu nënshtruar gjykimit dhe votimit tuaj, të cilin do ta pranoj si çdo herë tjetër.

Absurdi i konkurentëve arrin deri aty sa të më akuzojnë se po e çoj partinë djathtas, madje po e shndërroj në parti të sipërmarrjes së madhe. Po shpjegohem. Në radhë të parë ne socialistët gjatë të gjithë periudhës që jemi në maxhorancë, megjithëse jemi disiplinuar edhe për shkak të detyrimit që vjen nga reformat standarte të integrimit në BE dhe NATO, ato reforma nuk mund të bëhen thjesht dhe vetëm sipas programit të PS në zhvillim. Ato janë standarte, institucione, mekanizma, mentalitet, ligje, rregulla që nuk janë të ndryshme në vende të ndryshme dhe as për parti të ndryshme. Pra ne jemi të detyruar të kryejmë reforma ndonjëherë edhe të dhimbshme, por asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga shteti social dhe kjo është fizionomia e partive të qendrës së majtë socialdemokrate.

Ne kemi deklaruar dhe i qëndrojmë aksiomës politike "pro ekonomisë së tregut-jo shoqërisë së tregut". Aspekti social i qeverisjes sonë është gjithnjë i pranishëm në të gjithë vitet e qeverisjes sonë. Ai u formësua në qeverinë e kryesuar prej meje në vitin '97-'98. Lufta kundër piramidave për çrrënjosjen e tyre nuk mund të lehtësojë të gjithë ata që humbën kursimet e jetës pa masa të kohezionit social, të asistencës sociale që tashmë po kthehet nga parazitare në nxitëse për punë dhe fitim. Më shumë se 100 milion dollarë në vit harxhon sot qeveria për të realizuar një nga prioritetet e saj programore: kohezionin social të shoqërisë, që po frenon dhe nuk po e nxit polarizimin social për shkak të ekonomisë së lirë të tregut. Janë rritjet e përvitshme të pagave, pensioneve, fondeve të asistencës sociale dhe ndihmës ekonomike, pagesat për invalidët dhe të paaftët për punë etj. të cilat kanë arritur të përmirësojnë ndjeshëm standartet e barazisë sociale, të lirisë dhe shanseve të barabarta, të solidaritetit dhe humanizmit, por edhe të përgjegjshmërisë reciproke të shtetit dhe qytetarëve ndaj njëri-tjetrit gjithashtu.

Këto programe dhe financime që qeveria aktuale po realizon nuk janë shpikje të Fatos Nanos, ato janë të bazuara në programin e PS, kanë marrë votbesimin e forumeve të partisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë me një maxhorancë shumë të gjërë, madje ne jemi të qetë se këto programe i pranon dhe i financon edhe FMN dhe Banka Botërore. Të kërkosh të thellohen tiparet e shtetit social në një vend në tranzicion është normale dhe e pranueshme. Por të shpifësh dhe mohosh që për interesa të ngushta të momentit PS nuk bën asgjë për kohezionin dhe integrimin social të shtresave në nevojë, kjo është e papranueshme. Minimalisht kandidatë të tillë që dalin para jush me besimin naiv se mund t'ju mashtrojnë, duhet të kishin marrë mundimin dhe të lexonin programin dhe realizimet tona në qeverisje, të cilat janë kokëfortë si shifra zyrtare të çertifikuara edhe nga kancelaritë perëndimore. Më duket se ndëshkimin politik për këtë naivitet dhe papërgjegjshmëri do ta japë anëtarësia dhe konferencat e partisë. Ky nuk është ndëshkim përjashtues, por është ftesë për të bërë stazhin sëbashku me ne.

Lidhur me sipërmarrjen dua gjithashtu të distancohem nga akuzat që konkurentët për kryetar po lëshojnë. Mua më vjen keq që këta njerëz nuk e njohin statutin dhe programin tonë, por as ndryshimet që ata kanë pësuar në vite. Në kongresin e katërt PSSH është deklaruar si parti e sipërmarrjës për reforma. Ndaj jo vetëm nuk kemi asnjë devijim programor, përkundrazi gjej rastin të konsideroj se jemi disi të vonuar në disa reforma, në sipërmarrje për reforma dhe duhet të punojmë më mirë edhe në këtë drejtim.

Unë jam i bindur, së pari, se profesorët, pasi janë dhe të shumtë tani, që sipërmarrja nuk kufizohet vetëm tek bizneset fitimprurëse, ajo shtrihet në të gjitha fushat e jetës. Edhe konkurimi për kryetar të partisë është një sipërmarrje politike, të cilën natyrisht jo të gjithë janë të aftë ta bëjnë, sepse jo të gjithë kanë shpirt dhe aftësi sipërmarrëse kombëtare dhe globale.

Së dyti, le të merremi dhe me sipërmarrësit që po marrin teserat e partisë, të cilët kanë qenë të flakur në të katër rrugët nga neni 24/1 i regjimit të Berishës, që politikanët sipërmarrës i goditi me ligjin antigenocid, kurse sipërmarrësit e progresit që u zgjodhën lirisht të integrohen në PS i flaku në rrugë dhe i la pa punë. Janë këta që u kthyen në VIP-at më të rëndësishëm fiskalë të vendit aktualisht. Nëpërmjet fitimit të ligjshëm dhe kontributit të tyre, pra të sipërmarrjes ekonomike në vend, e cila kanalizohet në instrumenta fiskalë, kemi mundur të bëjmë një shpërndarje më të mirë të të ardhurave kombëtare, e cila rritet pikërisht në sajë të kësaj sipërmarrjeje. Janë 2/3 e produktit të përgjithshëm kombëtar që sigurohen nga nisma e lirë dhe inisiativa private. Kështu kemi ndihmuar në zhvillimin e tiparit themelor të socializmit demokratik, të kohezionit social nëpërmjet shtetit social dhe buxhetit të tij. Zhvillimi i kësaj sipërmarrjeje sipas rregullave të ekonomisë së tregut do të thotë: punësim, aftësi konkuruese në integrim, që të mos cënohen resurset dhe potencialet kombëtare, pra progres për vendin. Vetëm në ekonomitë e centralizuara shtetërore që i provuam se ç'dhanë, ndodh e kundërta.

E treta, kundërshtarët e përfshirjes së sipërmarrësve të mëdhenj të ekonomisë në politikën e së majtës, sa herë u duhet, Klintoni, Toni Bler, Shrëder a kollosë të tjerë të së majtës moderne europiane e më gjerë i citojnë deri në shtrembërime madje. Epo për këta reformatorë të së majtës moderne që permenda, ashtu si edhe për PSSH, anëtare e Internacionales, biznesi nuk ndahet dot në të majtë apo në të djathtë. Sipërmarrja ekonomike është duke u forcuar dhe po mban një peshë gjithnjë e më të rëndësishme në shtimin e punësimit dhe mirëqënies në kontributet fiskale, në produktin kombëtar, në përmirësimin e mjedisit, në aplikimin e teknologjive të reja dhe moderne që lehtësojnë punën dhe sidomos lehtësojnë proçesin e integrimit dhe të hapjes ndaj ndikimeve të rënda që ka për një ekonomi ish të mbyllur, tregu global. Nga kjo pikëpamje të tentosh t'u vesh gardhin, t'u mbyllësh derën për aderim në parti përfaqësuesve më të spikatur të sipërmarrjes të ligjshme e të ndershme, do të thotë të mos njohësh kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, në zhvillimin e sipërmarrjeve politike drejt euroatlantizmit në Shqipëri dhe t'i kthehesh logjikës primitive se këta na qenkën matrapazë, a gjakthithës të popullit majtist. Në aspektin e standarteve demokratike të funksionimit të një partie fshikullimi apo penalizimi i sipërmarrjes është një mentalitet sa anakronik aq dhe antidemokratik.

Tani po hyj në fokusin e problemeve aktuale. Siç jeni në dijeni kryesia dhe grupi parlamentar i PS janë tërësisht të angazhuar të zgjidhin sa më parë çështjen e vakancave absurde në përbërjen e qeverisë. Duke e freskuar qeverinë për t'i dhënë asaj një ritëm të ri në përputhje me reformat që duhet të vazhdojnë dhe të kapin maja edhe më të vështira dhe reforma, siç e deklarova,- vazhdoj ta konfirmoj po përmbushen me shumë përgjegjësi nga qeveria juaj. Ju e dini se një pjesë e vogël e anëtarëve të grupit tonë parlamentar, edhe anëtarë kryesie madje, po kërcënojnë sërish maxhorancën tonë të ligjshme, që siç i kanë bashkuar, të bashkojnë sërish votat me Berishën dhe të sfidojnë interesat dhe vullnetin tuaj me interesat për karrierë personale të pamerituar. Anëtarësia po shprehet në konferenca, po reflektojnë dhe do të sjellin qendrimin politik në standartet e përfaqësimit të saj për hir të vetvetes. Për rrjedhojë unë e konsideroj nxitje për reflektim dhe përmirësim edhe të karrierës politike të deputetëve privimin nga e drejta e përfaqësimit si delegat në kongres nga disa konferenca partie të disa shokëve. Këta shokë nuk po kuptojnë njëlloj këtë efekt. Ka syresh që në grupin parlamentar bënë autokritikë dhe u qartësuan. Ata janë shumica. Ka një pjesë që nuk po e kuptojnë se duke u larguar nga ju po largohen nga çdo shans për t'ju përfaqësuar në çfarëdo vendi në të ardhmen.

Përvoja ka treguar se trafiku i votave mund të çorientojë një forum për pak kohë, por kurrsesi, i dashur Edi, anëtarësinë dhe konferencat e partisë për shumë kohë. Nëse ka autoritete të kristalizuar në 12 vjet, ky nuk është trafik, por influencë. Kjo është një ftesë për durim dhe kapjen e sensibiliteteve që po votojnë, shpresoj, në më pak se 12 vjet të tjera që vijnë. Si mund të akuzohen në bllok konferencat e partisë për manipulim nga ana e qeveritarëve, kur dihet se shumica e juaj edhe e delegatëve që do të vijnë në Kongres, nuk janë fare në marrëdhënie pune apo interesi të drejtpërdrejtë ndaj shtetit. Si mund të konsiderohen të manipuluara të gjitha ato konferenca ku vullneti i anëtarësisë ka ndëshkuar ortakët e Berishës brenda nesh? Ndërsa atje ku ortakët e Berishës kanë marrë votbesimin konsiderohen të rregullta konferencat. Pra, edhe këtu është sindromi Berisha: ku fitojmë goditemi, ku e humbim nuk e pranojmë rezultatin. Nuk besoj se emocionet apo ulërimat e operacionit politik të radhës, të cilin kur e bën anëtarësia unë nuk kam të drejta ta gjykoj më, do të munden të delegjitimojnë vullnetin e anëtarësisë që është institucioni më përfaqësues i PS.

Sistemi ynë i përfaqësimit është qartësisht i sistemuar në librat e rregullave, për shkak të të cilave gjithashtu na u dha çertifikata e pranimit të plotë në Internacionale. Me këto libra rregullash, pas anëtarësimit në Internacionale, secili nga ju mund të kandidojë dhe të zgjidhet për drejtues të forumeve të Internacionales. Ky është hapi që hodhëm duke u bërë anëtarë me të drejta të plota të Internacionales, prandaj vazhdoni të konkuroni jo vetëm në Shqipëri por edhe për në Internacionalen Socialiste, që është organizata më e madhe politike e globit. Meqenëse ne u anëtarësuam në Internacionalen Socialiste, pa përjashtuar askënd në radhët tona, të jeni të sigurtë që të gjithë ata që hedhin baltë mbi PSSH, anëtare me të drejta të plota të Internacionales Socialiste, nuk e përjashtojnë dot PS nga Internacionalja Socialiste. Po vazhdoj të sjell në vemendjen e të sapo ardhurve rregullat tona të përfaqësimit.

Çdo 30 anëtarë në PS përfaqësohen përmes një delegati në konferenca dhe çdo 153 anëtarë përfaqësohen nga një delegat në Kongres. Nëse zotërinjtë që duan të shfaqen si shokë janë të bindur në mbështetjen e anëtarësisë, sistemi aktual i rregullave tona të funksionimit u ka krijuar atyre të gjithë hapësirat për votbesim apo deri për realizim referendumesh në PS. Por nëse u shmangeni këtyre rrugëve demokratike dhe trasparente, d.t.th një provë më shumë se nuk janë mësuar të konkurojnë demokratikisht dhe karrierën politike e kërkojnë si dhuratë dhe jo si kontribut. Përpjekja e paqartë e këtyre shokëve a zotërinjve dhe e formatuar po kaq paqartësisht dhe jashtë kohe për të ofruar një sistem të ri përfaqësimi është në thelb shprehje e mungesës së gadishmërisë së tyre për të konkuruar dhe një përpjekje për t'i ikur llogari- dhënies për mosrespektimin e sistemit ekzistues. Unë e njoh më mirë se ty Edi përvojën e partive të tjera të majta. Ajo të cilës ju i referoheni është partia jonë franceze, e cila për shkak të kthimit në shumës të platformave dhe programeve u fragmentua drejt një minorance politike në zgjedhjet e fundit dhe, minorancë politike rrezikshmërisht pa të ardhme është sidomos ajo që rreshtohet pas të djathtës ekstreme.

Le t'i kthehemi zhvillimeve të fundit për plotësimin e qeverisë. Ka shokë kontestatorë që pretendojnë që preçedentin e bllokimit të qeversië e kam krijuar unë i pari në dhjetor 2001. Dua të kujtoj për anëtarët dhe opinionin publik që ky ishte një veprim politik i Kryetarit të partisë, të ndodhur në minorancë për shkak të abuzimit qeveritar të Ilir Metës në atë kohë. Siç e dini ishte një veprim i formuluar me një platformë të qartë politike, e cila duke u bërë publike gëzoi të gjithë simpatinë e PS dhe të shumë shtetasve jashtë saj, pra ishte një veprim politik i përgjegjshëm që u mbështet nga një grup deputetësh, për të cilin si veprim askush nuk ka bërë ankesë në institucionet e partisë, në komisionin e garancive statutore. E dini pse? Sepse nuk kishte asnjë shkelje. Statuti aktual i partisë dhe rregullorja e grupit parlamentar ndëshkon deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca të rëndësishme për arsye të papërligjura. Inisiativa ime për mosmarrjen pjesë në atë seancë me një grup deputetësh ishte plotësisht e përligjur, parimore dhe statutore. Për më shumë këtë veprim e ndërmorri kryetari i partisë i votuar nga kongresi dhe në emër të tij, me një platformë politike të qartë, që nuk ishte aspak platforma e një grupi të pakënaqurish që nuk ju ishin përmbushur dëshirat për karrierë apo karrige qeveritare. Askush nuk ka në vemendje ndonjë fakt edhe nga kjo ngjarje e debatit politik dhe parlamentar të socialistëve në '01 që Fatos Nano dhe grupi që e mbështeti bashkuan votat me Sali Berishën.

Ne nuk i shkaktuam krizë institucionale apo vakum qeverisë, aq më pak maxhorancës, pasi ministrat qëndruan në punë deri ditën kur me proçedura kushtetuese u zëvendësuan. E dini pse janë bosh artificialisht dy vendet në qeveri sot? Sepse Rexhep Meidani në dhjetor 2001 ndryshoi proçedurën kushtetuese të emërimit të ministrave. Nxorri votimin në parlament para betimit. Sipas Kushtetutës, ministri është i detyruar të qëndrojë në detyrë deri ditën që zëvendësohet dhe për këtë bën betimin. Ilir Meta duket se e harroi betimin e zv/kryeministrit dhe të ministrit në qeverinë e Partisë Socialiste të drejtuar nga Kryetari në gusht '02 dhe në korrik '03 braktisi detyrën dhe, meqenëse grupi i tij arriti që për dy orë rresht të bllokojë dekretet e zëvendësimit, Ilir Meta është në shkelje të Kushtetutës që kur ka ikur nga zyra deri në momentin që u votua shkarkimi i tij nga Kuvendi.

Pra, vakancat janë artificiale, por ato shprehin, nga pikpamja kushtetuese, një gjendje serioze politike që partia socialiste nuk mund ta zgjidhë pa ju dhe në Kogresin e saj. Ilir Meta ka bashkuar tre herë votën e tij me atë të Z.Berisha. Së pari, kur u rrëzua në mënyrë antikushtetuese Prokurori i Përgjithëm, së dyti, kur u bllokua emërimi në detyrë i ministrit të dekretuar të jashtëm Marko Bello, së treti, kur me të njëjtën skemë u bllokuan dy ministrat e tjerë të dekretuar Namik Dokle dhe Fatmir Xhafa. Pra akuzat që këta njerëz më bëjnë mua, madje tani flet dhe Gjinushi si nga brenda PS, është bashkëpunimi me Berishën. Madje Edi vazhdon të ketë shqetësimin se unë atë marrëveshjen me Berishën për zgjedhjen e Presidentit konsensual e kam bërë o në shtëpinë time o në shtëpinë e Saliut dhe nuk jeni pyetur ju. Për të qene trasparentë, marëveshja e zgjedhjes së Presidentit konsensual është bërë midis delegacioneve përfaqësuese të maxhorancës dhe të opozitës dhe besoj se e dini se kush më kontrollonte mua në këtë marrëveshje. E mbani mend kë kam patur në krah? Gramoz Ruçin. Të lë Gramoz Ruçi të bësh pazare personale me Berishën, si thoni ju? Këtë marrëveshje nuk e firmosi vetëm Skënder Gjinushi. Jo vetëm sepse emri i Presidentit konsensual nuk ishte i mikut të tij Rexhep Meidani, besoj se Skënder Gjinushi gjithmonë votën e tij në pakicë e ka përdorur për t'u hequr si lider i shumicave, si kryetar Kuvendi, si zv/kryeminsitër dhe tani, përveç Edit që kandidon më vete si kandidati tjetër për kryetar të PS. Duket se këtij njeriu dhe këtyre njerëzve u mungon kultura më minimale në një demokraci të hapur në një vend që po i afrohet për tu integruar në BE, në një vend që mbikqyret, monitorohet dhe asistohet nga organizatat më demokratike të botës.

Bashkëpunimi me opozitën në një vend si Shqipëria, një vend normal demokratik, është mëse normal, nëse ky bashkëpunim bëhet për interesa të vendit, bëhet trasparent dhe me mandate përfaqësimi. Unë kam shkuar në tryezën e marrëveshjes me opozitën, që jo vetëm zgjodhi Presidentin konsensual, por siguroi edhe një mbështetje të gjithë spektrit parlamentar për reforma institucionale dhe ekonomike që po shpejtojnë proçesin e integrimit euroatlantik të vendit, me mandat të kryesisë dhe të KPD së PS.

Unë gjej rastin të përsëris këtu se ne si shqiptarë do të tentojmë nga marrëveshja dhe kompromisi sa herë që ato t'u shërbejnë interesave të progresit dhe integrimit global të vendit. Për ne, përfaqësues legjitimë të PS, ajo që nuk lejohet janë kompromiset e pista, të pabesa, të fshehta dhe tashmë të hapura me cilëndo forcë tjetër politike në kurriz të interesave të demokracisë, të stabilitetit, të integrimit, në interes të qeverisë dhe të buxhetit që i paguan edhe ata. Ja ku çalon marrëveshja e radhës e Ilir Metës me Berishën, ajo është e pisët dhe produkt i etjes së pangopshme të Ilir Metës për pushtet personal.

Para se të nxitohem për të konkluduar sëbashku me ju, se disa nga këta shokë kanë kaluar përfudimisht me opozitën, pra kundër interesave të PSSH dhe interesit të vendit, më lejoni që çdo gjë që ka ndodhur ta konsideroj një krizë të zbatimit të rregullave dhe disiplinës së partisë sonë, anëtare të Internacionales. Këto sjellje janë shpërdorim flagrant i lirisë dhe demokracisë sonë të brendëshme. Për këto arsye ndryshimet në statut që janë propozuar për Kongresin e 12 dhjetorit, që kanë marrë konsensusin e të gjitha konferencave, që shkojnë atje dhe vijnë në Kongres me një vendim konsensual të KPD, ti Edi duhet t'i studioje më mirë të gjithë rregullat tona, që të kuptosh se edhe propozimet për ndryshimet e fundit janë koherente me to, dhe këto rregulla i japin përfundimisht dritën e kuqe lojës anarkiste, me disiplinën e përfaqësimit. Ja pse ndihen keq anarkistët me vendosjen e rregullave të përfaqësimit. Duke adaptuar edhe në Kongres këto rregulla. Që i gjen në statutin e partive më të rëndësishme të Internacionales gjithashtu, ne garantojmë një parti socialiste të madhe, të fortë, të hapur, të disiplinuar, tolerante, por edhe të përgjegjshme.

Të dashur shokë,

Këto 4 vjet që kaluam midis dy kongreseve zgjedhore, ishin prova më e mirë e aftësisë sonë për t'u reformuar dhe për të shfaqur para elektoratit aftësi të spikatura qeverisëse. I dashur Edi, s'ke qene vetëm ti i suksesshëm në Tiranë, jemi të gjithë në mbarë Shqipërinë. Suksesi më i madh i këtyre 4 vjetëve në investimin tonë politik ishte pa ekuivok çertifikimi i reformës dhe i rezultateve të saj në PS me anëtarësimin e saj të plotë në Internacionale. Por një çertifikim më të prekshëm na e kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë, që na kanë votuar në mënyrë të qëndrueshme. Do t'i mbledhim votat që kanë plaçkitur prapë, se nuk kanë shkuar tek Berisha. Pra na kanë votuar edhe në 4 vitet e fundit, një herë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të '01 dhe dy herë në zgjedhje vendore, sepse në partinë tonë gjithpërfshirja, pranimi dhe shpalosja e mendimit ndryshe, por gjykimi i tij nga vota e anëtarësisë dhe strukturave përfaqësuese të saj janë normë. Prandaj dhe bashkimi i vlerave është normë dhe jo konfrontimi i vlerave.

Nga një parti në reformim ne jemi tashmë të njohur zyrtarisht si një parti e reformuar, realisht e reformuar. Pra kjo është parti e gjallë, në një shoqëri të gjallë, tranzicioni vazhdon, po i afrohemi standarteve të BE dhe natyrisht reformat do të vazhdojnë. Konferenca si kjo e sotmja dhe i gjithë proçesi që do të përfundojë me kongresin do të përcaktojnë qartësisht mënyrën dhe mjetet demokratike për vazhdimin e reformimit të pandërprerë demokratik, që do të na sigurojë dhe nuk do të na vërë në dyshim stabilitetin tonë politik dhe vazhdimësinë e të qenit forca më e votuar në vend. Ne s'mund të harrojmë për asnjë çast që ju edhe sot po delegoni pushtetin. Do të zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Kongres. Dhe ata do të interpretojnë vullnetin tuaj. Më pas askush nuk mund të dalë mbi vendimet e kongresit, i cili ju përfaqëson ju. Për këtë arsye qetësia e debateve, shqyrtimi me kujdes i dokumentave themelorë të partisë dhe të kongresit, vendimarrja në të, ka një rëndësi të pazëvendësueshme për të ardhmen e partisë dhe të Shqipërisë që drejtohet prej saj.

Të dashur shokë e shoqe, kjo është pjesë e llogaridhënies së kryetarit që keni zgjedhur. Jam këtu për të vazhduar bashkëpunim me ju, edhe me këtë shkëmbim të hapur mendimesh në dobi të forcimit të partisë, të solidaritetit parimor që na ka mbajtur sëbashku gjithmonë dhe sidomos për të rritur më tej besimin e gjërë të zgjedhësve në dobi të ruajtjes së qetësisë dhe të aftësive tona për të qeverisur më mirë deri në vitin '05 dhe natyrisht për të kërkuar një mandat të ri për qeverisjen e vendit, sepse e meritojmë, jo ne por ju. Punë të mbarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›